Kemi mbetur pa opozitë …

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Të bësh opozitë është tjetër gjë. Ndërsa të shpifësh e të mbash peng integrimet është destruktive.

Zhgani i shpifësve nuk ka fuqi tjetër përveçse të hedhë baltë mbi te vërtetën!

Sipas meje, zhgani i pengmarrësve, është dhe më i zi.

Pa dashur të bëhem prokuror i opozitës, apo avokat i qeverisë, vala e shpifjeve, që ka shpërthyer të gjitha “digat e durimit”, ka përmbytur mediat mëngjarashe, saqë njerëzit që i lexojnë dhe na rrethojnë, na pyesin: “ ku e kanë hallin këta?”

Krejt e qartë! Duan pushtet me zor, pra pa votë!

Do përpiqem të hedh në këtë shkrim, fakte dhe vetëm fakte, për shpifësit dhe “pengmarrësit”, apo më saktë bllokuesit e mundësisë së integrimit të vendit.

Mbasi “detyruan” të përveshin mëngët dhe diplomatë e ambasadorë që të numërojnë votat e të hapin kuti, kanë prej vitit 2005, e më pas gjatë vitit 2009, që nuk rreshtin së shpifuri.

Sapo e hipi Nano në karrigen e kryetarit të PS-së, Edvin K. Ramën, thonë që Edvini ka deklaruar: “O bëhem Kryeministër ose hiç!…” Fatkeqësisht, u bë një hiç, ose më mirë Mister Hiçi.

I mbajti deputetët e grupit të tij parlamentar 26 muaj pa hyrë në Parlament. Rroga nuk u paguhej sipas rregullores, njerëzit të gjithë thonë: “ku pyesin për rrogën ata”, apo “ata janë milionerë”. Madje nga “të vetët”, doli me dimension barsolete, që “Edvini e ka bërë PS-në, si autobus, ku nuk i flitet shoferit”

Lindi, u rrit dhe më pas “vdiq” një lëvizje ndryshe brenda vetë partisë. Më kurajozi nga ata, “iku” ose u vetëpërjashtua nga PS-ja. Disa deputetët listash, na rezultuan që ishin fitues tenderësh, dhe ata ikën. Emrat e tyre dihen. Shqipëria ka mbetur pa opozitë.

Opozitarët më interesantë u bënë ata që vetë PD-ja i emëroi në krye të disa funksioneve, që mbasi u mbaroi mandati, ia nisën sharjeve dhe akuzave me zhargon mjeran rrugaçësh.

Themeluan dhe partiçka me emra “fryma e re’, duke harruar që u vjen era gojës (!) Mbasi përfituan privilegje maksimale, falë kolltukëve që ngrohën për 5 vite, duke konsumuar maksimalisht njëri paç e tjetri xhel, dalin sallave e rrugëve, duke pretenduar që “ata e bëjnë Shqipërinë”.

Ishin 5 vite e gjysmë njëri 1 dhe tjetri 2 i Drejtësisë Shqiptare. Ahere lind pyetja: pse nuk pastruat institucionet e pavarura që vareshin prej jush, por të gjithë shqiptarët ankohen për nivelin mjeran të drejtësisë shqiptare?

Për më tepër lëshoheshin dekrete nga godina e “Ish-ambasadës sovjetike”, apo ish-zyra e Haxhi Lleshit, në të mirë të persekutorëve. Ish-prokurorë e ish-hetues të diktaturës, propozoheshin për në zyra të nderuara të Gjykatave të Larta, dekoroheshin dhe shpërbleheshin në mënyrën më të pamerituar persekutorët. Tashti kanë “lëkurë” kaq të fortë sa bëjnë homazhe tek ish të përndjekurit që bëjnë grevën “demokratike” të urisë. Sa kishit kolltukë, si nuk u kujtuat për atë komunitet që vuajti në palcë e në shpirt burgjeve e përndjekjeve të pashembullta?

Maratona “hap kutitë” e “mbyll kutitë”, u diskretituara nga mënyra sesi votoi Topi, në zgjedhjet bashkiake. Ishte e ububushme, deklarata e tij dhe e zonjës Rama, “për ngjarjen në bulevard” kur u lemeris vendi me 21 janar. U rrahën policët dhe gardistët me hunj në sytë e popullit dhe të të gjithë Europës. Shembull i pashembullt i një grushti shteti, që u “vlerësua” prej topçinjve si ngjarje në bulevard. Harruan “dashnorët e paçes”, që jemi dhe anëtar të NATO-s. Kujtuan se me dyqind “rrethanorë kryqtarë”, rrëzohet një qeveri e ligjshme. Megjithëse, fatkeqësisht, dhe tragjikisht ikën katër jetë njerëzore. Në kodin moral të shekujve e të njëqind viteve shtet, cilësohet që “gërgasi asht ma i zi se dorasi”. Edvini mbledh turmat dhe i cakton detyrat se kush do bëjë homazh, kush do bëjë protestë dhe kush do të bëjë festë(!)

Madje dhe ambasadori i nderuar A. Arvizu, deklaroi se “ishin me axhendë tjetër”, ata që mbahen mend si rrahës, dhunues dhe dajakxhinjtë e 21 janarit.

Ku e gjejnë forcën pra këta opozitarë?

Përgjigja është e qartë dhe e thjeshtë: duan pushtet me çdo kusht dhe jashtë limiteve të mandatit qeverisës, që falë votës së shqiptarëve, u certifikuan si normale.

Sinqerisht, opozita ia ka inatin qeverisë Berisha dhe strukturave të Forcave të Armatosura e Ministrisë së Mbrojtjes që Shqipëria u pranua në NATO.

Pra, në inat të kësaj mrekullie, që sot jemi anëtar të Paktit të Atlantikut Verior dhe të vlerësuar si faktor stabiliteti në Rajon dhe më gjerë, opozita me fabrikën e shpifjeve, i është vërsulur me dokumente të vjedhura në rrugë të jashtëligjshme, duke harruar që kjo përbën krim shtetëror në drejtim të nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Egërsia e opozitës ndaj qeverisë, merr frymëzim nga uria për pushtet.

Por do vijë pranvera e vitit 2013 dhe përsëri nga istikami i opozitës do anatemohen arritjet e Shqipërisë, anëtarësimi në NATO, integrimi në Europë dhe të gjitha këto për të fituar karriget e pushtetit. Por populli do të dijë të ndaj shapin nga sheqeri. Ai të ndëshkon me votën e tij të lirë.

Agim Doçi

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin