Itali, Napolitano rizgjidhet president

Giorgio Napolitano është rizgjedhur në krye të shtetit të Italisë. Sipas agjencive italiane të lajmeve, zoti Napolitano ka kaluar kuorumin e 504 votave, që është pritur me ovacione në sallën e Parlamentit. Kundër Napolitanos kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes 5 Yjet, lideri i të cilëve, blogeri Beppe Grillo e ka cilësuar votimin si grusht shteti. Napolitano, 87 vjeç, është i pari president i Italisë që zgjidhet për të dytën herë rresht. Emri i tij u lakua në raundin e gjashtë të votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit, me mbështetjen e partive PD, PDL, Zgjedhja Civile dhe Lega Nord. Kreu i shtetit kishte thënë disa herë se nuk dëshironte të përballej me një mandat tjetër, por rrjedha e ngjarjeve të ditëve të fundit, konkretisht dështimi i dy opsioneve që çuan PD-në të propozonte Franco Marini-n dhe Romano Prodi-n, shtynë Napolitanon të ndërronte mendje. Kështu, pas një serie bisedimesh të zhvilluara gjatë ditës me liderë të ndryshëm politikë, ai tha: “Jam i gatshëm, nuk mund të dorëzohem. Por tani duhet të marrim së bashku përsipër të gjitha përgjegjësitë”.