Intervistë me drejtorin e DAR Lezhë, z. Kastriot Kodheli”

Sfidat në arsim përballohen me menaxhim dhe drejtim të kualifikuar 

– Z. Kastriot, së pari ju urojmë për detyrën e re në krye të Drejtorisë Arsimore të qarkut të Lezhës!

Ju falënderoj ju dhe redaksinë e gazetës suaj, për urimin, të cilin e konsideroj inkurajim dhe nxitje në angazhimin tim, për të realizuar ndryshimin pozitiv të pritshëm në arsim të rrethit dhe qarkut Lezhë, nga arsimdashësit, si dhe komuniteti i kolegëve dhe nxënësve.

  – Çfarë emocionesh ju krijon emërimi në këtë detyrë?

Emërimin, ndryshe do ta citoja marrjen e detyrës në fjalë, e konsideroj ndjesi personale, obligim për misionin fisnik të mësuesit, si rrjedhojë dhe të drejtuesit në këtë sektor shumë publik, si një nga profesionet në shërbim të qytetarëve, pasi ka të bëjë me edukimin dhe arsimimin e mëtejshëm dhe të suksesshëm të brezave.

– CV-ja juaj është mjaft e pasur, deri edhe prefekt dhe sekretar i përgjithshëm i Prefekturës. Përvojat më të mëdha i keni në arsim: mësues, drejtues shkollash, në fshat e qytet. Si do t’i shfrytëzoni këto përvoja në detyrën tuaj të re?

CV-ja ime është produkt i besimit që kanë pasur aktorët rajonalë dhe qendrorë, por dhe mbështetja e opinionit publik, besimi dhe mbështetja, të cilat, në karrierën time modeste, i kam përkthyer jo në privilegj, por në angazhim serioz. Për më tej, le t’ia lëmë opinionit publik të më gjykojë.

 

– Cilat janë përshtypjet dhe njohuritë tuaja për arsimin lezhjan?

Njohuritë, asnjëherë nuk janë të përfundme, ato mbeten në referencën e kujtdo që mendon dhe i referohet standardit të funksionit me parametrat e duhura. Personalisht, jam shkëputur nga puna direkte në arsim prej afro 7 vitesh, pasi kam qenë i angazhuar në detyra të tjera. Por, përvoja ime dhe kontributi im modest, prej afro 25 vitesh në arsim pa ndërprerje, mendoj se më shërbejnë për t’u rikthyer natyrshëm profesionalisht në sektorin e arsimit, që do të thotë të përshtatem me standardet dhe modalitetet bashkëkohore të menaxhimit në këtë sektor.

– Ç’mendoni se do të bëni më mirë dhe ndryshe në arsimin e Lezhës dhe të qarkut?

Kushdo që merr një detyrë të re, i bëhet zakonisht e njëjta pyetje. Përgjigjen unë nuk do ta jap për hir të zakonit, prandaj, në natyrën time, nuk kam ndërmend të premtoj paraprakisht, por dua te them se, së pari, e konsideroj vlerësim dhe besim ndaj meje të aktoreve rajonal dhe qendrore që më besuan një detyrë shumë publike, shumë të ndjeshme nga komuniteti i shkollës dhe aktorët përkatës.

Së dyti, dua të them se këtë besim dhe vlerësim do ta përkthej në angazhim maksimal, për të realizuar ndryshimin e pritshëm nga aktorët e arsimit, (kolegë, prindër, nxënës, strukturat institucionale).

Së treti, do jetë koha që do të vlerësojë, që do më japë notën që meritoj për çka do arrij. Kur them unë, nënkuptoj patjetër stafin me të cilin do të punoj.

– Cila do të jetë metoda juaj drejtuese dhe bashkëpunimi me stafet drejtuese të shkollave dhe të DAR-së së Lezhës?

Ju, në fillin prezantuat CV-në time. Nëse konsiderohet e arrirë, pika më e fortë e përvojës sime ka qenë bashkëpunimi në grup. Kjo ka qenë dhe mbetet filozofia ime.

– Po me stafet drejtuese të ZA-ve të Kurbinit dhe Mirditës, si do të bashkëpunoni për të nxitur zhvillime të reja arsimore në qark?

Bashkëpunimi me drejtuesit e ZA-ve është në sinkron me punën time, në drejtimin e sektorit të arsimit në shkallë qarku. Në këtë kontekst, angazhimi im është në drejtim të rritjes së shkallës së përgjegjësisë, në kuadrin e realizimit të reformave që janë ndërmarrë në sistemin e arsimit. Gjykoj se drejtuesit e ZA-ve mbartin angazhim dhe përgjegjësi për rrethet që drejtojnë. Nga ana jonë, do t’u ofrohet mbështetje dhe bashkëpunim.

 – Cilat janë disa nga pikat më të nxehta, ku ju do ta përqendronit më shumë vëmendjen dhe punën si drejtues, së bashku me stafet tuaja?

Mendoni të sillni risi në zhvillimet e deritanishme të arsimit në Lezhë e qark? Ku do të synojnë ato?

Unë e konsideroj rolin tim si bashkëpunëtor me strategjitë dhe objektivat e sistemit të arsimit, si bashkëpunëtor të implementimit të reformave në arsim, të cilat, në vetvete, përmbajnë risi në tërë sistemin kurrikular.

Megjithatë, dua të ndalem në:

– konceptimin dhe implementimin konkret të rolit të psikologëve të shkollave.

– rritjen reale të strukturave dhe aleatëve të shkollës si:

a- të senateve dhe të qeverive të shkollave

b- të bordit të shkollës:

– për një vlerësim sa më real të nxënësve.

– korrigjime të karakterit informal në shkolla

– për korrigjime reale të orëve të humbura për arsye objektive.

Mbi të gjitha, gjykoj se secili aktor i shkollës, në përgjithësi, dhe në veçanti, stafet drejtuese të jenë seriozë dhe të përgjegjshëm për menaxhimin e shkollës. Që do të thotë të gëzojnë respekt në opinionin publik, te kolegët dhe nxënësit e tyre.


– Natyra juaj është shoqërore apo zyrtare? Si keni filluar t’i ndërtoni marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe komunikimin me stafet drejtuese të shkollave?

Është standard që drejtuesi të mos jetë ekstrem në të dy këndvështrimet që ju më drejtoheni.

Së pari, unë gjykoj se raportet ndërtohen reciprokisht në përmbushjen e detyrave që secili ka.

Së dyti, drejtori me shembullin, angazhimin dhe aftësitë profesionale, të seriozitetit të tij institucional, duhet të tërheqë pas vetes grupin, pa mbështetjen e të cilit nuk mund të realizohen objektivat.

Së treti, në besimin që duhet treguar dhe mbështetur tek eksperienca pozitive që kolegët mbartin, si bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës në grup.

Së katërti, në respektimin e alternativave për vendimmarrje dhe zgjidhje, që mbartin arritje të suksesshme.

Sapo kam filluar punën. Po përsëris atë që kam thënë, se suksesi ose mossuksesi është i kushtëzuar me faktin se sa bashkëpunues tregohesh me kolegët, me aktorët e shkollës. Unë, në këtë kontekst, jam mjaft i qartë, si dhe kam një eksperiencë që punën time e mbështes në bashkëpunimin në grup.

 

– Po me mësuesit dhe komunitetet prindërore?

Në mënyrë kategorike, mësuesit nuk i ndaj nga filozofia ime e bashkëpunimit, përkundrazi, mësuesi ka qenë dhe mbetet referenca ime për të arritur objektivat dhe suksesin. Prindërit i konsideroj aleatë potencialë për mbarëvajtjen dhe realizimin e objektivave të arritjes.

– Si president i Komitetit Rinor, çfarë mendoni së duhet të bëni më shumë ju dhe të tjerët për rininë e Lezhës dhe të qarkut?

Kam vite që e kryej këtë rol. E konsideroj pjesë të angazhimit tim marrjen me të rinjtë, me qëllim që ta aftësojmë atë si vendimmarrës dhe me ndikim pozitiv në shoqëri. T’u krijojmë mundësi për kalimin e një kohe të lirë të dobishme, larg drogës dhe dhunës. Jam në realizimin e një projekti për krijimin e një qendre rinore me përfaqësues të grupmoshave dhe komuniteteve të ndryshme, etj.

– Ku e dëshironi mbështetjen më të madhe nga MASH-i, bashkia e Lezhës, Kurbinit dhe e Mirditës?

Së pari, tek angazhimi direkt i aktorëve përgjegjës të strukturave arsimore. Njësitë vendore kanë detyrim ligjor dhe publik, në shërbim të shkollës. Ne do ofrojmë bashkëpunim, por dhe qëndrime kritike, në raste kur konstatojmë indiferentizëm. Besojmë dhe shpresojmë tek angazhimi i tyre serioz, si shërbimi më i duhur që njësitë vendore i ofrojnë komunitetit, si shërbimi më i nevojshëm, duke mirëpërdorur të ardhurat e nga taksapaguesit.

MASH-i, si institucion superior, është detyra jonë, të zbatojmë me përpikëri, korrektesë dhe profesionalizëm – të gjitha udhëzimet e vazhdueshme që janë bërë dhe do të na bëhen prezent.

 

Po nga komuniteti dhe organizmat e tjera, që kanë lidhje me arsimin?

Ne duhet dhe do të jemi të hapur, do ofrojmë bashkëpunim në dobi të procesit të mësimit dhe edukimit. Shpresojmë se do gjejmë gjuhën dhe mirëkuptimin për të realizuar veprimtari konkrete e të suksesshme.

 – Si do ta përgjithësoni shembullin e mësuesve të përparuar?

Mësuesi, gjykoj se është intelektuali më modest. Aq më tepër, mësuesit shembullorë, që janë më shumë se modest. Ai motivohet me ndjesinë e motivit si misionar i dijes dhe edukimit të brezave 

– Si do t’i nxitni dhe do t’i vlerësoni ata?

Le t’ia lemë kohës.. .

– Po nxënësit me aftësi të veçanta në fushat e shkencave, në ato shoqërore, kulturore, artistike e sportive?

Kam bindjen se tashmë është në objektivat e çdo shkolle, që të rritin të aftësuarit e nxënësve si konkurrues të suksesshëm në arsimimin dhe aftësitë e tyre individuale. Mua më mbetet t’i mbështes dhe t’i inkurajoj për realizimin cilësor të implementimit të tyre.

– E, meqë ra fjala, si e ndjeni veten tashmë që jeni disi më larg sportit, do t’ju mungojë ai apo do të jeni përsëri pranë tij? Si do ta realizoni këtë? 

Dikur, kur më është bërë pyetja se ku e gjeni kohën për të ushtruar sport, përgjigjja ime ka qenë: “Unë, duke vrapuar nuk e humb kohën, por e fitoj atë”.

– Si e priti familja dhe fëmijët emërimin tuaj në këtë detyrë?

Nëse është fjala për familjen time, shumë thjeshtë. Familja më ka mbështetur në angazhimet e mia institucionale dhe publike, me bindje.

 

– Po miqtë dhe shokët tuaj?

Miqtë dhe shokët e mi, besoj se një pjesë e mirë e tyre janë miq dhe shokët tuaj. Me shumë lehtësi mund t’i pyetni.

– Thuhet, se përgjithësisht, kur disa shkëputen nga baza e shkollës, u bie hija e zyrës dhe nisin e tregohen të ftohtë me kolegët. Ju, si do të veproni në komunikimin e tanishëm me ta?

Tani, me pyetjet tuaja, ju më detyroni të lë mënjanë modestinë. Megjithatë, diku kam lexuar se modestia e tepruar është injorancë, prandaj, referuar këtij gjykimi, shprehem se një mik i imi, në një nga ditët kur unë punoja në prefekturë, më ka thënë: “Ti, z. Kastriot, më i thjeshtë je tashti që kryen njëkohësisht detyrën e prefektit dhe sekretarit të përgjithshëm se kur ke qenë në detyra të tjera”. Kolegët unë i kam konsideruar bashkëpunëtorë, pjesë e padiskutueshme e funksionit për të kryer detyrën me përgjegjësi të lartë. Përsëri them, më mirë për këtë, pyetini të tjerët se si kanë qenë.

– Ju falënderoj për intervistën dhe ju uroj edhe një herë suksese në detyrën tuaj!

 

Ju faleminderit ju! Ju uroj mbarësi!

 

Comments are closed.