Iniciativat e fermerëve për tregun, krijohen nëntë kooperativa në vend

Shqetësimi kryesor i fermerëve është mungesa e tregjeve për të prodhimet bujqësore. Por krijimi i kooperativave të para bujqësore është një mundësi që fermerët të gjejnë tregje dhe rrisin prodhimin. Në gjithë vendin janë krijuar deri tani 9 kooperativa, kryesisht në kultivimin e perimeve, bimëve medicinale, frutikulturë dhe ullishte. Në një prononcim për mediat,  drejtoresha e Shërbimit Këshillimor e Informacionit në Ministrinë e Bujqësisë, Tatjana Dishnica tregon zonat ku janë ngritur këto kooperativa. “Drejtimi i aktivitetit të tyre është perime, frutikulturë, blegtori dhe ullishtari, e bimë medicinale. Gjithsej këto kooperativa u ngritën nga vullneti i fermerëve, nga bindja që ata kanë për avantazhet, duke mos pasur në prapaskenë asnjë donator”, tha Tatjana Dishnica, Drejtore e Shërbimit Këshillimor e Informacionit në MBUMK. Gjithçka fermerët e kanë financuar vetë, pa mbështetje nga donatorë. Ata kanë bashkuar tokat, kapitalin, pajisjet bujqësore dhe kanë krijuar ndërmarrjet shoqëritë e Bashkimit Bujqësor. “Këto kooperativa do të bëjnë dhe ‘studime për tregun’ dhe ato do të orientojnë anëtarët e tyre pikërisht dhe për mbjelljet. Kjo është një nga avantazhet, ata do të studiojnë tregun. Janë të interesuar ta studiojnë tregun dhe tregu nuk mund të studiohet nga një, dy apo tre persona, por pikërisht kooperativa jep këtë mundësi, këtë alternativë. Njëkohësisht ata drejtojnë dhe mbjelljet. Këto kooperativa janë diametralisht të kundërta me ato që kemi pasur”, vijon Dishnica. Në proces të krijimit janë edhe 6 shoqëri të tjera. Kooperativat mund të përfitojnë edhe subvencione nga Ministria e Bujqësisë. Shoqëritë e Bashkimit Bujqësor kanë avantazhe pasi do të përfitojnë nga skema e financimeve të BE-së. Ato do të zhvillojnë zonat rurale dhe do të garantojnë gjetjen e tregjeve për produktet e fermerëve.