Kabllot elektrike, qytetarët në rrezik për jetën

Vëzhgim/ Kryeqyteti i ngjan një rrjete merimange

Grumbuj kabllosh elektrike nëpër pallate dhe rrugë. Qytetarët, të alarmuar nga fenomeni i rrezikshëm i shtyllave të energjisë elektrike. Asnjë masë për çlirimin e shtyllave të mbingarkuara nga telat

Situata nëpër lagjet e kryeqytetit, për sa u takon grumbujve të kabllove elektrike mbetet problematike. Pothuajse në të gjitha lagjet kryesore, por edhe ato në brendësi të qytetit, mund të vëresh shtyllat elektrike, të cilat janë të mbingarkuara nga linjat dhe pamja që të ofrojnë është tej mase e shëmtuar. Ndonëse ana estetike nuk është aq e rëndësishme, kur bëhet fjalë për jetën e qytetarëve, banorëve që jetojnë në pallate apo edhe kalimtarëve të rastësishëm, të cilët rrezikohen çdo ditë. Duke marrë shkas dhe nga ngjarja e rëndë që ndodhi vetëm para pak ditësh, ku si pasojë e një shkëndije elektrike humbi jetën një 14-vjeçar i pafajshëm, gazeta “Republika” ka bërë një vëzhgim në disa lagje të Tiranës, për të evidentuar më nga afër këtë problem. Nga vëzhgimet e kryera, pothuajse në të gjitha lagjet evidentohet ky problem dhe prezenca e linjave të mbingarkuara është në të gjitha pallatet e banimit apo edhe në shtyllat anës rrugëve. “Kam frikë të hap rrobat, pasi anësh ballkonit tim ka vetëm tela dhe kabllo elektrike. Çdo ditë ndihemi të rrezikuar, pasi mendojmë se nga momenti në moment, mund të bjerë ndonjë shkëndijë elektrikë, siç ishte rasti që ndodhi pak ditë me parë”,- kështu shprehet një banore e lagjes “Ali Visha”.

Rreziku që kanos jetën e qytetarëve

Jeta e banorëve, çdo ditë vihet në rrezik nga kabllot që varen nëpër muret e apartamenteve apo dhe shtëpive private. Kështu, një rast i freskët, ishte dhe vdekja e 14-vjeçarit Armid Leskaj, nga kontakti me rrymën elektrike në zonën e Selitës në Tiranë. Ndonëse Drejtoria e Tiranës ka nisur një procedim penal menjëherë pas ngjarjes së rëndë, duke hetuar subjektet private, djali 14-vjeçar humbi jetën tragjikisht. Burime nga Policia thanë se ka nisur një hetim për mosrespektimin e kushteve të sigurisë në punë, në lidhje me shoqërinë që kryente punime (asfaltim) në rrugën ku ndodhi ngjarja, si dhe për punonjësit e kompanisë “CEZ”. Sipas Policisë, ngjarja rezulton të ketë ndodhur, pasi një automjet i tonazhit të rëndë të shoqërisë që kryente punime, ka prekur kabllot elektrike në shtyllë, duke shkaktuar një masë dhe, për rrjedhojë, në zonën përreth ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa minuta. Grumbujt e telave që varen nëpër shtyllat elektrike, mund t’i shohësh në çdo rrugë, në çdo lagje. Ky fenomen është i pranishëm në të gjithë kryeqytetin dhe jo vetëm dhe deri më tani nuk është marrë asnjë masë për heqjen e mbingarkesave apo edhe eliminimin e shtyllave të energjisë dhe futjen e tyre në nëntokë. Pamje të tilla krijojnë kaos tek qytetarët, madje edhe tek vizitorët e huaj, të cilët çuditen nga ky fenomen. Ndërkohë që duhet thënë që problemi i kabllove elektrike vështirësohet akoma më shumë gjatë stinës së verës, nga e cila nuk na ndan dhe shumë kohë, ku kabllot lëshohen akoma më shumë. “Pothuajse e gjithë shtëpia ime është e mbuluar dhe rrethuar nga kabllot e energjisë elektrike, por edhe ato të telefoni. Kemi dëgjuar plot raste kur shkaktohen shkëndija elektrike, dhe zoti na ruajt, se njeri nuk po na ndihmon”,- kështu thotë një tjetër banore e lagjes “Todi Shkurti”. Nëse fantazia e çdokujt do të vihej në punë, gjëja e parë që do të mendonte sapo shihte këto grumbuj kabllosh do të ishte imazhi i një rrjete merimange, të cilat shfaqeshin ngado. Ndërsa nëse do i lihej hapësirë një vizitori të huaj do të mendonte se ndoshta ky dekor është pjesë e infrastrukturës së qytetit.

Fenomeni

Grumbuj telash, të cilët sa herë ngre kokën lart vijëzojnë qiellin duke treguar kaosin e linjave elektrike e, pse jo, edhe atyre të shërbimit telefonik, duke çuar në një sistemi i cili nuk ka funksionuar asnjëherë si duhet, pa harruar dëmin që i bëhet imazhit estetik të qytetit. Pothuajse të gjitha rrugët e Tiranës, lagjet në brendësi i ngjajnë një stacioni elektrik ku tela të gërshetuar me njeri-tjetrin rrezikojnë jetën e qytetarëve të cilët kalojnë aty. Ky problem pasqyron një imazh aspak të denjë për kryeqytetasit. Çdo kalimtar në këto rrugë me ose pa dëshirë është i detyruar të shohë këtë realitet që nuk ka gjetur zgjidhje, por ka ardhur duke u forcuar edhe më tej. Edhe pse janë bërë investime duke synuar përmirësimin e shërbimit shtrirja e kabllove elektrik, të telefonit apo çdo shërbimi tjetër, nuk ka pasur asnjë plan të qartë.

Përgjegjësit

Ndërkohë që për mirëmbajtjen e shtyllave të energjisë elektrike, përgjegjës është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, e cila duhet të mbikëqyrë të gjitha këto linja të mbingarkuara. Por ajo që shohim është një tjetër realitet, ai me të cilin qytetarët përballen çdo ditë me rrezikun nga kjo shumicë grumbujsh elektrikë. Ndonëse edhe pse janë bërë disa ndërhyrje për lehtësimin e linjave të mbingarkuara nga ana e OSSH-së dhe gjendja paraqitet e rëndë. “Kemi kërkuar herë pas herë me anë të kërkesave që kemi bërë si lagje heqjen e kabllove, kjo pasi jeta e fëmijëve tanë është në rrezik. Mendojmë që herë pas here ndonjë kabull mund të shkëputet e të na bëjë hi. Deri tani, s’na është marrë në konsideratë asnjë kërkesë e jona”. Kështu shprehet një banor i lagjes “Besnik Sykja”.

Ankohen qytetarët

Reagimet e qytetarëve të Tiranës në lidhje me këtë problem janë në format nga më të ndryshmet. “Kemi kërkuar herë pas herë me anë të kërkesave që kemi bërë si lagje heqjen e kabllove, pasi jeta e fëmijëve tanë është në rrezik. Mendojmë që herë pas herë ndonjë kabull mund të shkëputet e të na bëj hi. Deri tani, s’na është marrë në konsideratë asnjë kërkesë e jona”,- shprehet një banor i lagjes “Besnik Sykja”.

Edlira MEMA

Comments are closed.