Integrimi në BE, Sequi: Reforma parlamentare ka ecur me hapa të ngadaltë

Në Ministrinë e Integrimit është zhvilluar edhe sot takimi konsultativ mes palës shqiptare dhe asaj Europiane për rishikimin e planit të Veprimit të hartuar nga pala shqiptare mbi 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi deklaroi se grupi i punës për reformën parlamentare ka ecur me hapa të ngadaltë. Sipas tij ka arritje për disa ligje, por se duhet ndjekur e njëjta rrugë edhe për të tjerat. Ndërsa ministrja e Integrimit Majlinda Bregu theksoi se mazhoranca është e angazhuar për procesin e integrimit, por një rol të rëndësishëm luan edhe kontributi i opozitës duke theksuar se politika duhet të jetë e njëjtë në interesat e 94% të shqiptarëve. Sipas saj 12 rekomandimet kanë nisur të zbatohen dhe plan-veprimi i qeverisë po realizohet shpejt, ndërsa ka nevojë për bashkëpunim. Takimi dy ditor mes palës europiane dhe asaj shqiptare vjen pas diskutimeve të gjata në Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku anëtarët e mashorancës dhe të opozitës në këtë komison i parashtruan ministres së Integrimit sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për prioritetet nga 6 deri në 12. Palët ranë dakord që këto vërejtje dhe sugjerime të përmblidhen në një listë të firmosur nga anëtarët e Komisionit, listë kjo që do t’i dërgohet ministrisë së integrimit për ta përfshirë në Planin e Veprimit.

 

Comments are closed.