Studim / Ali Hoxha*

Karakteri atdhetar i luftërave të Skënderbeut, themelues i shtetit të parë kombëtar shqiptar

Në kuadrin e kremtimeve për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, më 28 Nëntor 1912, nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë, të mbledhur në Vlorë, nën kryesinë e Ismail Qemal Bej Vlorës, për përjetësimin e të cilëve dekada më parë, mbi bazën e një skenari të Ismail Kadare, është bërë një film artistik me titullin “Nëntori i dytë”, për arsye se rilindësit tanë të mëdhenj, Pavarësinë e Shqipërisë e ideuan dhe pas shumë mundimesh dhe sakrificash e realizuan pikërisht në të njëjtin muaj dhe datë kur Skënderbeu, 570 vjet më parë, valëviti të lirë flamurin e tij kuq e zi në Kështjellën e Krujës, më 28 Nëntor 1443, do të ishte një mangësi, nëse nuk do të rikujtonim me nderim dhe “Nëntorin e parë”, dhe arkitektin e saj, heroin tonë kombëtar, birin e Çidhnës së Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Më 17 janar të këtij viti (2012), u mbushën plot 544 vjet nga dita e vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj-Kastriotit, Skënderbeut, themeluesit të shtetit të parë kombëtar shqiptar, më 2 mars 1444, në Kuvendin historik të Lezhës, i njohur edhe me emrin Besëlidhja e Lezhës.

Lidhur me datën dhe vendin e lindjes së Skënderbeut, deri më sot, nuk është zbuluar ndonjë dokument autentik që ta saktësojë atë, ashtu siç dëshmohet për vdekjen e tij në Lezhë, më 17 janar 1468. Në këtë aspekt, mendimet e historianëve janë të ndryshme, por shumica e tyre përcaktojnë vetëm vitin e lindjes, 1405.

Mbështetur në origjinën dibrane të Kastriotëve, e sanksionuar kjo edhe nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u inaugurua, më 1985, Muzeu historik i Kastriotëve në Sinë të Çidhnës, në Dibër të Poshtme.

Origjina dibrane e Kastriotëve sqarohet imtësisht dhe katërcipërisht me argumente shkencore nga historiani i mirënjohur, Prof. Dr. Kristo Frashëri, në veprën e tij “Skënderbeu – jeta dhe vepra”, botim i vitit 2002, në kapitullin III, f. 54-66 me nëntitull “Nga ishin Kastriotët”.

Në mbështetje të tezës së origjinës dibrane të Skënderbeut, përmendim këtu edhe studimin e historianit Fatmir Hadri, me titull “Historiografia shqiptare mbi personalitetin e Skënderbeut, origjinën dhe rininë e tij”, ribotuar për të tretën herë në përmbledhjen “Studime për epokën e Skënderbeut” (Akademinë e Shkencave, Tiranë 1959, vëll. II).

Për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut të vet, Shqipërisë, Skënderbeu zhvilloi dhe drejtoi 30 beteja për 25 vjet me radhë, prej të cilave fitoi 29 beteja kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, superfuqisë më të madhe të asaj kohe, ndërsa humbi vetëm një betejë, por edhe këtë, vetëm për shkak të tradhtisë nga brenda (“Tirana Observer”, datë 11 janar 2008, f. 19). Shumë autorë i janë kushtuar kësaj figure të përmasave ndërkombëtare, duke shkruar mjaft studime e botuar shumë libra, shumë filma e dokumentarë janë bërë për të, shumë piktura dhe skulptura (buste e shtatore) i janë kushtuar këtij kolosi, por ky nuk është qëllimi ynë.

Lidhur me vlerësimin e figurës së Skënderbeut, mjafton të përmendim vetëm një fragment nga kërkesa e dy senatorëve amerikanë, Dana Rohbracher dhe Tom Lantos, që paraqitën për një rezolutë në Kongresin Amerikan të SHBA-ve në shenjë nderimi dhe përkujtimi për 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut: “Sipas gjeneralmajorit James Holfe, komandanti i ushtrisë britanike në Kuebek, “Skënderbeu ua kalon të gjithë oficerëve të lashtë dhe të kohëve moderne, në drejtimin e një ushtrie të vogël ofensive” dhe… Sipas historianit britanik, Eduard Gibon, “Entuziazmi i kalorësisë dhe religjionit e kanë renditur princin shqiptar përkrah Aleksandrit të Madh dhe Pirros” (cituar sipas gazetës “Tema”, dt. 4 nëntor 2005, f. 9).

Nisur nga fakti i pozicionit gjeografik të Shqipërisë, ashtu siç përcaktohet në rezolutën e lartpërmendur, me luftën e tij për liri, “populli shqiptar, nën udhëheqjen e Skënderbeut, parandaloi rënien e Romës dhe të Italisë në sundimin e Perandorisë otomane, duke i rihapur kështu rrugën Rilindjes-Renecencës italiane”.

Por ajo që më nxiti të bëj këtë shkrim është fakti se kanë tërhequr vëmendjen disa mendime të ndryshme të shprehura kohë më parë në shtypin e përditshëm, lidhur me figurën e Skënderbeut, ku kanë bërë analiza subjektive, të cilat janë jo vetëm shumë larg së vërtetës historike, por të nisur nga qëllime të caktuara pragmatiste apo për konjuktura të caktuara politike, kanë arritur aq larg, sa të mohojnë edhe karakterin atdhetar të luftës legjendare të Skënderbeut. Ata kanë shtrembëruar të vërtetën historike, sikur Skënderbeu, gjoja, paska luftuar për të mbrojtur krishterimin perëndimor, apo Skënderbeu ka qenë atlet i Krishtit etj. Pa dashur të hyj në polemikë me askënd, po përmend shkrimin me titull “Orientimi katolik i luftës së Skënderbeut” të dr. Sami Repishtit, botuar në gazeta “Tema”, të datës 21 nëntor 2005, f. 19, ku, ndër të tjera, shkruhet: “Figura poliedrike e Skënderbeut, sundimtar, diplomat, strateg ushtarak dhe mbrojtës i krishterimit perëndimor mbetet gjithherë epiqendër e krijimtarisë kombëtare shqiptare dhe personalitet qendror që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa dallim feje, krahine dhe ideologjie politike”. Dhe, më tej, vazhdon: “I lindur në një vend si Shqipëria, kurdoherë një urë midis Lindjes dhe Perëndimit, veprimtaria e gjithanshme e Skënderbeut karakterizohet nga një marrje qëndrimi të premë në favor të njërës – Perëndimit të krishterë dhe kundër tjetrës – Lindjes Islamike, një qëndrim unik në atmosferën politike të Ballkanit në shek. XV”.

Ky mendim, jo vetëm nuk shpreh aspak të vërtetën historike, pasi është një mendim thjesht subjektiv, në kundërshtim diametralisht të kundërt me realitetin historik, por është dhe krejt i pabesueshëm për cilindo lexues që, ka sadopak, njohje dhe kulturë historike. Është i papranueshëm se shtrembëron karakterin patriotik të luftës së Skënderbeut, kur thuhet “Orientimi katolik i luftës së Skënderbeut”. Gjithkush e di se Skënderbeu nuk ka luftuar as për krishterimin perëndimor dhe as për Krishtin, pasi ai në radhë të parë ka luftuar për lirinë e atdheut të vet me luftërat e tij kundër Perandorisë Osmane, pavarësisht se lufta e tij indirekt ka kontribuar edhe në mbrojtjen e Krishterimit Perëndimor, por kjo, kurrsesi, nuk do të thotë se lufta e Skënderbeut ka karakter fetar me orientim katolik. Autori i mendimeve të lartpërmendura bie në kontradiktë me vetveten, pasi në qoftë se Skënderbeu do të kishte luftuar për katolicizmin e për krishterimin perëndimor, atëherë ai kurrë nuk do të kishte pasur mbështetjen e përkrahjen e shumicës së popullsisë shqiptare myslimane dhe ortodokse, në gjallërinë e tij (dokumentet historike vërtetojnë se islamizmi i shqiptarëve, në disa treva arriti përmasa të mëdha qysh në kohën e Skënderbeut. “Atëherë, mbi 60 për qind e banorëve të Shkupit dhe të Manastirit ishin myslimanë” (cituar sipas Kasem Biçokut, në “Tema”, datë 2 mars 2005, f. 9), po ashtu dhe pas vdekjes së tij, ithtarët e tij, myslimanë, nuk do ta ngrinin aq lart siç bënë rilindësit tanë të ndritur, Naim Frashëri, Hoxha Tahsim, etj., deri tek Haxhi Vehbi Dibra, ish-kryetar i Senatit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që e shkëputi edhe KMSH nga Halifati i Stambollit etj.

Skënderbeu, si strateg e diplomat i madh, në luftën e tij atdhetare legjendare kundër superfuqisë më të madhe të kohës, ishte e natyrshme që duhej të kërkonte edhe aleatë të jashtëm. Në një kohë kur e gjithë Lindja islame ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, ishte e natyrshme që Skënderbeu të kërkonte aleatë në Perëndim, duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, konjukturat e kohës, por kjo nuk do të thotë aspak se Skënderbeu në veprimtarinë e tij të gjithanshme paska pas një “qëndrim të premë në favor të Perëndimit të krishterë…”, pasi, siç do të theksojmë më poshtë, ai ka luftuar dhe kundër Perëndimit të krishterë. Lidhur me kërkimin e aleatëve në Perëndim nga ana e Skënderbeut, kjo nuk do të thotë aspak se Skënderbeu, luftës së tij çlirimtare e mbrojtëse të atdheut të vet, i paska dhënë karakter katolik. Për analogji mjafton të kujtojmë një moment historik të ditëve tona kur, në vitet 1990-‘91, ish-Presidenti Ramiz Alia, me emër mysliman por me bindje ateiste, edhe pse në atë kohë ishte në fuqi Kushtetuta e vitit 1976, kur shteti shqiptar ishte i sanksionuar si i vetmi shtet ateist në botë dhe me ligj ndalohej ushtrimi i fesë në Shqipëri, i imponuar nga rrethanat e kohës, u detyrua që të lidhte marrëdhënie diplomatike me shtetin e Vatikanit. Por kjo nuk do të thotë dhe nuk vërteton aspak që R. Alia të jetë kthyer as në katolik dhe as në mbrojtës të krishterimit, ndoshta as besimtar.

Në këtë aspekt, mendimi ynë përforcohet edhe nga mendimi i z. Vlash Prendi, i cili në studimin e tij “Gjergj Kastrioti dhe Selia e Shenjtë”, ndër të tjera, shkruan: “Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Vatikanin janë pasqyrë e një prej aspekteve më të rëndësishme të personalitetit të tij prej burri shteti dhe diplomati, të lindur në Dibër, më 6 maj 1405, dhe vdekur në Lezhë, më 17 janar 1468. Duke qenë se selia e shenjtë në Mesjetë ishte pushteti qendror i Europës dhe ushtronte autoritetin e saj si mbi aspektet fetare të banorëve të Europës, ashtu edhe mbi të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre, ishte mençuri nga ana e Skënderbeut që të përpiqej të fitonte vëmendjen e Vatikanit dhe ta përdorte për qëllimet e tij. Qysh në fillim, duhet theksuar se marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e interesit të ndërsjellë, si nga ana e Skënderbeut, ashtu edhe nga ana e Selisë së shenjtë, interesa këto që erdhën duke u forcuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e famës së Skënderbeut si strateg në luftën kundër osmanëve”. (Vlash Prendi: Papa Klementi XI, Gjergj Kastrioti dhe Selia e Shenjtë”, “Republika”, datë 4 nëntor 2012, fq. 14).

Po kështu, nisur nga fakti se në një letër përgëzuese që Papa Kaliksiti II (1455-1458), i kishte dërguar Skënderbeut pas fitores së tij në betejën e vitit 1457 në Ujëbardhë, kundër ushtrisë turke prej 80.000 vetash, nën komandën e gjeneralit të sprovuar turk Isak bej Evronezi. Ndër të tjera, ai përdor një shprehje të tillë figurative vlerësuese për Skënderbeun: “Nuk ka njeri në botë që të mos ngrejë në qiell veprat tuaja me lëvdatat më të larta dhe të mos flasë për fisnikërinë tuaj, si për një atlet të vërtetë në mbrojtje të krishterëve. (Cituar sipas K. Frashërit, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, Tiranë, 2002, f. 484).

Një shprehjeje të tillë figurative, një similitude si ajo e lartpërmendur, e motivueshme dhe e pranueshme për të dalë nga goja e një pape, apo qoftë edhe nga goja e një prifti të Skënderbeut, është e pakuptueshme dhe e papranueshme që t’i jepet një interpretim si ai i lartpërmenduri, duke shtrembëruar të vërtetën historike, aq më tepër kur autori i tij është një studiues laik i shekullit XXI.

Lidhur me nxjerrjen e konkluzioneve dhe interpretimin e ngjarjeve historike, mbi bazën e kronikave të ndryshme për Skënderbeun dhe luftën e tij, Prof. Kristo Frashëri, shkruan:

“Njoftimet kancelareske, kronikale, epistolare dhe memorialistike, janë subjektive… ata nuk vijnë nga një dorë e vetme, por nga fronte të ndryshme të frymëzuara nga interesa të veçanta, sidoqoftë të pavarura njëri nga tjetri, madje në shumë raste, nga fronte kundërshtare midis tyre, disa tepër miqësore dhe disa tepër armiqësore ndaj Shqipërisë, ndaj luftës së shqiptarëve dhe ndaj politikës së Skënderbeut. Kështu, për shembull, letrat e papëve, sidomos ato të Kalikstit III drejtuar Skënderbeut, janë të gjitha me notë panegjirike. Papët e ngrenë lart heroin shqiptar, e nxitin ta vazhdojë me vendosmëri luftën kundër sulltanit për mbrojtjen e krishterimit dhe nuk ngurojnë ta quajnë “athlet të Krishtit” (Athleta Christi) – atlet në kuptimin e luftëtarit të madh që mbron një çështje fisnike. Në bazë të këtyre letrave, jo pak historianë e kanë vlerësuar Skënderbeun si një kapiten që luftoi për mbrojtjen e krishterimit. Përkundrazi, Republika e Venedikut nuk e cilëson asnjëherë përleshjen shqiptaro-turke si luftë fetare…” (Kristo Frashëri “Marin Barleti panegjirik, fjalimet e heronjve të trilluara”, te “Gazeta Shqiptare” dt. 17 shkurt 2012, f. 20-21).

Në këtë këndvështrim, nisur nga fakti se lufta çlirimtare dhe mbrojtëse e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ka penguar, njëherësh, edhe kalimin e ushtrive osmane përtej Adriatikut, në Itali etj. Kurrsesi, nuk duhet të spekulohet me keqinterpretime subjektiviste të tilla, që për hir të interesave pragmatiste të çastit, të arrihet deri aty sa t’i ndryshohet edhe karakteri atdhetar i luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut duke u dhënë atyre karakter fetar, sikur gjoja ata paskan pas prioritet mbrojtjen e krishterimit.

Lidhur me sa më sipër, theksojmë se deri më sot, pas 545 vitesh nga vdekja e Skënderbeut, nuk është gjetur asnjë dokument historik që të flasë për Skënderbeun dhe ku ai të jetë shprehur me gojën e vet se ka qenë “mbrojtës i krishterimit”. E shprehur më qartë nuk gjendet asnjë pohim që Skënderbeu të ketë pranuar se ai ka luftuar për të mbrojtur krishterimin.

Në këtë aspekt, në favor të mendimit tonë na vjen në ndihmë një dokument autentik i kohës së Skënderbeut, i panjohur deri më tani nga historiografia, por i zbuluar para pak kohësh nga historiani Oliver Yens Schmitt. Ai, mbi bazën e atij dokumenti, si në veprën e vet kushtuar Skënderbeut, ashtu edhe në intervistën e tij, dhënë publicistit Fatos Lubonja para pak kohësh, ka konkluduar se “lufta e tij (e Skënderbeut – A.H) kundër Sulltanit s’ishte gjë tjetër, veçse hakmarrje personale ndaj vrasjes së të atit”. E thënë ndryshe, ai pohon se Lufta e Skënderbeut nuk ka pas karakter fetar, me të cilin jemi dakord. Ndërsa lidhur me pjesën e dytë të mendimit të tij “… për hakmarrje personale”, mendojmë krejt ndryshe nga Schmitt-i. Për të qenë i saktë dhe me qëllim që lexuesi të nxjerrë konkluzionet e veta objektive, po citojmë këtu disa fragmente nga intervista e Schmitt-it:

“Para së gjithash, nuk kemi pasur asnjë dokument mbi motivet personale të Skënderbeut, që, sikurse e kam theksuar që në fillim, nuk i japin, megjithatë, një shpjegim motivesh kryengritjes.

Në fakt, dokumenti në fjalë na jep informacion mbi politikën italiane dhe na përshkruan audiencën e ambasadorit të Skënderbeut në Romë. Skënderbeu quhet në këtë kontekst një “infide” (i pafe) (e thënë ndryshe, Skënderbeu konsiderohet mysliman – A.H.), një e dhënë kjo që u korrigjua nga i njëjti ambasador disa ditë më vonë në një raport të dytë, që e plotësoi të parin.

Për të gjykuar vlerën e burimit, duhet pasur parasysh edhe situata politike e atij momenti: Kostandinopoli kishte rënë disa muaj më parë dhe Papa Nikolla V po përpiqej dëshpërimisht të organizonte rezistencën kundër përparimit osman. Në këtë moment, një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij nuk po lufton për fenë e krishterë, por për “odio privato”. Thjesht, nuk ka arsye pse diplomatët milanezë të kenë sajuar një histori të tillë. Do të kishte qenë shumë më e lehtë që ata të kishin raportuar për një princ ballkanas që po kërkonte ndihmë në një luftë fetare kundër Perandorisë Osmane myslimane, argument ky që do t’u vinte shumë për shtat edhe ideve politike të papës dhe klimës politike në Italinë e asaj kohe. Ambasadorët e Skënderbeut duhet ta kenë kuptuar se pozicioni i tij ishte disi i pavolitshëm, sepse papa sigurisht do të ishte më i gatshëm të mbështeste një princ të krishterë që paraqiste veten si kampion të krishterimit kundër islamit, sesa një fisnik që ishte përfshirë në një konflikt personal me sulltanin dhe ambasadorët e të cilit theksonin se feja nuk luante ndonjë rol në këtë ndeshje. Nuk është për t’u habitur që Skënderbeu ndërroi shumë shpejt strategji dhe u përpoq të sigurojë ndihmë si kampion i një lufte fetare, ide kjo që u zhvillua vite më vonë nga Papa Kaliksi III. Prandaj, mendoj se një analizë e dokumentit dhe e kontekstit të tij shpie në përfundimin se ambasadorët milanezë thjesht kanë raportuar çfarë dëgjuan nga ambasadori i Skënderbeut. Ata s’kishin pse ta ndryshonin parashtrimin e tij që ishte mjaft i informuar edhe për sa i përket strategjisë detare të Mehmetit. Dhe s’është se ata kanë përçuar thashetheme, sepse kanë qenë vetë dëshmitarë të audiencës”. (Oliver Yens Schmitt: Lufta e Skënderbeut, hakmarrje personale”, “Panorama”, e hënë 08 tetor 2012, fq. 18)

Faktet që mësojmë nga dokumenti i lartpërmendur, se në raportin diplomatik të ambasadorëve italianë dërguar Selisë së Shenjtë, Skënderbeun e quajnë “infide” (të pafe) d.m.th. mysliman, sepse çdo jo të krishterë, njerëzit e besimeve të tjera, Selia e Shenjtë i konsideronte të pafe (infide), si edhe fakti se komenti që bën vet Oliver Yens Schmitt, kur pohon se “një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij (d.m.th. Skënderbeu-A.H) nuk po lufton për fenë e krishterë” është një argument autentik dhe tepër bindës që vërteton se lufta e Skënderbeut kundër Sulltanit nuk ka pas asnjë karakter fetar por thjesht patriotik. Ndërsa lidhur me interpretimin e Schmitt-it, se Skënderbeu paska luftuar kundër Sulltanit për “odio privato” për hakmarrje ndaj vrasjes së të atit” (“Odio privato” mund të përkthehet si hakmarrje” – sqaron Schmitt, po aty, fq. 19), e sqarojmë historianin gjerman Schmitt se në konceptin shqiptar mbrojtja e të drejtave dhe e hakut dhe marrja e gjakut për babanë dhe prindërit e vëllezërit etj, nuk është jashtë patriotizmit, por, bile, që këtu fillon patriotizmi. Theksojmë se fjala “atdhe” (term ky, sipas prof. E. Çabej, i krijuar nga F. Konica) në gjuhën shqipe vjen nga fjalët “dheu i atit, i babës, kurse fjala “mëmëdhe” që kanë pas përdorur rilindësit shqiptarë, vjen nga fjala: “dheu i mëmës, i nënës” (“Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka”, – ka shkruar A. Z. Çajupi). Në këtë këndvështrim, theksojmë se atdheu e atdhedashuria fillojnë, së pari, nga babai e nëna, nga shtëpia e lagjja dhe pastaj më gjerë, atdhe quhet e gjithë sipërfaqja e tokës deri në piramidën e kufirit të shtetit amtar. Prandaj, një njëri që nuk lufton për të mbrojtur të drejtat e prindërve të vet, ai kurrsesi nuk mund të mbrojë as atdheun dhe as të tjerët; së pari, njeriu duhet të jetë nacionalist në kuptimin patriot, pastaj internacionalist. Për pasojë, mendimi i Schmitt-it se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane qenka bërë vetëm për “odio privato” (hakmarrje personale), është tepër subjektiv, alla Schmitt-çe.

Historiani i mirënjohur i ditëve tona, prof. Dr. Kristo Frashëri, në veprën e vet “Skënderbeu, jeta dhe vepra” ka saktësuar se, përderisa Skënderbeu luftoi jo vetëm kundër pushtuesve osmanë, por edhe kundër venedikasve, nuk mund të thuhet që ai luftoi si mbrojtës i krishterimit: “Skënderbeu nuk zhvilloi luftëra pushtuese, nuk shtypi popuj të ndryshëm dhe nuk krijoi perandori botërore. Ai luftoi me tërë pasionin e pafund dhe me tërë gjeninë e jashtëzakonshme për të mbrojtur atdheun e vet dhe në interes të popullit të vet, mbretërinë e lirisë, për të mbrojtur këtë mbretëri jo vetëm nga armiqtë e Lindjes, por edhe nga grabitësit dinakë të Perëndimit”. (Kristo Frashëri, “Skënderbeu”, Tiranë 2002, f. 485).

Në përforcim të mendimit se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane nuk ka pas karakter fetar për të mbrojtur krishterimin perëndimor dhe se ai nuk ka qenë atlet i Krishtit, siç thonë disa të tjerë, ndihmon edhe pohimi i historianit tjetër të mirënjohur, z. Kasem Biçoku, kur shkruan: “Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera, si në vitet 1447-1448 kundër ushtrive veneciane, edhe në vite 1460-1461 kundër trupave të princit të Tarantit në Italinë e Jugut.

Në radhët e ushtrisë shqiptare, përkrah njëri-tjetrit, kanë qenë luftëtarët e besimit të krishterë, katolikë e ortodoksë, por edhe të besimit mysliman, siç ka qenë vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai … Skënderbeu dhe Hamzai kanë pasur deri në fund të jetës emra myslimanë”. (Kasem Biçoku, në “Tema”, 2 mars 2005, f. 9).

Pra, argumentet flasin qartë se Skënderbeu ka qenë vetëm “atlet” i atdheut të vet. Por këtu, natyrshëm, lind një pyetje: “Ku e mësoi ai këtë politikë dhe harmoni ndërfetare?”

Përgjigja e kësaj pyetje, për mendimin tonë, është vetëm kjo: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, vetëm pasi u bë Skënderbej, d.m.th. vetëm pasi u njoh me parimet e fesë islame, me Kuranin e shenjtë të myslimanëve dhe pasi e pranoi atë si fe të vetën, kur u njoh me ajete të tilla kuranore si ato ku theksohet ruajtja e identitetit personal e kombëtar, mbrojtja e lirive dhe e të drejtave të njeriut, jo vetëm si individ, por edhe si komb, si etni, pra të drejtat nacionale të kombeve e kombësive, në përgjithësi, dhe “nuk ka imponim në fe”, “ndalohet konvertimi në fe i tjetrit me dhunë”, atëherë atij iu zgjua ndjenja kombëtare dhe iu shtua më shumë ndjenja e mallit dhe e dashurisë për atdheun e vet, dhe në momentin e përshtatshëm, kur iu krijuan kushtet për t’u kthyer në atdhe, në kohën e luftës së Sulltanit me J. Huniadin e Hungarisë, në nëntor të vitit 1443, Skënderbeu braktisi të gjithë titujt, ofiqet e nderet që gëzonte në oborrin e Sulltanit, ku ishte një nga gjeneralët më të lavdishëm të Perandorisë osmane dhe erdhi në Shqipëri. Së pari, erdhi në Dibrën e vet, i pritur krahëhapur, prej nga ku bashkë me dibranët çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 dhe më pas, më 2 mars 1444, organizoi e drejtoi Kuvendin e Lezhës, nga ku me Besëlidhjen e Lezhës krijoi dhe sanksionoi shtetin e parë kombëtar shqiptar, duke i bashkuar të gjithë principatat shqiptare në një shtet kombëtar. Me këtë akt, Skënderbeu, vuri në praktikë (urdhrat) ajetet kuranore të tilla që udhëzojnë për çlirimin e vendit, krijimin e shtetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, si individ dhe si komb. Përndryshe, lind pyetja: “Atëherë, përse nuk e krijuan më parë shtetin shqiptar, ashtu siç bëri Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës, asnjëri prej feudalëve shqiptarë të krishterë, bashkëkohës të Skënderbeut, siç ishin Aranitët, Balshajt, Dukagjinët, Muzakajt, Topiajt, Zahariajt, etj., të cilët jo vetëm ishin shumë më të pasur e më të fortë ekonomikisht sesa Skënderbeu e Kastriotët në atë kohë, por ata ishin dhe të lirë këtu, në Shqipëri, secili në pronën e në principatën e vet?!

Përgjigjja e kësaj pyetjeje retorike, dihet. Asnjëri prej princave shqiptarë të lartpërmendur të krishterë, as nuk e kishin konceptin e kombit shqiptar, por ata ishin të përçarë e të indoktrinuar nga ideja e globalizmit të krishterë dhe viktimë e politikës së Romës së vjetër “Përça dhe sundo!” Ato nuk e njihnin fare përmbajtjen e fesë islame e të Kuranit, për të cilën, rilindësi i madh shqiptar, i krishteri, Anton Zako Çajupi, ka përcaktuar: “Ideja myslimane ishte e begatshme, intuitive, spirituale. (“Baba Tomorri”, Alis A. Z. Çajupi, “Rolet e besimeve fetare në Ballkan” (gazeta “Ballkani”, dt. 1 mars 2007, f. 17).

Përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërkojnë të interpretojnë dhe t’i ndryshojnë karakterin atdhetar të luftës së Skënderbeut është konkluzioni shkencor i prof. Dr. Kristo Frashërit, i cili, në veprën e tij, përcakton: “Lufta çlirimtare, një çerekshekullore me fitoret e saj të mahnitshme, e ndryshme prej kryengritjeve të mëparshme, është një nga veprat historike të Skënderbeut.

Vepra e dytë historike, madje më e madhja për nga vlera historike, është krijimi i shtetit me karakter kombëtar dhe jo partikularist.

Vepra e tretë historike është, pa dyshim, kthimi i Shqipërisë në një gardh që pengoi kalimin e ushtrive osmane në Gadishullin Italik, duke mbrojtur qytetërimin europiano-perëndimor”. (K. Frashëri, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, Tiranë 2002, f. 481, 482, 483).

Pikërisht për këto dhe shumë arsye të tjera, dy senatorët amerikanë, që iu drejtuan kongresit për një rezolutë në Kongres për Skënderbeun, e mbyllin kërkesën e tyre më këtë thirrje: “Të ftojmë qeverinë e SHBA-ve që, në bashkëpunim me partnerë evropianë, ta përshpejtojnë integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës së lirë në Bashkimin Evropian, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh dhe sakrificën e bërë nga Gjergj Kastrioti dhe populli shqiptar për shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman”. (citimi sipas gazetës “tema”, datë 4 nëntor 2005, f. 9).

Sa aktual dhe i dobishëm është Skënderbeu për atdheun tonë, edhe tani, 545 vite pas vdekjes së tij!

Në këtë aspekt flet mjaft qartë intervista e ish-ambasadorit amerikan të SHBA-së në Shqipëri, z. Withers botuar në gazetën “Sot”, datë 19 janar 2012, f. 2, kur flet për zhvillimet politike aktuale në Shqipëri:

“… Shqipëria ka një nga shembujt më të mëdhenj të udhëheqjes me gjithë historinë, që është Skënderbeu. Mjafton t’i hedhës një sy modelit që ai ka lënë, pasi ai ishte një udhëheqës që solli bashkimin në Besëlidhjen e Lezhës, në vitin 1444. Ai i bashkoi të gjithë palët rivale për interesa kombëtare. Udhëheqësit e sotëm nuk janë bashkues, janë përçarës. Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme, nuk ka Skënderbe dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë”.

* Kryetar i Shoqatës etnokulturore “Çidhna dhe Kastriotët”