INTERVISTË/ Flet Elez Gjoza, kryetar i minibashkisë nr. 2

Rrugët e amortizuara, kur nisin projektet për rikonstruksion

Rehabilitim infrastrukturor për zonat informale. Sa është fondi i akorduar për njësinë bashkiake nr. 2. Qendër rezidenciale për moshat e treta dhe linjë e re urbani për qytetarët

Njësia bashkiake nr. 2 përbën një ndër zonat më problematike të kryeqytetit, pasi përfshin dhe sipërfaqen më të madhe të saj. Ndonëse mbulon 1/5 e sipërfaqes së Tiranës, njësia nr. 2 përbëhet nga një zonë informale prej 50 për qind dhe zonë urbane 50 për qind. “Duhet thënë se në këtë njësi ka pasur dhe ka aktualisht probleme. Një punë e mirë është bërë dhe me lirimin e hapësirave publike për qytetarët. Kjo gjë është arritur me iniciativën tonë dhe të bashkisë së Tiranës dhe policisë bashkiake, ku kemi çliruar të gjitha trotuaret e kësaj njësie. Konkretisht, një ndër këto rrugë është “Petro Nini Luarasi”, e cila ndryshe njihet si bulevardi i njësisë nr. 2, madje dhe pazarin e ri. Momentalisht, kemi bërë një ndërhyrje permanente tek Pazari i Ri dhe markata e mishit, ku gjendjen e kemi gjetur të vështirë”. Kështu është shprehur në një intervistë për “Republikën”, Elez Gjoza, kryetar i minibashkisë nr. 2. Më tej, ai shtoi se në muajin maj pritet të vihet në punë zbatimi i projektit për rikonstruksionin e 22 rrugëve, të cilat paraqiten më problematike.

 

– Cilat janë disa nga projektet, me të cilat po merret minibashkia juaj aktualisht?

Me marrjen e detyrës, si kryetar i minibashkisë nr. 2, bashkë me stafin po punojmë për përmbushjen e të gjitha premtimeve tona elektorale. Në këtë minibashki është bërë një revolucion i vërtetë. Kjo, në radhë të parë, lidhet me pastrimin e ambienteve të kësaj njësie. Pasi dihet që njësia nr. 2 është më e madhja në kryeqytet dhe mbulon 1/5 e territorit me 12 km katrorë. Ajo përbëhet nga një zonë informale prej 50 për qind dhe zonë urbane 50 për qind. Duhet thënë se në këtë njësi ka pasur dhe ka aktualisht probleme. Një punë e mirë është bërë dhe me lirimin e hapësirave publike për qytetarët. Kjo gjë është arritur me iniciativën tonë dhe të bashkisë së Tiranës dhe policisë bashkiake, ku kemi çliruar të gjitha trotuaret e kësaj njësie. Konkretisht, një ndër këto rrugë është “Petro Nini Luarasi”, e cila, ndryshe njihet si bulevardi i njësisë nr. 2, madje dhe Pazarin e Ri. Momentalisht, kemi bërë një ndërhyrje permanente tek Pazari i Ri dhe markata e mishit, ku gjendjen e kemi gjetur të vështirë. Ndërkohë, kemi ndërhyrë dhe në disa akse rrugore dhe këtu mund t’iu jap një informacion shumë optimist. Kjo, pasi bashkia e madhe ka akorduar një buxhet të madh për këtë njësi, e cila konsiderohet si më problematikja në Tiranë. Shumë e akorduar kap shifrat e 6 miliardë lekë të vjetra për disa rrugë permanente që janë në këtë njësi. Këtu duhet të përmend rikonstruksionin e rrugës “Perto Nini Luarasi”, e cila do bëhet 10.5 metra e gjerë, me trotuare nga 2.6 metra, ku do bëhet dhe sistemimi i ujërave të zeza dhe atyre tubacioneve të ujit të pijshëm.

–       Para pak ditësh, bashkia e Tiranës ka publikuar listën e një sërë rrugëve të kryeqytetit, të cilat janë problematike. Sa prej këtyre rrugëve janë pjesë e njësisë bashkiake nr. 2?

 

Në listën e rrugëve problematike përfshihen afërsisht 93 rrugë, për 11 njësi bashkiake, ku njësia nr. 2 ka 22 rrugë. Pra, ajo zë 30 për qind të këtyre rrugëve, për të cilat bashkia e Tiranës do të bëjë ndërhyrjet e saj për sa i takon rikonstruksionit të tyre. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i ka parë nga afër të gjitha problematikat dhe ka akorduar rreth 30 për qind të ndërhyrjes për të rikonstruktuar këto rrugë.

 

– Sa është fondi i akorduar për njësinë bashkiake nr. 2?

Duhet thënë se njësia bashkiake nr. 2 ka një sërë nevojash imediate, të cilat kërkojnë zgjidhje. Sa më tepër fonde të kemi, aq më mirë është për ne, pasi ne jemi në shërbim të qytetarit. Ky ka qenë dhe një ndër premtimet tona në fushatën elektorale. Ne duhet të përmendim që kemi folur disa taksa, të cilat i përfitojnë një sërë kategorish. Njëkohësisht, dhe kalimin e taksës së pastrimit, për të cilën njësia bashkiake merrte shumë të ardhura për vete, i ka kaluar tek ujësjellësi. Megjithatë, ne kemi përfituar 11 për qind të buxhetit të bashkisë së madhe dhe për këtë jemi shumë të kënaqur.

 

– Një pjesë e mirë e njësisë bashkiake nr. 2 përbëhet nga një sipërfaqe e madhe e zonave informale. Cilat janë disa nga problemet që mbeten ende evidente në këto zona?

Për zonën informale, duhet thënë se një nga problemet që ngelet ende i pazgjidhur janë rrugët e paasfaltuara, pasi kanë qenë zona në zhvillim. Ndërkohë, dhe ato rrugë që kanë qenë në gjendje të mirë, ka ndërhyrë ujësjellësi, për shkak të ndërhyrjes në tubacione dhe tashmë po i riparon. Por gjendja e këtyre rrugëve, momentalisht është e keqe. Ndërkohë, një tjetër problem që ka pasur kjo njësi bashkiake ka qenë dhe uji i pijshëm, sidomos për zonën informale, ku tashmë është eliminuar ky problem. Tashmë, çdo familjar ka lidhur kontratën dhe ujësjellësin. Tashmë, një tjetër iniciativë që ne po ndërmarrim është dhe ajo e ndriçimit të rrugëve. Në bashkëpunim me ndërmarrjen nr. 2, me drejtoreshë Luzhiana Abazin, po mundohemi ta zgjidhim dhe këtë problem.

 

– Ç’mund të na thoni në lidhje me familjet që marrin Ndihmë Ekonomike, sa është numri i tyre?

Ne, si njësi bashkiake, po ndjekim një metodë për sa i takon Ndihmës Ekonomike. Kështu, pjesë e kësaj ndihmë janë dhe gratë e divorcuara, pavarësisht moshës dhe vendit nga vijnë. Por duhet thënë se ata banorë që nuk janë regjistruar në këtë qytet, që nga viti 1991, nuk përfitojnë Ndihmë Ekonomike. Ne, tashmë, kemi evidentuar të gjitha familjet problematike dhe kemi hequr të gjithë ata persona që nuk e përfitojnë këtë të drejtë. Kjo, pasi ka pasur shumë familje, të cilat, edhe pse në marrëdhënie pune, trajtoheshin me Ndihmë Ekonomike. Ne këtë gjë po e shmangim, kjo pasi kemi bërë një data baze me të gjitha familjet që përfitojnë. Kështu, inspektorët e zonës kanë shkuar shtëpi për shtëpi, për të konfirmuar dhe të ardhurat e tyre ekonomike dhe më pas kanë vendosur për këto raste. Ndërkohë, një tjetër iniciativë që po ndërmerr njësia jonë bashkiake është dhe krijimi i një qendre për moshën e tretë, ku kemi dhe njerëz të moshuar, ku nuk kanë përkrahjen e fëmijëve të tyre, kjo bëhet fjalë më shumë për zonën informale. Tashmë, në lidhje me këtë projekt, do vazhdojmë bisedimet. Por besoj se, shumë shpejt, do gjendemi me një godinë, duke trajtuar dhe u shërbyer kësaj moshe.

 

– Një ndër premtimet tuaja elektorale ishte dhe pajisja e njësisë nr. 2, me një linjë urbani. Çfarë po bëhet në këtë drejtim?

Deri tani, ne kemi vendosur një linjë urbani për në Qytetin Studenti, për studentët dhe moshat e treta. Kjo linjë, tashmë është miratuar. Ne kemi shtyrë orarin e linjës ekzistuese dhe do vendoset linja e re, presim të miratohet vendimi në Këshillin Bashkiak. Unë kam marrë dhe premtimin e kreut të bashkisë që kjo linjë do jetë për qytetarët dhe është vetëm çështje kohe.

– Gazeta “Republika” ka bërë disa vëzhgime në këtë njësi dhe ka konstatuar se ka probleme me mbetjet urbane, si dhe me largësinë e madhe që kanë kazanët e mbeturinave nga njëri-tjetri. Çfarë po bëni në këtë drejtim?

Duhet të them që njësia bashkiake nr. 2 është më e pastër se ç’ishte. Këtë gjë e thonë dhe vetë qytetarët. Ka një plan vendosje ku hidhen mbeturinat dhe ku vendosen këta kazanë. Kemi bërë një ristudim, i cili ka mbaruar dhe kemi bërë disa propozime me bashkinë e madhe për vende të reja ku do të vendosen kazanët e rinj të mbeturinave, kjo është diçka ende në proces. Tashmë, është marrë miratimi dhe është konfirmuar dhe nga firma e pastrimit dhe presim vetëm ndërhyrjen. Kjo, pasi kemi pasur dhe shumë probleme me komunitetin dhe për këtë kemi pasur shumë ankesa, por kur shkojmë të vëmë kazanët e plehrave nëpër këto vende, ata kundërshtojnë. Tashmë, me ndihmën e ndërlidhësve, që duhen kryepleqtë nëpër njësi, ne kemi realizuar një planimetri të rregullt se ku do vendosen këto kazanë, të cilat u shërbejnë qytetarëve. Ne po punojmë për ndërgjegjësimin e qytetarëve, të cilët në shumë raste janë po ata që nuk veprojnë në bazë të rregullave, dhe preferojnë ti hedhin mbeturinat jashtë kazanëve sesa brenda tyre. Rikompozimi i të gjitha vendeve të reja për vendosjen e koshave të plehrave është vetëm çështje ditësh, pasi është vetëm çështje ambientesh se ku do vendosen ato dhe jo materiale.

 

–       Kur pritet të nisin projektet për rikonstruksionin e rrugëve problematike?

 

Në muajin maj, pas kalimit në planin rregullues, do të nisë puna për vënien në zbatim të projektit. Ndërhyrjet do bëhen në të gjitha ato rrugë që quhen tashmë problematike.

 

– Një nismë e bashkisë së Tiranës ishte dhe përjashtimi nga taksa e pastrimit e disa kategorive që gëzojnë status të veçantë. Çfarë ndikimi sjell kjo në buxhetin e njësisë bashkiake nr. 2?

Normalisht, kjo taksë e dëmton buxhetin e njësisë bashkiake. Kjo, pasi ne mblidhnim nga taksa e pastrimit, e cila është 5 mijë lekë të reja, ku 90 për qind e kësaj shume e merrte bashkia e madhe dhe 10 për qind kalonte në buxhetin tonë. Këto të ardhura përdoreshin për problemet imediate që ka njësia dhe për investime të ndryshme. Siç dihet që me vendim që mori bashkia ka disa të përjashtuar nga kjo taksë, siç janë invalidët, para dhe tretraplegjikët, pensionistët, heronjtë e punës, të verbrit, etj. Të gjithë ata persona që bënin pjesë në këto kategori, në ujësjellës iu mor pa përjashtim të gjithë qytetarëve një taksë prej 4200 lekë të vjetra. Ne kemi përgatitur një data baze me listat e të gjithë këtyre njerëzve që janë të përjashtuar nga kjo taksë dhe e kemi çuar në bashkinë e madhe dhe më pas ata do të rimbursohen.

 

 

 

 

 

Comments are closed.