Integrimi në BE, Bregu: Reformat dhe ligjet me 3/5, angazhim i përbashkët

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu gjatë një takimi me delegacionin për zgjerimin në Bashkimin Europian, ka kërkuar angazhimin e opozitës për përfundimin e planit të veprimit për plotësimin e 12 kritereve të kërkuara nga KE. Ministrja Bregu nënvizoi se reformat dhe votimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar është angazhim i përbashkët i të gjitha forcave duke shpresuar në bashkëpunimin e opozitës. Ndërsa nga ana e tij shefi i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit, Vasilis Maragos nënvizoi se Shqipërisë i duhen vendime politike dhe zbatime në terren me synim që të arrihet marrja e statusin të vendit kandidat për në BE. Ministrja e Integrimit theksoi se plani i veprimit për qeverinë është konsideruar një instruksion për të sjellë së bashku të gjitha kahet e politikës. “Ky nuk është një proces që ka nevojë për mendime të ndryshme, ky është një proces që duhet ta nënshkruajmë së bashku, duhet të jetë një material që të jetë i firmosur bashkarisht nga mazhoranca dhe opozita. Reformat janë të përbashkëta dhe mbi të gjitha integrimi nuk është agjendë vetëm e mazhorancës apo e opozitës por është në interes të të gjithë shqiptarëve”, ka theksuar Bregu. Më tej ministrja Bregu theksoi se vendi ka humbur shumë kohë për shkak të bojkotit të opozitës prandaj duhet të rikuperohet koha e humbur. “Shpresojmë se me marrëveshjen e nëntorit të rikuperojmë kohën e humbur prej dy vjetësh, duke i qëndruar angazhimit të përbashkët dhe duke shpresuar që deri në fund të procesit të ketë një angazhim serioz të opozitës”, është shprehur ministrja Bregu. Nga ana e tij përfaqësuesi i BE, Vasilis Maragos, kërkoi angazhim nga të gjithë për reformat, ku shtoi se këto ndryshime janë konkrete që ndodhin në punën e përditshme të institucioneve. “Jemi këtu për t`u mbështetur dhe duhet të jemi rigorozë, se vendet anëtare presin që ne të jemi rigorozë”, theksoi Maragos. Sipas tij standardet janë të larta dhe BE është gati të jetë e drejtë. “Ne duhet të sigurohemi që ju performoni dhe ky informacion iu dërgohet vendeve anëtare. Zgjerimi i BE është mjet për transformimin e shoqërive që aspirojnë për në BE, plani i veprimit është një bazë e mirë për punën, për ne është baza e monitorimit. Qëllimi i diskutimeve është që të shohim cilat janë problemet e prioriteteve kyce dhe të jemi në kohë për raportin e ardhshëm të progresit me rezultate konkrete”, nënvizoi ai. Plani i ri i veprimit për plotësimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian për vendin tonë do të jetë sot në qendër të zhvillimeve politike. Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha mbledh komitetin ndërministror për Integrimin. Ndërkaq një ditë më parë plani i ri i veprimit për plotësimin e 12 rekomandimeve të KE-së nuk është pritur pozitivisht nga deputetët e opozitës në komisionin parlamentar të integrimit.

Comments are closed.