Ish-pronarët, shtyhet afati për shqyrtimin e dosjeve

Zyrtare/ Prezantohet projektligji i ri “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” 

Kategoritë e tokës, për të cilat do të kryhet kompensimi financiar. Procedura që do të ndiqet për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Institucionet që ngrihen për monitorimin e të drejtave të pronësisë 

Prezantohet projektligji i ri për pronat. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje, ndryshimet dhe shtesat në Ligjin Nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Konkretisht, në këtë ligj, neni 13 ndryshohet si më poshtë: “Vlerësimi i pronës që kompensohet do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj. Procesit të vlerësimit të pronës sipas përcaktimit të këtij neni, i nënshtrohet: toka dhe objektet ndërtimore. Në kategorinë e tokës përfshihet toka bujqësore, tokat pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall i përdorur për qëllime publike, tregtare, industriale apo qëllime të tjera ndërtimi. Metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kështu, metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme”,- thuhet në këtë projektligj.

Vlerësimi i pasurive

Sipas projektligjit të ri, vlerësimi i pasurive të paluajtshme, sipas kësaj metodike, do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme: çmimin e tregut; llojin e pasurisë së paluajtshme dhe qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme. “Treguesit bazë të vlerës së pasurisë së paluajtshme do të përcaktohen dhe do të miratohen të veçanta për tokën, ndërtesat dhe strukturat inxhinierike. Vlera e pasurisë së paluajtshme do të llogaritet si një shumë e vlerave të një njësie, objekti ndërtimor/struktura inxhinierike, dhe tokës mbi të cilën ngrihet kjo e fundit, të cilat do të formojnë një pasuri të veçantë të paluajtshme. Këshilli i Ministrave përcakton institucionin përgjegjës për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe për administrimin e saj”,- thuhet në projektligjin e ri.

 

Afati për shqyrtimin e dosjeve

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) do të shqyrtojë dhe do të ketë të drejtën e marrjes së vendimeve për dosjet e ish-pronarëve, deri në datën 30 prill 2013, pasi dje, qeveria miratoi shtyrjen afatit të mëparshëm të skaduar në 31 dhjetor 2011.

Ngrihet Drejtoria e Koordinimit

Në projektligjin e ri përcaktohet edhe ngritja e institucioneve të tjera monitoruese. Në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë ngrihet dhe funksionon Drejtoria e Koordinimit të Procesit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, më poshtë e quajtur Drejtoria e Koordinimit. Kjo drejtori ushtron këto përgjegjësi kryesore:

– Jep mendim të specializuar për çdo akt që rregullon çështje që lidhen me të drejtat e pronësisë.

– Përgatit, ndjek dhe realizon politikat dhe veprimtaritë që lidhen me hartimin e studimeve në fushën e legjislacionit për të drejtat e pronësisë.

– Kryen dhe përfundon analizat tekniko – ligjore të vlerësimit e të efektivitetit të legjislacionit për harmonizimin tekniko – ligjor të brendshëm të legjislacionit për të drejtat e pronësisë.

– Bashkërendon punën e të gjitha institucioneve të përfshira në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, veçanërisht, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Drejtorinë e Administrimit të Shitjes së Pronës Publike, Komisionin Qeveritar të Tokës si dhe Avokaturën e Shtetit.

– Qarkullon informacionin dhe dokumentacionin e prodhuar nga institucionet e përmendura në ligj, në funksion të përditësimit të arkivave të këtyre institucioneve;

– Mbikëqyr dhe monitoron procesin e kompensimit të pronave dhe implementimin e masave strategjike për çështjet e pronave;

– Realizon çdo detyrë tjetër të përcaktuar me akte, ligjore dhe nënligjore, në fuqi.

Gjithashtu, në një pikë tjetër të këtij projektligji përcaktohet se procedura e bashkëpunimit të Drejtorisë së Koordinimit me të gjitha institucionet e parashikuara në këtë nen, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Mënyra e realizimit të detyrave nga Drejtoria e Koordinimit përcaktohet në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Drejtësisë”. Në përfundim, projektligji i ri përcakton se “Të gjitha aktet, që rregullojnë të njëjtën fushë veprimtarie me atë të parashikuar në nenin 1, të këtij ligji, shfuqizohen. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të nenit 1, të po këtij ligji. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Comments are closed.