Incidenti në Vjenë, Kuvendi voton të hënën për Komisionin Hetimor

Të hënën do të votohet në Parlament ngritja e Komisionit Hetimor për incidentin e ndodhur në Vjenë mes kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe diplomatit shqiptar pranë OSBE-së, Egin Ceka.  Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi mesditën e së premtes në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”. Kërkesa e deputetëve të maxhorancës parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident. Relacioni shoqërues i kërkesës parashtron fakte të hollësishme mbi dinamikën e ngjarjes. Po ashtu, kërkesa argumenton dhe përputhshmërinë ligjore të nismës së maxhorancës, në kuadër të veprimtarive të komisioneve hetimore parlamentare. “Rama me veprime fizike i është avitur dhe e ka kapur në pjesën e kokës dhe të flokëve, duke e tërhequr me dhunë. Veprimi ka qenë i kryer për të shprehur jo vetëm dhunën fizike, por edhe sinjale të pastra poshtërimi, shpërfilljeje dhe fyese. Këtij veprimi të dhunshëm, diplomati i është përgjigjur vetëm me fjalë, duke i thënë që kjo është një sjellje aspak njerëzore dhe që nuk i kishte ngjarë kurrë më parë. Nga ana e z. Rama, veprimi i dhunshëm i mësipërm është shoqëruar edhe me përsëritjen e shprehjes, që i atribuohej diplomatit, si “provokator”. Nga ana e diplomatit, është reaguar, duke i thënë se “një njeri që sillet në këtë mënyrë të dhunshme me një bashkëbisedues nuk është i denjë për të qeverisur shqiptarët”. E gjithë kjo skenë është ndjekur drejtpërdrejt nga të pranishmit dhe konflikti është neutralizuar prej tyre”, shkruhet në relacionin e PD-së lidhur me këtë ngjarje. Ndërkohë dje kryetari i grupit parlametar të PD-së, Astrit Patozi, i ka dërguar Kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli emrat dhe funksionet që i përkasin grupit parlamentar të PD-së në komisionin hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës. Kështu kryetar Komisioni do të jetë deputeti Fatbardh Kadilli dhe anëtarë deputetët Paulina Hoti, Osman Metalla, Gert Bogdani dhe Dashnor Sula.