Kapet një person në kërkim ndërkombëtar për vrasje

 

Si rezultat i një pune intensive mbi identifikimin e vendndodhjes, kapjen, arrestimin dhe ndalimin e personave të cilët kanë kryer vepra penale të ndryshme, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, nga ana e shërbimeve të Drejtorisë dhe Komisariateve të Policisë së Elbasanit dhe Librazhdit, janë arrestuar dhe ndaluar 6 persona të cilët akuzohen për vepra penale të ndryshme. Kështu, nga ana e sektorit i krimeve të rënda në bashkëpunim me forcat speciale Renea, gjatë orëve të paradites të së martës u bë i mundur kapja e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gazmor Haxhillari, 35 vjeç, banues në Cërrik në lagjen Nr. 3, është autori i një vrasje dhe i akuzuari nga Interpol Roma. Sipas burimeve policore bëhet me dije se kapja e tij u bë pasi, ky shtetas ne muajin dhjetor të vitit 2012, gjatë një grabitjeje ne një kishë në Itali, ka vrarë priftin e kësaj kishe. Për këtë fakt, gjykata italiane e ka dënuar këtë shtetas me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 575 i Kodi t Penal Italian. Gjithashtu,  nga sektori i krimit ekonomik financiar, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Skënder Beqiraj, 52 vjeç, banues në lagjen “Sul Paprri” në Elbasan. Burimet policore bëjnë me dije se arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas më datë 18 Janar 2013,  ka aplikuar për pasaportë biometrike me fotografinë dhe me të dhënat e vëllait të tij. Nga ana e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit ndalohet shtetasi në kërkim, Florian Lamçja, 22 vjeç, banues në lagjen “Skënderbej” të Elbasanit. Bëhet me dije se kapja e tij u bë pasi, ky shtetas  dyshohet se më datë 18 prill 2013, në lagjen “Brigada 17” në Elbasan, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë tip pistoletë shtetasin A. H, 26 vjeç, banues në Elbasan. Ndërkohë që i dëmtuari u dërgua në spitalin e Elbasanit ku mori ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Po gjithashtu nga ana e policisë së Elbasanit bëri kapjen shtetasit Eduart Ferhati, 30 vjeç, banues në fshatin Pekisht të komunës Shezë të Peqinit. Ndalimi i tij u bë pasi, ky shtetas para dy ditësh ka tentuar të vjedhë me dhune banesën e shtetasit B. F. Autori i kësaj ngjarje, pasi është diktuar nga pronari i banesës, e ka goditur atë me sende të forta në pjesë të trupit. Po kështu, nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Luan Buzdra, 37 vjeç, banues në lagjen “E. Matraxhiu” në Elbasan. Nga ana e policisë bëhet sqarimi se arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas prej disa muajsh ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij K. B, 25 vjeç. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Librazhdit, ndalohet shtetasi Ardian Albrahimi, 39 vjeç, banues në fshatin Lunik të Librazhdit. Bëhet me dije se gjykata e Elbasanit,  në bazë të vendimit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për këtë shtetas,  për veprën penale “Vjedhje”. Për të gjitha këto ngjarje, materialet iu kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Falsifikim i vulave stampave ose formularëve, vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë, dhunë në familje, vjedhje, parashikuar këto nga nenet, , 190, 76, 22, 278/2, 139,  22 , 130/a, 134 të Kodit Penal.