Intervista/ Flet Drita Mandreja, drejtoreshë në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”

Projekti i ri shtëpi-familje, fëmijët grupohen në apartamente të vogla

Mënyra se si do të bëhet ndarja e vajzave dhe djemve në këtë shtëpi. Risitë që sjell projekti i implementuar. Shërbimet që përfitojnë fëmijët 

Vetëm pak kohë më parë, në Tiranë ka nisur rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”. Nëpërmjet një projekti të hartuar që vitin e kaluar, kjo godinë do të përshtatet, më së miri, për fëmijët e strehuar aty, duke u krijuar atyre ambiente të tipit shtëpi-familje. Në këtë mënyrë, fëmijët do ta ndjejnë vetën më afër familjes së tyre biologjike, pasi ndryshe nga vitet e kaluara, ata do të jenë të grupuar me bashkëmoshatarë në godina të vogla dhe jo më në një ambient të madh institucional. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika” drejtoresha e kësaj shtëpie, Drita Mandreja, e cila thotë se fëmijët janë grupuar sipas moshës dhe gjinisë në apartamente të vogla. Ja se si është shprehur ajo më gjatë në këtë intervistë:

– Prej disa muajsh, ka nisur rikonstruksioni i godinës në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, për t’iu përshtatur atyre në apartamente të vogla. Çfarë risie sjell për fëmijët ky projekt i ri?

Si proces, ristrukturimi ka nisur vitin e kaluar, që do të thotë se kontrata ligjore për ndërtimin e kësaj godine është bërë gjatë muajit gusht. Besoj se me këtë rikonstruksion do të arrihen dy gjëra shumë të rëndësishme, të cilat janë përshtatja e mjediseve dhe rritja e përkujdesit të fëmijës. Nëpërmjet këtij projekti, kalohet nga ambiente të përbashkëta ose institucionale, në ambiente të tipit shtëpi-familje. Përshtatja e këtyre mjediseve do të bëhet edhe duke hyrë në godinën e re, duke bërë rregullimet dhe përmirësimet e duhura pas rikonstruksionit, si dhe duke i përshtatur ambientet që dikur ishin të përbashkëta, në ambiente më të vogla banimi. Projekti për ndarjen e ambienteve të godinës është bërë para se të niste rikonstruksioni, ku fëmijët janë ndarë në katër grupe sipas moshave dhe gjinisë. Kështu, ndarja e fëmijëve do të bëhet, në këtë mënyrë: në një grup do të jenë vajzat e vogla, nga mosha 6 deri në 10 vjeç, në një tjetër do të jenë vajzat e rritura nga 10 deri në 15 vjeç dhe në të njëjtën mënyrë do të grupohen edhe djemtë. Të gjithë do të grupohen në katër grupe dhe çdo grup do të përmbajë maksimumi 12 fëmijë. Mbi të gjitha, ajo që dua të them është se këta fëmijë do të përfitojnë një shërbim të njëjtë si në një shtëpi, do të kenë një ambient më të ngrohtë dhe më të dashur, përshtatur një familjeje. Pra, ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me rikonstruksionin ose me përmirësimin e kushteve të godinës, por, në thelb, ka të bëjë me diçka që i shërben edhe përmbajtjes. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj godine do të ndryshojë edhe shërbimi: nga një shërbim i përbashkët për të gjitha moshat, në një shërbim të veçantë të tipit shtëpi-familje. Ky shërbim do të ndikojë drejtpërsëdrejti në mentalitetin e fëmijës. Edhe pse do të duhet ta konfirmojmë në të ardhmen risinë që do të sjellë ky projekt, aktualisht ne besojmë se çdo gjë do të ndikojë në zhvillimin e fëmijës, sepse një fëmijë i moshës 6 vjeç nuk ka të njëjtat dëshira dhe të njëjtat lojëra me një të moshës 15 vjeç. Kështu, e përsëris edhe një herë që fëmija do të ketë pranë vetes një bashkëmoshatar dhe ata do të kenë të njëjtin mendim, të njëjtat lojëra, të njëjtin mentalitet, gjë që do t’i shërbejë mirërritjes së fëmijës. Nisur nga kjo, fëmijët do të ndihen më mirë me pjesëtarët e familjes së tij, në rast se do ta quanim kështu. Një tjetër gjë pozitive që sjell ky projekt lidhet me marrëdhënien që do të mund të krijojë personeli me fëmijën. Në këtë rast, punonjësi do të jetë më afër dhe do të ketë rolin e prindit, pra do të jetë në pozicionin e një pjesëtari të familjes.

– Cilat janë shërbimet që mund të përfitojnë fëmijët në këtë shtëpi?

Siç e thashë edhe më parë, këtu është një staf i përcaktuar me 36 punonjës; punonjës edukimi, punonjës socialë, psikologë, kujdestarë që kryejnë shërbime të bazuara në standarde të miratuara për përkujdesjen në Shtëpinë e Fëmijës. Realisht, gjithmonë kemi ngulmuar drejt një qëllimi që të arrijmë drejt shërbimit që po implementojmë sot. Pra, edhe një herë dua ta theksoj që ideja e kujdesit në shtëpi-familje është diçka e mrekullueshme, gjë që do të shihet edhe në ditët e ardhshme. Shumë herë është folur për ta implementuar këtë shërbim, por sërish kemi mbetur në kornizat e institucioneve. Qëllimi kryesor është të dalim nga fjala institucion dhe të shkojmë drejt fjalës shtëpi. Gjithashtu, siç thashë edhe më sipër, këtu bëhen shërbime sipas standardeve të miratuara dhe të 12 shërbimet, ne i respektojmë në çdo moment të ditës. Shërbimet që ofrohen lidhen me edukimin, arsimimin, aktivitete kulturore dhe shumë shërbime të tjera që ndikojnë në mirërritjen e fëmijës. Kushtet financiare për të ndjekur arsimin ia mundësojmë ne fëmijëve, ndërkohë ata vazhdojnë arsimimin në një vend tjetër, jashtë godinës dhe kryesisht këta fëmijë ndjekin shkollën “Osman Myderizi”. Në këtë shtëpi, janë të regjistruar fëmijë nga mosha 6 deri në 15 vjeç, që i kap arsimi 9-vjeçar. Gjithashtu, dua të them se nuk kemi fëmijë parashkollorë. Këta të fundit i përkasin shtëpisë së foshnjës.

– Së fundmi, po flitet edhe për një projekt të ri – shërbimi i kujdestarisë. A do të implementohet ky projekt edhe për Shtëpinë e Fëmijës? Cili është mendimi juaj për të?

Me sa di unë, ky është një projekt që sapo ka nisur të aplikohet. Ne, deri në momentet që flasim, nuk kemi pasur një implementim të këtij shërbimi për shtëpinë e fëmijës. Në të ardhmen, ndoshta, mund ta implementojmë edhe ne. Ky shërbim, me sa di unë, është që persona të caktuar marrin një fëmijë dhe kanë kujdestarinë ligjore, për sa kohë ai kujdeset për ta. Që fëmija të jetë në një ambient familjar është një gjë e mrekullueshme. Ky projekt duhet të insistojë në sigurinë e personit që zgjedh për ta bërë këtë gjë, pasi këta fëmijë vijnë nga kushte specifike. Pra, personat që marrin përsipër për të bërë këtë përkujdesje duhet të kalojnë në një filtrim që të marrin statusin e duhur për këtë shërbim. Kjo, pasi mund të ndodhë që fëmija të shkojë në një person, i cili mund të mos jetë i denjë për të ofruar këtë shërbim dhe kjo përbën një risk. Them se për projektin në fjalë janë marrë parasysh edhe këto rrisqe dhe besoj se do të jetë diçka pozitive.

– Sa të kënaqur jeni ju me fondet që akordohen nga qeveria për Shtëpinë e Fëmijës?

Të them të vërtetën, me fondet që akordohen për këtë shtëpi nga qeveria, janë të përshtatshme për përkujdesin. Mbi të gjitha, duket qartë me këtë shtëpi që po ndërtohet, në një kohë kur ambientet më parë nuk ishin shumë të përshtatshme për fëmijët. Fondet për shërbimin ndaj këtyre fëmijëve janë rritur dhe unë besoj se jemi në ditët më të mira, kur ofrohen këto shërbimet e përkujdesjes.

 

Comments are closed.