Juventus, dy fitore larg titullit

Kampioni i Italisë, Juventusi, e ka mposhtur Milanin në Torino me rezultat 1-0, duke u hakmarrë kështu për humbjen me të njëjtin rezultat të pësuar në San Siro në dhjetor. Ndeshja e cila u mendua të jetë një spektakël i vërtetë, në fakt ishte një vazhdim i ndeshjeve tradicionale të këtyre dy skuadrave – pak gola, pak aksione të mirëfillta, por mbrojtje shumë të forta me mesfusha të baraspeshuara. Dominimi i lehtë i takoi Juventusit, që edhe e meritoi fitoren në këtë takim para tifozëve të vet. Në minutën e 57-të pas një depërtimi të Kwadwo Asamoas ishte Marco Amelia ai që ndërhyri në mënyrë të palejuar në anësorin Bianconerë. Kjo ndërhyrje u sanksionua nga gjyqtari i takimit, i cili akordoi penalti.