Integrimi në BE, Haxhinasto: Shpejtësi veprimi në komponentët e procesit

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e komitetit evropian të Partisë socialdemokrate të Gjermanisë, Prof. Dr. Christoph Zöpel dhe Drejtorin e Fondacionit Friedrich Hebert në Tiranë, z. Michael Ëeichert. Tema e takimit ishte ecuria e reformave në kuadër të zbatimit të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Në këtë takim, ministri Haxhinasto pasi bëri një pasqyrë të zhvillimeve dhe arritjeve të deritanishme theksoi se përcaktorët e asaj çfarë duhet të bëjë Shqipëria për statusin e vendit kandidat janë: Konsolidim i arritjeve të deritanishme; fokus në reformat kyçe dhe shpejtësi veprimi në të gjithë komponentët e procesit. Nga ana e tij, z. Zöpel siguroi për mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe evidentoi se mesazhi që ai ka përçuar në të gjitha takimet është që të gjitha forcat politike t’u qasen vendeve anëtare në mënyrë të njëtrajtshme, duke lobuar në favor të procesit të integrimit, nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë. Po ditën e sotme, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Haxhinasto është takuar edhe me studiueset shkencore nga Qendra për Strategjitë Liberale në Sofje, dhe Shoqata e Evropës Juglindore në Mynih, respektivisht znj. Antoinette Primatarova dhe Dr. Johanna Deimel. Takimi u fokusua në rolin e komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, veçanërisht në kontekstin e perspektivës evropiane të Shqipërisë. Ministri Haxhinasto theksoi se Bashkimi Evropian është organizmi me motivimin më të fuqishëm për reforma në vend, jo vetëm si detyrim për anëtarësim por edhe në funksion të rritjes së cilësisë së jetesës për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, ministri vlerësoi se zhvillimet pozitive aktuale janë një mundësi që Shqipëria të afrohet më shumë drejt BE duke përftuar statusin e vendit kandidat dhe hapur negociatat e anëtarësimit. Edhe institucione e organizata të tjera ndërkombëtare me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie shumëplanëshe si OSBE dhe Këshilli i Evropës, si dhe vendet partnere strategjike si ShBA, kontribuojnë për t’i shërbyer një synimi të përbashkët, integrimit Evropian.

Comments are closed.