Bajram Curri, “Hero i Popullit”

Gjatë jetës sime, në kohën e studimeve, por dhe në punë, kam mësuar shumë gjëra rreth jetës e veprimtarisë së gjithanshme të Heroit të Popullit, Bajram Curri. Për këtë gjë, ka ndikuar edhe fakti se ai e kishte origjinën e largët të familjes nga fshati i prejardhjes sime, Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit dhe të larguar për në rrethinat e Gjakovës së Kosovës. Po kështu, rasti e kishte sjellë që edhe babai im e kishte njohur nga afër dhe e kishte strehuar e shoqëruar, kur ai zhvillonte veprimtari të dendur luftarake në shërbim të atdheut, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Më pas, njoha bashkëshorten e tij, nënë Dervishen ose “Ajkunën”, siç e pati quajtur atë B. Curri, si dhe dy të bijat, nënë Feriden (në Tiranë) dhe nënë Hajrinë (në Shkodër), me vajzat, Valdete e Mimoza dhe familjet e tyre. Për arsyet e mësipërme, jo në një rast, kam publikuar shkrime në gazeta e revista, duke u ndalur në dëshmi e fakte nga jeta e tij aq e përkushtuar për Shqipërinë e Kosovën, për trojet tona amtare, kudo që ato shtrihen.

Tashmë, siç dihet mirë, Bajram Curri është personalitet e atdhetar i shquar, shumë i njohur në Shqipëri e jashtë saj, sidomos në trojet tona amtare, jashtë kufijve të sotëm shtetërorë. Emrin e tij të nderuar e kanë mjaft shkolla e institucione të rëndësishme, rrugë e bulevarde. Por, më e veçanta, është se emrin e tij e mban me krenari të ligjshme qyteti i bukur alpin, në krahinën e Malësisë së Gjakovës, i cili është ngritur në zemër të Alpeve të Shqipërisë, në ish-fshatin e dikurshëm Kolgecaj.

Monumenti, në qytetin “Bajram Curri”

Duke biseduar me bashkëkohës të Bajram Currit e me familjarë të tij, duke shfletuar dokumente arkivore ose libra të ndryshëm etj., nuk është e vështirë të bindesh se ai ia kushtoi tërë jetën lirisë e Pavarësisë së Shqipërisë e Kosovës. Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet ‘20-të të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi ai për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Se e dinte mirë që Shqipërisë i duheshin djem e vajza, të ditur dhe trima. Duke e vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë të jetës, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi. Siç e fiksuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Nuk është rasti këtu të përmendim të gjitha betejat, të cilat i udhëhoqi ai me guxim e trimëri të rrallë. I papajtueshëm me çdo të huaj, pushtues të trojeve tona, por dhe me tradhtarë të shitur tek të huajt, u gjend në qytete e fshatra të Shqipërisë e Kosovës, por dhe në male e bjeshkë të larta. Armët i mbante ngjeshur e sytë pishë dhe përballoi vështirësi e bëri sakrifica të panumërta dhe të njëpasnjëshme, deri me rrezik jete.

Qysh në rini, Bajram Curri doli në ballë të qëndresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë me mënyra të ndryshme dhe duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjëherë mendjen, pra qëndroi i vendosur në udhën e luftën e tij të drejtë.

Kryengritjet e përgjithshme antiosmane të viteve 1910, 1911 e 1912 ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Malësi e Madhe etj. Një qëndresë të pashoqe u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjeneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve), armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Me guxim i udhëhoqi ai edhe luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare, kundër pushtuesve serbo-malazezë.

Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqve. Janë mjaft domethënëse fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: “Është një detyrë e shenjtë për të luftuar kundër çdo armiku dhe mos me pas aspak pushkë. Lufta na u ka bërë detyrë. Pra, duhet t’u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmë prej robërisë”. Synim të jetës së vet kishte dhe edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta të shqiptarizmit.

Curri, ndërmjet kryengritësve të Malësisë së Madhe

Të gjitha këto ishin pjesë e idealit të lartë të B. Currit, se Shqipëria mund të përparonte, vetëm atëherë, kur ajo të ishte e lirë dhe e pavarur. Prandaj u priu “uraganeve” të luftëtarëve malësorë, gjatë kryengritjeve masive e të fuqishme antiosmane. Betejat e zhvilluara me fitore, por dhe gjaku i derdhur lumë, krijuan ato parakushte të përshtatshme, të cilat bënë të mundur që atdhetarët e intelektualët tanë t’i merrnin në duar të sigurt fatet e Shqipërisë.

Tashmë, në atë fund nëntori 1912, kërkoheshin jo më flakët e grykëve të armëve, por zërat e fuqishëm të delegatëve të zgjedhur nga populli shqiptar, të cilët do të mblidheshin në Kuvendin Historik të Vlorës. Aty, ata do ta shpalosnin dhe do ta ngrinin lart flamurin kuqezi dhe do ta shpallnin para tërë botës e përgjithnjë, pavarësinë e dëshiruar, në 500 vjet robëri otomane. Rrethanat historike që u krijuan ato ditë të stuhishme nëntori, ishin të vështira edhe për shkak të rreziqeve, që na kanoseshin nga shovinistët fqinj, sidomos në Veri. Prandaj përsëri duheshin mbajtur armët ngrehur e sytë pishë, që liria e Pavarësia, e cila po lindte në Vlorë me zërat e bashkuar të atdhetarëve shqiptarë, të mos kërcënohej e rrezikohej.

Ato ditë fund-nëntori 1912, me gjithë dëshirën e madhe që pati, Bajram Curri nuk arriti dot që të shkonte në Kuvendin e Vlorës. Atij i mbeti gjithnjë peng në zemër, që nuk ishte përkrah delegatëve të zgjedhur të popullit, me Ismail Qemalin në krye dhe me mbështetjen e kryetrimit Isa Boletini, në ballë të 300 luftëtarëve. Gjatë atij udhëtimi, ai mundi të arrinte vetëm deri në Mat dhe lumenjtë e rrëmbyeshëm ia ndërprenë hovin, pra u kthye në Mirditë. Si shkak i përparimit të forcave pushtuese serbe, më pas u detyrua të shkonte në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe atje të mbronte tokat amtare nga synimet e tyre grabitqare.

Shpalljen e Pavarësisë dhe qeverinë e Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali, B. Curri e bëri të njohur dhe i mbështeti në mbarë Kosovën, duke vrapuar edhe për në Plavë e Guci, ku forcat malazeze e kërcënonin pavarësinë e Shqipërisë. Janë të shumtë faktet e dokumentet, që e dëshmojnë këtë gjë. Kështu, p.sh., për këtë gjë flet edhe një letër, që Isa Boletini i dërgonte Ismail Qemalit, në Vlorë. Ndër të tjerat, aty thuhej se: “Bajram Begu (Curri) mblodhi njerëzit e Krasniqes, Gashit, Bytyçit e Hasit. Ata të gjithë i thanë: Mbasi ju qenkeni të lidhur me Ismail Qemalin, edhe ne, pra deri te foshnja në djep, jemi të lidhur gjithsesi me të” (Nga libri “Bajram Curri”, trajtesa e dokumente, Tiranë, 1982, faqe 138).

Në vitet vazhduese, Bajram Curri mbeti kurdoherë i palëkundur në idealet e tij demokratike, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Fuqimisht, e mbështeti edhe qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi ministër Pa portofol dhe Komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, disa përfaqësues të popullit i shkruanin atij, ato ditë: “E gjendja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar si ti, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë”. Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar, duke udhëhequr afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë në Tiranë.

Por edhe pas dështimit të këtij Revolucioni, B. Curri nuk e ndali qëndresën e vendosur, atje në bjeshkët e veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Kudo gjeti strehë të sigurt dhe përkrahje të gjithanshme, nga malësorët trima e liridashës. Armiqtë e gjurmonin ta kapnin të gjallë “Plakun e Maleve”, “Dragoin e Dragobisë”, Bajram Currin, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Ndërsa, më 29 mars 1925 u shkrua “Epopeja e Dragobisë”. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: “Thon’ u shtri e thonë u vra,/ po ti s’vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb’ i Dragobisë,/ as te zemër’ e djalërisë”. I shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të “tribunit të vegjëlisë”, B. Curri.

Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi atë me vargje krenarie: “Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s’ harrohet kurrë!/ Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s’të harron përjetë Kosova”. Shumë epitete dhe fjalë nderimi e vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: “Fatosi i lirisë së Shqipërisë”, “Dragoi i Dragobisë”, “Babai i vegjëlisë”, “Shqiponja e maleve shqiptare” etj. Emri i tij është dhe do të mbetet simbol i luftërave dhe përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë, për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe të gjitha trojeve tona amtare, për bashkimin tonë kombëtar.

… E thënë më qartë për lexuesit, Bajram Curri nuk mori pjesë fizikisht në Kuvendin e Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Por, me tërë jetën dhe luftën e tij heroike, ai ishte aty i pranishëm dhe e “firmosi” me mendje e dorë të sigurt dhe me grykët e pushkëve, atë Akt të pashembullt historik. Se ky realizoi të gjitha dëshirat e ëndrrat, vulosi ato shpresa e aspirata, për të cilat kishte luftuar dhe vazhdoi të luftonte, deri në fundin e jetës së tij, edhe Bajram Curri, ashtu si mjaft luftëtarë e atdhetarë të tjerë, të pushkës e të penës. Prandaj, në këtë jubile të lavdishëm të 100-vjetorit të Pavarësisë, ne përulemi me nderim e respekt të thellë para veprës së lavdishme atdhetare të “Heroit të Popullit” Bajram Curri.

Nëntor 14, 2012 /Nga Prof. Murat Gecaj