Invalidët, ja si do të përfitohen shërbimet sociale

Ministri i Punës, Spiro Ksera: Po përgatitet projektligji “Për statusin e punonjësit social”

Mënyra e re se si do të përzgjidhen përfituesit e Ndihmës Ekonomike dhe kategoritë e reja që do të hyjnë në skemë. Procedura që do të ndiqet për punësimin e studentëve. Plan veprimi për mbrojtjen e fëmijëve 

Në Ditën Ndërkombëtare të Punës Sociale, ministri Spiro Ksera ka prezantuar para studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, prioritetet e politikave sociale të qeverisë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Fakultetit dhe Ministrisë, falë së cilës bëhet e mundur që të gjithë studentët të kryejnë praktikat profesionale pranë Ministrisë së Punës dhe institucioneve të saj, ministri Ksera i informoi pjesëmarrësit për iniciativën e ndërmarrë për hartimin e një projektligji “Për statusin e Punonjësit Social”. “Hapin e parë të bashkëpunimit e kemi realizuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila u mundëson studentëve të kryejnë praktikat profesionale në institucionet tona, rezidenciale dhe komunitare publike dhe jopublike, ne zyrat rajonale të shërbimeve sociale dhe ndihmës ekonomike si dhe strukturave territoriale. Institucionalizimi i këtyre marrëdhënieve ka shërbyer për të njohur më mirë sistemin e shërbimeve sociale nga studentët e Punës Sociale, për t’u njohur më mirë me kategoritë e përfituesve dhe shërbimet që ofrohen”,- tha ministri i Punës, Spiro Ksera. Sipas tij, ky sistem ka rinovuar ndjeshëm numrin e punonjësve të cilët kanë formim social akademik dhe se në 90 për qind të institucioneve roli i punonjësit social dhe psikologut është vlerësuar si parësor dhe thelbësor dhe punësimi i tyre ka pasur prioritet primar. “Është shumë e rëndësishme që shërbimet sociale të kuptohen nga studentët dhe pedagogët jo vetëm si punësim apo vend pune, por edhe si një mundësi për të ofruar shërbim vullnetar primar, për të kontribuar në krijimin e një sistemi vullnetar të ofrimit të shërbimeve sociale”,- tha Ksera.

Ndihma Ekonomike, përzgjedhja e përfituesve

Si një ndër iniciativat e reformimit të Shërbimeve Sociale,- thonë ministri i Punës – është hartimi i projektligjit “Për statusin e punonjësit social”, i cili ka lindur si domosdoshmëri e trendit të problemeve shoqërore, të lindura gjatë periudhës së demokracisë. “Objektivat e Politikave Kombëtare të përkujdesjes shoqërore në Shqipëri mbështeten nga buxheti i shtetit, i cili, nga viti në vit, ka akorduar fonde më të mëdha, duke bërë të mundur ndërtimit e një sistemi pagesash e shërbimesh cilësore që garantojnë plotësimin e nevojave bazike për grupet dhe individët në nevojë, zbutjen e varfërisë dhe përjashtimin social”,- tha ministri Ksera. Sipas tij, përmirësimet ligjore në fushën e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore kanë konsistuar në përfshirjen e grupeve të reja përfituese në skemën e Ndihmës Ekonomike, përcaktimin e kritereve që bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja për të gjitha kategoritë në nevojë, ku përzgjedhja e përfituesve në skemën e NE-së (Ndihmës Ekonomike) do të jetë më cilësor bazuar në sistem bashkëkohor të dixhitalizuar. Gjithashtu, përmirësimi i shërbimeve aktuale dhe ngritja e shërbimeve të reja për të gjitha grupet e përfituesve,- theksoi Ksera, – është në qendër të politikave të kësaj ministrie edhe për vitin 2012.

Ligji i ri për personat me aftësi të kufizuar

Vlerësimi i politikave dhe legjislacionit të mbrojtjes sociale në drejtim të aftësisë së kufizuar ka qenë një ndër pikat e forta që ministri ka përmendur në takimin e djeshëm, ku sipas tij hartimi i një ligji për përfshirjen dhe aseksueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar do të garantojë mundësi të barabarta për të gjithë ata dhe do t’u mundësojë jetesë dhe vendimmarrje të pavarur me synim garantimin e jetës në komunitet. Pas nënshkrimit të Konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar”, Qeveria ka hartuar plan pune 3-vjeçar deri në ratifikimin e saj, i cili përfshin përmirësimin e legjislacionit. “Në këtë kuadër, Ministria po punon për hartimin e projektligjit integral “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar”, i cili do të mundësojë garantimin e çdo të drejte për të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar”,- tha Ksera, duke përcaktuar më tej se pagesat për aftësinë e kufizuar janë rritur nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fondit të akorduar nga buxheti i shtetit dhe vendimeve të njëpasnjëshme për rritje të pagesave dhe përfitimeve.

Mbrojtja e fëmijëve

Në programin e qeverisë së Shqipërisë 2009-2013 nënvizohet angazhimi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, si një nga objektivat e rëndësisë së veçantë, e cila është shprehur me thellimin e reformës legjislative dhe institucionale, për të krijuar një mjedis mbrojtës dhe gjithëpërfshirës për fëmijët. Kjo reformë ka kulmuar me miratimin e ligjit “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, në vitin 2010, dhe me krijimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, institucion në varësi të MPÇSSHB-së që monitoron respektimin e të drejtave të fëmijëve në vend. “Në zbatim të Ligji po punohet për ngritjen dhe forcimin e Sistemi i Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve duke filluar nga struktura qendrore, deri dhe ato vendore. Një javë më parë, u miratua “Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015”, dokument i cili përmbush një nga detyrimet e rekomandimit 11 të BE-së, në përmbushje të detyrimeve të shtetit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015 synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë (qendrorë e lokalë), donatorëve, shoqërisë civile dhe komunitetit, për të marrë vendime të orientuara për të garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve”,- tha Ksera. Rishikimi i skemës së mbështetjes me Ndihmë Ekonomike është tregues domethënës se mbrojtja e fëmijëve nga varfëria dhe përjashtimi social është në qendër të politikave të kësaj qeverie. Nga skema e përfitimit të Ndihmës Ekonomike tani përfitojnë edhe fëmijët jetimë dhe kryefamiljarë.

Comments are closed.