Inskenimi i pushtetit, nëpërmjet fotografisë

 

Kancelari në mesin e një turme, duke qeshur, në qendër të fotografisë, i rrethuar nga qytetarë të panjohur. Asnjë bodigard nuk të zë syri, asnjë shenjë në lidhje me partinë, së cilës i përket, asnjë slogan. Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 1994 CDU u mbështet tërësisht në shkallën e njohjes dhe reputacionin e Helmut Kohlit. “Një poster zgjedhor i pazakontë”, thotë Elisabeth von Hagenoë. Historianja e artit punon në qendrën kërkimore të Hamburgut, Ikonografia Politike. Ajo është specialiste, për të studiuar inskenimet e ngjarjeve politike dhe protagonistët e saj. “Kohl shfaqet si sundimtar i zhveshur, që nuk e ka më të nevojshme të mbrohet me armatim apo me bodigardë. Ai hyn në mesin e popullit, është aq popullor, saqë nuk duhet të ketë frikë për jetën. Në mesin e entusiazmit të turmës, diçka që njihet që nga antikiteti”, thotë von Hagenoë. Pllakati i Kohlit është vetëm njëri prej 300.000 materialeve fotografike, që janë katalogizuar në qendrën studimore, Ikonografia Politike. Që nga viti 1991 punonjësit e saj mbledhin dhe analizojnë vizualizime të koncepteve dhe personave politikë. Që atëherë është krijuar një “enciklopedi vizuale” e hapësirës politike. Ajo jep informacion për paraqitjen e pushtetit politik në pllakata, karta postale dhe piktura. Por në rradhë të parë, se çfarë mesazhesh të fshehura përmbajnë fotografitë e lajmeve, posterat, fotografitë e paraqitura nga takimet, samitet ekonomike, apo mbledhjet e qeverive. Ky material fotografik, i përmbledhur në mënyrë elektronike sipas fjalëve kyçe politike, përfshin të gjitha drejtimet e historisë së artit dhe të kulturës që nga antikiteti deri në të tashmën: skulptura dhe piktura, por edhe pulla poste dhe karikatura gazetash. Qysh tani shumë prej këtyre dokumenteve janë skanuar dhe gjenden në internet në një arkiv multimedial. Në fjalën kyçe “Adolf Hitler” janë të përfshira për shembull të gjitha kartolinat që nga viti 1933 deri 1945, të cilat e tregojnë diktatorin në të gjitha rolet, pozat dhe paraqitjet e mundshme, për të percjellë afërsinë e tij me popullin.

Punë kundër harresës

Mbi derën e drunjtë të hyrjes së shtëpisë Ëarburg shkruhet fjala greke “Mnemosyne”, që do të thotë kujtim. Ajo mban emrin e themeluesit, historianit të artit Aby Ëarburg, djali i një tregtari hebre. Këtu, në lagjen elegante me vila Harvestehude në Hamburg, e ka selinë qendra studimore Ikonografia Politike. Mnemosyne është një përkufizim i mirë për punën e studiuesve, sepse edhe ata bëjnë një punë kundër harresës. Si paraqiten sistemet politike? Demokracitë dhe sistemet totalitare, sundimtarët absolutistë dhe shoqëritë hierarkike?”, pyet historiani i artit nga Hamburgu dhe laureati i çmimit Leibnitz, Martin Ëarnke, me iniciativën e të cilit është hapur kjo qendër studimore. Çfarë mjetesh dhe mediesh shfrytëzojnë sundimtarët politikë dhe grupet e interesit, për ta ndikuar opinionin për qëllimet e tyre? Veprimtaria politike, shpjegon Ëarnke, deri sot nuk ka gjetur shprehje vetëm në formën e shkruar, për shembull në marrëvëshje, pamflete, apo libra, por edhe në ceremoni dhe festivitete, në teatro, kopshte, monumente dhe piktura. Dhe pikërisht kjo është për Ëarnke-n dhe punonjësit e tij fusha e studimit të Ikonografisë Politike. “Për shembull mund të shihni, se si njerëzimi e ka përfytyruar figurativisht anarkinë. Apo si luftohet, apo mbrohet demokracia dhe socializmi me ndihmën e pamjeve.” Bëhet fjalë për “mënyrën se si mund të shprehet me art pushteti politik apo social”, plotëson von Hagenoë dhe jep një shembull për këtë: “Një sundimtar në Mesjetë ka ndërtuar një kështjellë në një kodër mbi qytet. Duke përdorur këtë arkitekture ai donte të thoshte: Unë sundoj mbi të gjithë zonën!”

Fuqia e pamjeve

Presidenti amerikan Obama në “Situation room” para vrasjes së Bin Ladenit

Sot nuk vlen fuqia e kalave, por fuqia e imazheve. Një fotografi e famshme e presidentit amerikan Barack Obama e tregon atë në mesin e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, duke përfshirë zëvendëspresidentin Joe Biden dhe ministren e Jashtme Hillary Clinton. Fotografia e bërë në vitin 2011 në “situation room” të Shtëpisë së Bardhë.

Fytyrat e të pranishmëve janë të tensionuara, të gjithë ia kanë ngulur sytë ekranit. Ata ndjekin live operacionin “Geronimo” në Pakistan dhe shikojnë, se si një komando speciale e Navy Seals ndjek udhëheqësin e terroristëve Bin Laden. Më vonë fotografia shfaqet në faqet kryesore të gazetave në mbarë botën. Për Ëarnke mesazhi i fotografisë është: “Njerëzit e mi më të zotë më kanë këshilluar, unë bëj më të mirën për popullin tim.” Qendra studimore Ikonografia Politike përdor teknologjinë më moderne kompjuterike, për përpunimin e materialit fotografik dhe të shkruar. Historianët e artit punojnë së bashku me informaticienë të Universitetit Teknik Hamburg-Harburg. Në afat të gjatë synimi është që të përgatisin një bankë të dhënash digjitale me fotografi dhe tekste: një lloj “skedari elektronik”, mundësitë multimediale të të cilit mund të krijojnë hapësira të reja për të kuptuar ikonografinë politike. Një shembull i mirë për këtë është paraqitja e Sadam Huseinit nga viti 2002 në murin e Sadam Arts Center në Bagdad. “Një shembull klasik i realizimit në pikturë të mesazheve politike dhe një shembull për instrumentalizimin politik të pamjeve”, komenton historiani i artit Ëarnke.

Ndryshim i përceptimit

 

Martin Ëarnke thekson se edhe vetë të pushtetshmit u janë nënshtruar dhe u nënshtrohen kufizimeve, kur është fjala për të demonstruar pushtetin e tyre. “Për shekuj me rradhë sundimtarët janë paraqitur si Herkuli, Apolloni, Krishti, apo Jupiteri. Prej tyre kërkohej që të pozonin si Herkuli. Ishte një lloj kostumi standard, që i kishin veshur.” Udhëheqësit politikë, thotë Ëarnke, mund të kenë një vullnet të theksuar për pushtet, por janë në të njëjtën kohë robër të rolit të tyre. Kjo ambivalencë e inskenimit politiko-vizual vlen të merret në konsideratë në masmedia. Ëarnke sheh tendencën, se televizioni bëhet gjithnjë e më shumë sipërfaqësor. Për këtë ekziston termi infotainment, pra një përzierje e informacionit dhe zbavitjes. Në të njëjtën kohë eksperti konstaton se televizioni sundon gjithnjë e më shumë në perceptimin e realitetit. Ai konstaton fare qartë tendencën, që masmediat i imponojnë gjithnjë e më shumë shoqërisë standartet e kriteret e tyre për realitetin. Realiteti jashtë medieve margjinalizohet, sipas motos: kush nuk është në televizon, nuk ekziston.