Kërkohen për 8 orë me radhë, gjenden trupat e dy të rinjve që u mbytën të dielën në lumin Ishëm

Durrës, polumbarët gjejnë trupat e pajetë të dy 20-vjeçarëve

Nxirren trupat e 2 të rinjve të mbytur në lumin Ishëm

Polumbarët, të cilët prej mëngjesit të djeshëm, kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë të dy 20-vjeçarëve të mbytur ditën e diel në lumin Ishëm, kanë mundur të gjejnë dhe të nxjerrin prej nga ujërat e lumit dy trupat e pajetë të dy të rinjve, Ervis Saliajn dhe pak më vonë të zhdukurin tjetër Elton Sinometi. Mësohet se polumbarët kanë mundur të gjejnë rreth 1 metër larg njëri-tjetrit trupat e pajetë të dy të rinjve, pas një kërkimi intensiv prej 8 orësh. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë nisur sërish kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë të dy 20-vjeçarëve të mbytur ditën e djeshme në lumin Ishëm. Kërkimet u përqendruan në një pjesë të lumit ku ishin grumbulluar shumë bidonë plastikë. Është kërkuar edhe ndihma e zjarrfikësve dhe ekskavatorëve për largimin e bidonëve, me qëllim nxjerrjen e dy të rinjve. Në vendngjarje shkuan edhe forcat RENEA, ndërkohë mësohet se zona ku u zhvilluan kërkimet ka një sipërfaqe prej 100 metrash dhe është e thellë 4 metra.

Ngjarja

Dy të rinjtë Ervis Sali dhe Bledar Sinometi, të dy 20-vjeçarë u mbytën aksidentalisht në lumin Ishëm në fshatin Likmetaj të Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e diel, rreth orës 18:15. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët i panë të rinjtë për herë të fundit në lumë, e më pas lajmëruan policinë, e cila me të mbërritur në vendngjarje saktësoi se dy të rinjtë po mblidhnin bidonë kauçuku e kanaçe, në breg të lumit. Po sipas burimeve policore, njëri prej tyre ka rrëshqitur aksidentalisht në lumë, ndërsa shoku i tij, me ta parë, ka tentuar t’i vijë në ndihmë, por as ai nuk ka mundur të dalë prej lumit, pasi janë tërhequr nga rrjedha e ujit. Me mbledhjen dhe shitjen e bidonëve të plastikës të rinjtë siguronin jetesën.

Comments are closed.