Jahjaga: E drejta e gruas për t’u përfaqësuar në shoqëri, thelbi i zhvillimit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u shpreh se një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. Ajo vlerësoi se e drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë. Jahjaga këto komente i bëri në konferencën “Java e gruas”, të organizuar nga NDI.Ajo u shpreh se në samitin e Grave lidere në botë të mbajtur në New York, ka insistuar se asnjë shoqëri nuk është e sigurt nëse pjesëtarët e saj, në veçanti gratë, nuk janë të sigurta. Sipas saj, siguria për gruan nënkupton siguri për fëmijën, siguri për familjen dhe siguri për tërë shoqërinë. “Atë që ne e kemi mësuar gjatë gjithë kësaj kohe në takimet me gratë në botë është se: një vend mund të përparojë nëse gruaja është e përparuar. Një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. E drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht në shoqëri është thelbësore për zhvillimin e kësaj shoqërie dhe të gjithë ne edhe burrat edhe ne gratë kemi përgjegjësitë tona për ndërtimin e vizionit për familjen dhe për vendin tonë”, theksoi Jahjaga. Gjithashtu në fjalën e saj, presidentja e Kosovës, vlerëson se gratë mund të jenë të jenë udhëheqëse dhe shembull i suksesit për të mirën e gjithëmbarshme shoqërore.  “Për të përmirësuar gjendjen dhe ngushtuar hapësirën për diskriminimin e gruas duhet patjetër t’i japim një shtytje më të madhe emancipimit dhe arsimimit të gruas në Kosovë, si e drejtë e pamohueshme njerëzore”, u shpreh ajo.

Comments are closed.