Categories
World News

Indi / Ekspertët: rënie e pa shpjegueshme e rasteve me koronavirus

New Delhi  / Kur pandemia e koronavirusit u përhap në Indi, lindi frika se ajo do ta fundoste sistemin e brishtë shëndetësor të vendit të dytë më të populluar në botë. Infeksionet u rritën në mënyrë dramatike për muaj dhe në një moment India dukej sikur mund të kapërcente Shtetet e Bashkuara si vendi me numrin më të lartë të rasteve.

Por infeksionet filluan të bien në shtator, dhe tani vendi po raporton rreth 11,000 raste të reja në ditë, krahasuar me një kulm prej gati 100,000 rastesh, duke shkaktuar hutim tek ekspertët.

Ata kanë dhënë shumë shpjegime të mundshme për rënien e papritur – parë në pothuajse çdo rajon – duke përfshirë që disa zona të vendit mund të kenë arritur imunitetin e tufës ose që indianët mund të kenë pasur një lloj mbrojtjeje para se të vinte koronavirusi.

Qeveria indiane gjithashtu i ka atribuar rënien, pjesërisht mbajtjes së maskës, e cila është e detyrueshme në publik në Indi dhe shkeljet kanë gjoba të majme në disa qytete. Por ekspertët kanë vërejtur se situata është më e komplikuar pasi rënia është uniforme edhe në zonat ku për maskat ka alarm të kuq.

Kjo është më shumë sesa thjesht një enigmë intriguese; përcaktimi i asaj që qëndron pas rënies së infeksioneve mund të ndihmojë autoritetet të kontrollojnë virusin në vend, i cili ka raportuar gati 11 milionë raste dhe mbi 155,000 vdekje. Rreth 2.4 milionë njerëz kanë vdekur në të gjithë botën.

“Nëse ne nuk e dimë arsyen, ju mund të bëni pa dijeni gjëra që mund të çojnë në një shpërthim”, tha Dr. Shahid Jameel, i cili studion viruset në Universitetin Ashoka të Indisë.

Indisë, si vendet e tjera, i mungojnë shumë infeksione dhe ka pikëpyetje se si po i numëron vdekjet nga viruset. Por edhe fluksi në spitalet e vendit gjithashtu ka rënë në javët e fundit, një tregues i mëtejshëm që përhapja e virusit po ngadalësohet.

Kur rastet e regjistruara kaluan 9 milionë në nëntor, shifrat zyrtare treguan se gati 90% e të gjithë shtretërve të kujdesit kritik me ventilator në New Delhi ishin plot. Kurse të enjten, 16% e këtyre shtretërve ishin zënë.

Ky sukses nuk mund t’i atribuohet vaksinimeve që kur India filloi të administrojë vaksinat në janar – por ndërsa më shumë njerëz marrin një vaksinë, parashikimi duhet të duket edhe më mirë, megjithëse ekspertët janë gjithashtu të shqetësuar për variantet e identifikuara në shumë vende që duket të jenë më ngjitëse dhe i bën disa trajtime dhe vaksina më pak të efektshme.