Jahjaga: Shqipëria, zëri i Kosovës dhe mbështetja e saj

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, z.Aldo Bumçi. Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin që ka Republika e Kosovës me Republikën e Shqipërisë në sfera të ndryshme, duke thënë se këto marrëdhënie janë shembull për gjithë rajonin. Presidentja theksoi se Shqipëria ka qenë zëri i Kosovës në të gjitha vendet dhe institucionet ku Kosova nuk ka pasur qasje. Ajo nënvizoi se Shqipëria e ka mbështetur në vazhdimësi Kosovën në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, rritjen e njohjeve dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme rajonale dhe ato ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga vlerësoi se marrëveshja e arritur me Serbinë mbyll kapitullin e së kaluarës, ndërkohë që hap kapitullin e ri të së ardhmes euroatlantike të Kosovës. Ajo tha se kjo marrëveshje kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon, por tani duhet të përqendrohemi në implementim e saj në praktikë, pasi që kjo do të ketë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi e përgëzoi Presidenten Jahjaga për marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, të nënshkruar në Bruksel nga kryeministrat e të dyja vendeve. Ai theksoi se kjo marrëveshje është historike dhe hap perspektivën evropiane të Kosovës por edhe të Serbisë. Ministri Bumçi vlerësoi se arritja e kësaj marrëveshjeje është shumë e rëndësishme për gjithë rajonin.