Kamatëvonesat, periudhat që u falen të vetëpunësuarve

Intervista/ Flet Teuta Muço, drejtoresha e re e Kontributeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Detyrimet e prapambetura të kontributeve për sigurimet shoqërore do të falen deri më 31 mars. Efektet financiare dhe numri i personave që kanë përfituar nga ligji i faljes. Kategoritë e fermerëve që duhet të sigurohen sa më shpejt për të përfituar pension

Afati i fundit i faljes së kamatëvonesave për të vetëpunësuarit do të jetë data 31 mars. Pas këtij afati, të interesuarit do të paguajnë edhe kamatat për vitet e kaluara. Kështu, të gjitha subjektet që kanë për të paguar periudhat e prapambetura të sigurimeve shoqërore, duhet t’i kryejnë ato sa më parë për të përfituar nga ligji i faljes. Kështu është shprehur në një intervistë, Teuta Muço, drejtoreshë e Kontributeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, e cila ka përcaktuar edhe efektet financiare të ligjit të faljes: “Duke bërë një analizë mbi efektet e ligjit të miratuar, rezulton se për subjektet debitore pranë organeve të sigurimeve shoqërore, aktualisht kanë përfituar 417 subjekte të vetëpunësuar, me një shumë prej rreth 13 milionë lekë dhe 673 subjekte fizikë dhe juridikë me një shumë prej 427,5 milion lekë kamatëvonesa. Efektet e përfitimit që ofron ligji janë shumë të mëdha edhe për periudhën që subjektet janë transferuar në organet tatimore, ku kanë përfituar 40 782 subjekte me një shumë prej 1.5 miliardë lekë. Pra në total rezulton të kenë përfituar nga ligji i faljes 41 872 subjekte me një shumë prej rreth 2 miliard lekë”,- thotë drejtoresha e Kontributeve.

– Cilat janë efektet e përfitimit nga ligji i faljes, duke llogaritur që ka mbetur edhe pak ditë nga falja e kamatëvonesave?

Duke bërë një analizë mbi efektet e ligjit të miratuar, rezulton se për subjektet debitore pranë organeve të sigurimeve shoqërore (deri me 31.12.2004), aktualisht kanë përfituar 417 subjekte të vetëpunësuar me një shumë prej rreth 13 milionë lekë dhe 673 subjekte fizikë dhe juridikë me një shumë prej 427.5 milionë lekë kamatëvonesa. Efektet e përfitimit që ofron ligji janë shumë të mëdha edhe për periudhën që subjektet janë transferuar në organet tatimore, ku kanë përfituar 40 782 subjekte, me një shumë prej 1.5 miliardë lekë. Pra, në total, rezulton të kenë përfituar nga ligji i faljes 41 872 subjekte me një shumë prej rreth 2 miliardë lekësh. Më lejoni të theksoj se ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë e fizikë privatë të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave. Subjektet e mësipërme debitorë për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një procedim penal dhe procesi nuk ka përfunduar. Duhet theksuar fakti se nëpërmjet miratimit të këtij ligji iu ofrua një ndihmë e madhe subjekteve fizike dhe juridike, të cilët kanë detyrime të prapambetura të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për shlyerjen e tyre deri më 31 mars 2012, duke u krijuar mundësi për një vazhdimësi normale të bizneseve. Pra, koha e mbetur duhet shfrytëzuar sa më parë nga ata që kanë mbetur ende pa kryer veprime.

 

– Për cilat periudha do të aplikohet falja për tatimpaguesit e regjistruar si të vetëpunësuar?

Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe të vetëpunësuar në ortakëri, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar, me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 mars 2012, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti. Të gjithë tatimpaguesit të mësipërm, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 mars 2012, ku përfshihen edhe detyrimet që linden gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. Për të vetëpunësuarit e vetëm, të vetëpunësuarit në ortakëri, të vetëpunësuarit për pjesëtarët e papaguar të familjes, sipas mundësive financiare, mund të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore për këto periudha, pa paguar gjoba dhe kamatëvonesa. Në këtë mënyrë, ata mund të plotësojnë vjetërsinë e nevojshme për të përfituar nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore, një pension të plotë ose të pjesshëm.

– Ndërkohë, një tjetër grup, për të cilët aplikohet falja janë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. A mund të na thoni se për cilën periudhë do të aplikohet falja për ta?

Të vetëpunësuarve në bujqësi, me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Të vetëpunësuarve në bujqësi, me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009, deri më 31 dhjetor 2010, dhe që janë debitorë për kontributet u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 mars 2012 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011. Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 mars 2012, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.

 

– Çfarë përfitojnë të vetëpunësuarit në bujqësi me këto pagesa?

Përfitimet e të vetëpunësuarve në bujqësi nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore janë tepër të mëdha. Kështu për periudhën nga 1.10.1993 – 31.12.2011, që përbën një vjetërsi kontributive 18 vjet e 3 muaj, një fermer në zonat fushore duhet të paguajë 117 576 lekë, ndërsa në zonat malore, 76 421 lekë, pra me kuota tepër minimale. Vlen të theksoj këtu dhe faktin që nga 1.10.1993, deri në 2002, masat e pagesave të kontributeve për fermerët e zonave fushore kanë qenë 1620 lekë në vit dhe për fermerët e zonave malore 972 lek në vit. Një fermer që ka një vjetërsi pune, si i vetëpunësuar në bujqësi, që konsiderohet vjetërsi pune në qytet, mbështetur në nenin 92 te ligjit 7703, datë 11.5.1993, pra një vjetërsi prej 17 vjet e 6 muaj të 35 viteve gjithsej, përfiton pension të plotë qyteti. Po kështu një favor i bëhet edhe grave që marrin leje lindje, të cilat përfitojnë nga shpërblimi i lejes së lindjes aq sa mund te paguaje per kontributet e sigurimeve shoqërore per 18 vjet e 3 muaj.

 

– Cilat janë kategoritë e fermerëve që është e domosdoshme të sigurohen menjëherë?

Skema e sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi është një skemë e detyrueshme, pra të gjithë fermerët që plotësojnë kushtet si të vetëpunësuar në bujqësi, duhet të sigurohen. Kështu, ata sigurojnë një mbrojtje sociale jo vetëm gjatë jetës së tyre por edhe në moshë të tretë. Ndër kategoritë e fermerëve që e kanë të domosdoshëm pjesëmarrjen në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi janë:

– Fermerët që nuk janë përfshirë në skemë, çka do të thotë që këta përbëjnë një grup personash që nuk përfitojnë nga ligji i sigurimeve shoqërore. Është në interesin e tyre të sigurohen me pagesa tepër minimale për të përfituar pension të plote ose të pjesshëm.

– Fermerët, të cilët janë afër plotësimit të moshës së pensionit (60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat), por nuk kanë vjetërsinë prej 35 vitesh për të përfituar pension të plotë.

– Fermerët, të cilët janë afër plotësimit të moshës së pensionit (60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat), por nuk kanë vjetërsinë prej 15 vitesh për të përfituar pension të pjesshëm.

Mbështetur në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, pagesat e kontributeve nuk mund të bëhet pas plotësimit të moshës për pension. Vlen të theksoj këtu që fermerët të shfrytëzojnë favoret që ofron ky ligj, pasi falja e kamatëvonesa funksionon vetëm nëse paguhen kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, deri më 31 mars 2012. Nëse pagesat nuk bëhen brenda kësaj date, fermerët do të paguajnë detyrimin kontributiv të vitit 2009 dhe 2010, së bashku me kamatëvonesat e llogaritura (kamata është 2 për qind për muajin e parë dhe 1 për qind për muajt e tjerë).

 

Kategoritë e fermerëve që duhen siguruar

 

Ndër kategoritë e fermerëve që e kanë të domosdoshëm pjesëmarrjen në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi janë:

– Fermerët që nuk janë përfshirë në skemë, çka do të thotë që këta përbejnë një grup personash që nuk përfitojnë nga ligji i sigurimeve shoqërore. Është në interesin e tyre të sigurohen me pagesa tepër minimale për të përfituar pension të plote ose të pjesshëm.

– Fermerët, të cilët janë afër plotësimit të moshës së pensionit (60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat) por nuk kanë vjetërsinë prej 35 vitesh për të përfituar pension të plotë.

– Fermerët, të cilët janë afër plotësimit të moshës së pensionit (60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat), por nuk kanë vjetërsinë prej 15 vitesh për të përfituar pension të pjesshëm.

 

 

 

 

 

Comments are closed.