Invalidët, kundër ndryshimeve në ligj

INTERVISTË/ Flet Luan Bregu, nënkryetari i Shoqatës për të Verbrit

Të verbrit, para dhe tetraplegjikët, protestojnë para Parlamentit, kundër votimit për ligjin për statusin e personave me aftësi të kufizuar. Kërkesat e Shoqatës së të Verbërve. Masat e rimbursimit që reduktohen 

 Sërish kanë protestuar përpara Parlamentit, personat e verbër dhe ata para e tetraplegjikë. Të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, ata u kanë kërkuar deputetëve të Parlamentit shqiptar të mos votojnë ndryshimet që i janë bërë ligjit për statusin e personave me aftësi të kufizuar. Ata iu kanë kërkuar që të bëhen pjesë e bisedimeve dhe të arrijnë një kompromis, përpara se ata të votojnë heqjen e kuotës për energjinë elektrike, transportin dhe telefonin. Por, dhe pse pas shumë përpjekjesh, ndryshimet ligjore kaluan për votim në Parlament dhe tashmë për të gjithë personat që gëzojnë statusin e invalidit do të ketë disa pasoja, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në jetën e tyre të përditshme. “Ligji 8098 për statusin e të verbrit, në nenin 12 të tij flet për përfitimet që i verbri përfiton për rimbursim, për energjinë elektrike, për udhëtimin dhe telefoninë fikse. Sipas nenit 11 dhe 12, në to thuhet: Për energjinë elektrike përfitojnë rimbursim 80 për qind të konsumit mujor dhe ne paguajmë vetëm 20 për qind të shumës. Ndërkohë, një tjetër problem është dhe ai i rimbursimit për transportin urban dhe interurban, ne në atë urban udhëtojmë falas, së bashku me shoqëruesit tanë, ndërsa në atë interurban me gjysmë çmimi”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Republikën”, Luan Bregu, nënkryetari i Shoqatës për të verbrit.

– Ç’mund të na thoni në lidhje me ndryshimet në ligjin për statusin e invalidit që pritet të kalojnë për miratim në ligjin për invalidët?

Ligji 8098 për statusin e të verbrit, në nenin 12 të tij flet për përfitimet që i verbri përfiton për rimbursim, për energjinë elektrike, për udhëtimin dhe telefoninë fikse. Sipas nenit 11 dhe 12, në to thuhet; Për energjinë elektrike përfitojnë rimbursim 80 për qind të konsumit mujor, dhe ne paguajmë vetëm 20 për qind të shumës. Ndërkohë, një tjetër problem është dhe ai i rimbursimit për transportin urban dhe interurban, ne në atë urban udhëtojmë falas, së bashku me shoqëruesit tanë, ndërsa në atë interurban me gjysmë çmimi. Për sa i përket telefonisë fikse, ne përfitojmë 2 mijë impulset e para. Ndërsa, sot, kërkohet që këto përfitime të ndërpriten dhe të ndryshojë neni 11 dhe 12 dhe i gjithë rimbursimi ynë t’i lihet në kompetencë qeverisë. Pra, masa e rimbursimit qoftë për energjinë elektrike, qoftë për transportin urban dhe interurban dhe për telefoninë fikse, të caktohet në varësi të kushteve që do përcaktohen nga qeveria.

– Cilat janë disa nga kërkesat tuaja si shoqatë?

Ne kërkojmë që masa e përfitimit të përcaktohet në ligj. Ndërkohë, ne kemi pranuar që pavarësisht se deri kemi paguar një 10 për qindësh të konsumit mujor për nevojat familjare të energjisë elektrike, kërkojmë që tani të vendoset një tavan, i cili të jetë i barabartë me konsumin mesatar të deklarimit që bën CEZ Shpërndarje. Kjo mesatare është rreth 1200 kv dhe më pas të rimbursohemi në masën e 945 kv. Kjo duhet të fiksohet në ligj, kjo është një ndër kërkesat tona. Fiksimi i masës së rimbursimit duhet të vendoset në ligj dhe mos të lihet nën kompetencën e qeverisë. Kjo, pasi qeveria mund ta tatojë këtë masë, sipas situatave që do të ndodhin dhe mund të rezultojë që kjo masë të ulet. Duhet thënë se situata, sapo vjen e përkeqësohet, pasi kjo duket dhe në pagesat në raport me pagat minimale buxhetore, apo dhe për energjinë elektrike. Pra, të gjitha arritjet që ne kemi fituar me ligj në vitin 1996, po shkojnë drejt venitjes. Ndaj, ne kemi frikë dhe jemi mëse të bindur se në Ministrinë e Punës është duke u hartuar një ligj integral për statusin e personat të kufizuar, i cili kërkon të shfuqizojë një e nga një nenet dhe pastaj të shfuqizojë dhe gjithë statuset në tërësi. Në këto diskutime që janë bërë nga ana e Ministrisë së Punës, përfaqësues të shoqatës së të verbërve nuk janë thirrur si palë e interesuar për të diskutuar me ta për këto masa që duhet të merren dhe për rregullimin e atyre çështjeve që çalojnë.

Sa e vështirë është jeta për një person me aftësi të kufizuar, duke marrë parasysh dhe ndihmat që u ofrohen nga shteti?

A mund të jetohet me 106 mijë lekë të vjetra?! Kjo vlerë është si kompensim për aftësitë që kemi, për shikimin e dobësuar apo verbërinë që kemi. Duhet të them të drejtën se kjo shumë, mua s’më del për nevojat e mia, pasi në shumë raste, duhen për syze, për ilaçet qetësuese të syrit, duhet çdo muaj dhe kushton 3 mijë lekë të reja. Ndërkohë, ka shumë të verbër, nuk vuajnë vetëm nga kjo, por dhe nga sëmundje të tjera sekondare, siç është diabeti. Duhet thënë se një ndër fatkeqësitë pas verbërisë, është kjo sëmundje, pasi ai e thellon verbërinë dhe më shumë. Ndaj një pjesë të të verbërve përdornin dhe insulinën, e cila shkon 400-500 lekë të reja në muaj. Kështu, duke pasur parasysh këto halle që ne kemi, madje dhe për të gjithë ata që janë kryefamiljarë, jetesa për ne është shumë e vështirë.

– Cilat janë masat që shoqata juaj do të marrë nëse kërkesat tuaja nuk dëgjohen?

Nëse ky ligj nuk kalon në Parlament, ashtu siç ne kemi negociuar dhe kemi rënë dakord me një pjesë të mirë të parlamentarëve, ne do të ndërmarrin hapa të tjerë. Ne do të mblidhemi në organet drejtuese, në Asamblenë Kushtetuese dhe do të vendosim se cilat do të jenë masat tona që ne do të ndërmarrim. Këto hapa do të rëndojnë më tej situatën për të verbrit, por s’kemi rrugë tjetër.

Çfarë rimbursohej

– Sipas nenit 11 dhe 12, në to thuhet; Për energjinë elektrike përfitojnë rimbursim 80 për qind të konsumit mujor, dhe të gjithë personat që gëzojnë statusin e invalidit paguajmë vetëm 20 për qind të shumës;

– Ndërkohë, një tjetër rimbursim që mbulonte ligji për invalidët është dhe transporti urban falas për ta dhe për kujdestarët e tyre, ndërsa për atë interurban rimbursohet gjysma e çmimit;

– Invalidët, duke u bazuar tek ligji i mëparshëm përfitonin 1200 minuta falas për telefoninë fikse.

Kërkesat e të verbërve

– Rimbursim deri në masën 80 për qind të energjisë elektrike;

– Rimbursim të udhëtimit në linjat urbane dhe deri në masën 50 për qind për transportin interurban;

– 1200 minuta falas për telefoninë fikse.

Comments are closed.