Ja si ishte fshehur 180 milion euro kokainë në kontenierin me banane

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga kamioni ku ishte fshehur sasia rekord e kokainës në Portin e Durrësit, me vlerë tregu rreth 180 milion euro.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.

Kokaina e sekuestruar në portin e Durrësit mbrëmjen e kësaj të mërkure, ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kamionit të ngarkuar me banane.

Në kuadër të operacionit të koduar “Last Snow” (Dëbora e fundit), u zbulua lënda narkotike e fshehur mes bananeve të porositura nga kompania “Arbri Garden”.

Policia arrestoi si të dyshuar dy djem 25-vjeçarë Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërsa pronari i kompanisë, A. Ç., është shpallur në kërkim.

Sasia e drogës 613 kg kokainë dyshohet e lidhur me një rrjet trafiku që nis nga Kolumbia dhe përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian.

Kokaina e sekuestruar ishte e ndarë në 528 pako të mbështjella me natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Comments are closed.