Janar-Mars, AMF: Rritet me 12 % tregu i sigurimeve

Gjatë tre muajve të parë të vitit, tregu i sigurimeve ka regjistruar ritme të kënaqshme të rritjes. Kështu, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vlera totale primeve arriti në pak më shumë se 2 miliardë lekë, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, tregu vijoi të mbetet i orientuar kryesisht tek segmenti i jo-jetës, që sollën rreth 88% të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Ky segment regjistroi një rritje në tre muajt e parë të vitit me 2%, ndërkohë që edhe tregu i sigurimit të jetës ka një rritje prej mbi 5%. Shtysa kryesore për rritjen e tregut në këtë periudhë ka ardhur nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik dhe kryesisht falë rritjes së çmimit të tyre në fund të vitit. Ndërkohë, numri i dëmeve të paguara në aktivitetin e jetës ka vijuar në rënie, ku kompanitë në treg kanë paguar vetëm 77 dëme. Pagesat e dëmeve gjatë periudhës Janar-Mars 2013 u ulën me rreth 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 500 milionë lekë, apo 84% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Gjatë këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë ndryshuar disa herë tarifat e këtij produkti. Ndonëse zyrtarisht ato shiten me çmimet e miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në realitet ato tregtohen me vlera shumë më të ulëta duke arritur deri në 5.500 lekë. Vetëm pak ditë më parë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerësoi se liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik ishte i nxituar. Ndërkaq, Autoriteti po përpiqet të vendosë rregull në treg në bashkëpunim me kompanitë. Së fundi ka përfunduar edhe një projekt dyvjeçar i hartuar me Bankën Botërore, që është në fazën e konsultimit me grupet e interesit. Sipas këtij projekti, përllogaritja e primeve do të kryhet mbështetur mbi profilin e rrezikut të secilit drejtuesi mjeti.