Integrimi i Shqipërisë, Bregu e ftuar nga fondacioni gjerman

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka qenë e ftuar nga fondacioni gjerman, Konrahd Adenhauer Stiftung, një ndër fondacionet më serioze dhe të njohura në Bruksel për të folur lidhur me arritjet dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit europian. Në dialogun që ajo ka zhvilluar me pjesëmarrësit, është vlerësuar veçanërisht orientimi proeuropian i Shqipërisë, performanca e vendit në fushën ekonomike, mënyra efikase e promovimit të vlerave të turizmit, si dhe arritjet e ndryshme në drejtim të dialogut politik në vend dhe luftën kundër krimit të organizuar. “U impresionova nga qëndrimi proeuropian i ministres dhe mendoj, se kjo reflekton qëndrimin proeuropian të popullit shqiptar. U impresionova si të tjerët nga shifrat që ajo prezantoi për performancën ekonomike, shifra që nuk i njihja plotësisht. Gjithashtu, ajo që ra në sy ishte vizioni i saj i qartë dhe një qëndrim i thjeshtë i një vendi që aspiron integrimin europian. Unë kam punuar në tre vende që aspironin integrimin europian dhe qëndrimi i politikanëve të këtyre vendeve ishte tepër krenar dhe me tepër besim ndaj qasjes sê tyre kundrejt zyrtarëve europianë. Kjo është pikërisht ajo që ministrja shqiptare evitoi. Ajo nxori në pah vlerat e Shqipërisë, në mënyrë shumë inteligjente dhe elokuente. Ajo kishte shifra konkrete, qëndrimin proeuropian dhe e promovoi vendin shumë mirë. Impresionuese”,- tha drejtori i fondacionit “Konrad Adenauer Stiftung”, Stefan Gehrold.

Darka e organizuar nga fondacioni gjerman, Konrahd Adenhauer Stiftung, në bashkëpunim me ambasadën shqiptare mbylli vizitën e ministres Bregu në Bruksel.