Ish të përndjekurit, kush ka probleme me dokumentacionet

Ekskluzive/ Flet Lekë Hajdari, përgjegjës i Sektorit të Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë

Si përfitohet dëmshpërblimi financiar për ish të dënuarit politikë. Dokumentet që duhet të dorëzohen nga emrat e listuar, pranë Drejtorisë së Pagesave për ish të përndjekurit politikë. Kriteret që duhet të plotësohen nga të interesuarit

Ndonëse vazhdon procedura e dorëzimit të dosjeve për të përfituar dëmshpërblim, për të gjithë ata persona që kanë kryer vite burgu ose të pushkatuarit pa gjyq, që kërkojnë të përfitojnë për shkak të viteve të burgut, disa prej dokumentacioneve të tyre nuk rezultojnë të rregullta. Lidhur me këtë problem, gazeta “Republika” po bën publike disa prej dosjeve me mangësi që i përkasin qarkut Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Korçës. Në radhën e këtyre dosjeve rezultojnë të jenë emrat e të gjithë atyre personave që nuk kanë sjellë dokumentacionet në rregull. Në këtë dosje mungojnë dokumente si; akti i trashëgimisë apo certifikatat e vdekjes së ish të dënuarve. Nëse këto dosje nuk rikuperohen në kohë, askujt prej personave të listuar më poshtë nuk i lind e drejta për të marrë dëmshpërblim financiar. “Ne bëjmë publike dosjet, për të cilat nuk mund të ekzekutohet vendimi i Këshillit të Ministrave, pasi janë të paplotësuara me dokumentacionet e nevojshme”. Kështu shprehet Lekë Hajdari, kreu i drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë. Më tej, zoti Hajdari bën me dije se të gjithë ata ish të dënuar që kanë përfituar këstin e parë dhe renditen tek ata përfitues mbi moshën 65 vjeç, për të përfituar këstin e dytë, duhet të bëjnë verifikim e dokumentacioneve, pasi ato nuk janë të plota. “Kontrollimi i dokumentacioneve duhet bërë për faktin se gjatë vitit 2009 është bërë pagesa e dëmshpërblimit me ligjin 9831, datë 12.11.2007, i pandryshuar. Më vonë, është ndryshuar ky ligj me ligjin 10111, datë 07.02.2008, i cili ka shtuar disa dokumente, për të cilat në fazën e parë të pagesës nuk janë depozituar. Në këto kushte, i njoftoj të gjithë ish të dënuarit që aktualisht jetojnë dhe trashëgimtarët e atyre nuk jetojnë më, që kanë marrë pagesën gjatë vitit 2009, duhet të kontaktojnë për plotësimin e dokumentacioneve”,-shton më tej Lekë Hajdari.

Rastet e dosjeve me mangësi

Dosjet me mangësi janë dosje, në të cilat postohet dokumentacioni, dosje me dokumente të fotokopjuara të panoterizuara, ose ato me certifikata të fotokopjuara, të cilat nuk kanë vlerë pa u noterizuar, ose me numra llogarie, të cilat janë të hapur në monedhë të huaj – dhe kjo është e papranueshme për ne. Por dosjet me mangësi mund të jenë edhe ato ku mungojnë mjetet e identifikimit të personave që do të tërheqin paratë. “U bëjmë thirrje të gjithë personave që kanë depozituar dokumentacionet për të përfituar dëmshpërblim financiar, për shkak të viteve të burgut gjatë regjimit komunist, se çdo dosje që dorëzohet, duhet të bëhet sipas nenit 14, nr. ligjit 19831”,- tha më tej Lek Hajdari. Nëse një i interesuar ka depozituar dosjen pranë zyrave të Drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë ose me anë të postës, brenda saj duhet të ketë, bashkangjitur me dokumentacionet, numrin e vendimit të Këshillit të Ministrave, ku është i listuar personi për pagesë, numri i dosjeve individuale dhe një numër telefoni i njërit prej personave të interesuar. “Ju këshillojmë që, në çdo rast, të depozitohet një numër kontakti, (nr. telefoni), nëpërmjet të cilit ne do t’ju komunikojmë për procedurat në vazhdim”,- vijon më tej z. Hajdari.

Dorëzimi i dokumentacioneve

Dokumentacionet mund të dorëzohen nga familjarët, pranë Drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë, çdo të martë të enjte.

“Ndërkohë, dua të theksoj se të gjithë ata që kanë marrë këstin në vitin 2009 – qoftë ata që jetojnë apo ata që kanë vdekur, për të cilët interesohen trashëgimtarët e shkallës së parë, duhet të interesohen për të kontrolluar dokumentacionin e tyre gjendje”

Comments are closed.