Kalimi Shqipëri – Mal i Zi me kartë identiteti, hyn në fuqi marrëveshja

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se në datën 21.03.2012, ka hyrë në fuqi dhe ka filluar nga zbatimi marrëveshja për kalimin e pikave kufitare me karta identiteti me Malin e Zi. Kjo marrëveshje është nënshkruar në datën 14 dhjetor nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me homologun tij malazez, Milan Roćen. Sipas MPJ-së, marrëveshjet parashikonin lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së shtetasve ndërmjet dy vendeve, duke përdorur për këtë qëllim jo vetëm pasaportat, por edhe kartat e identitetit biometrike. “Marrëveshja është propozim i palës shqiptare, e cila, gjatë presidencës së iniciativës rajonale MARRI, në vitin 2010, lançoi idenë e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë ndërmjet vendeve anëtare, i quajtur ndryshe krijimi i një “Shengeni Ballkanik”, nxitur edhe nga përvoja pozitive e përdorimit të kartave të identitetit si mjet udhëtimi me Republikën e Kosovës. Këto marrëveshje do të lehtësojnë dhe nxisin lëvizjen e njerëzve, duke forcuar lidhjet ndërmjet popujve dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre, duke krijuar një klimë të re rajonale, në funksion të integrimit të plotë në familjen evropiane”,- theksohet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.