Këshilli Kontrollues gjatë mbretërisë së Zogut 1928-1939

Duke parë që problemet e shumta të zhvillimit të Shqipërisë po hasnin vështirësi të panumërta u krijua përshtypja se një sistem demokratik europian ishte i parakohshëm për t’u zbatuar në vend. Për këtë u nxit mendimi se në Shqipëri nevoitej një qeveri e fortë e centralizuar, monarkiste. Megjithëse eksperienca europiane sidomos pas luftës së parë Botërore i konsideronte mbretëritë si të tejkaluara dhe jo të përshtatëshme Ahmet Zogu, në këtë drejtim shkoi kundër Europës. Në qershor të vitit 1928 u shpërndanë dhomat e deputetëve dhe të senatit dhe u kërkua thirrja e një Asambeleje Kushtetuese me pretekstin e rishikimit të kushtetutës. Kjo Asamble në shtator të vitit1928 e shpalli Shqipërinë, Mbretëri trashëgimtare, parlamentare dhe demokratike kurse Ahmet Zogun e shpalli Mbret me titullin Mbretëror, Zogu I, Mbret i shqiptarëve.

Duke e shpallur veten mbret të gjithë shqiptarëve Zogu linte hapur shtegun për një rishikim të kufijve të banuara nga shqiptarë, veçanërisht me Jugosllavinë e Greqinë, që padrejtësisht ishin shkëputur nga Shqipëria gjatë caktimit të kufijëve pas shpalljes së pavarësisë.

Prej vitit 1928 deri më 1939 Shqipëria u drejtua nga një monarki konstitucionale. Në hyrje të statutit themeltar të Mbretërisë shqiptare thuhej” Kombi shqiptar i lirë dhe kryelartë me plot shpresa dhe lumturi për kohën e ardhme, me dëshirë të patundëshme e plot gjallëri për forcimin e përjetshëm të Bashkimit Kombëtar dhe për sigurimin e zhvillimit paqësor të atdheut e të së mirës së përgjithëshme të popullit, duke respektuar traditat historike të kombit të cilat padyshim i sigurojnë brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme, në Asamblenë e dytë Kushtetuese, më datë 1 dhjetor 1928 vendos dhe dekreton këtë statut (statuti Themeltar i mbretërisë Hyrje). Kushtetuta e ndarë në dhjetë tituj përcaktonte qartë Shqipërinë si mbretëri të trashëgueshme pavarësinë, tërësinë e saj tokësore, flamurin shqiptar, gjuhën zyrtare, pozicionin e feve, dhe si kryeqytet, Tiranën. Caktohej ndarja e pushteteve ai legjislativ, përmbarues dhe gjyqësor si dhe funksionimi dhe marëdhëniet midis tyre. Në Kushtetutë në artkullin (nenin) 71 thuhet: “ Mbreti është kreu më i lartë i shtetit. Ai zotëron të gjitha kompetencat dhe të drejtat e fronit, të dhëna në këtë statut të cilat i ushtron me anë të ministrave sipas dispozitave të këtij statuti. Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore detare dhe ajrore të shtetit. Një nen më poshtë thuhej: Mbreti është i pacënueshëm dhe i papërgjegjshëm. Ministrat e tij janë përgjegjës (po aty fq.7). Megjithëse i jepte kompetenca të mëdha dhe e bëntë të paprekshëm mbretin, Kushtetuta e vitit 1928 në raport me detyrat dhe të drejtat e Këshillit Kontrollues bëri hapa para . Ndryshimi themelor ishte se ajo e konsideronte atë si një organ të pavarur gjë që përputhej me konceptet moderne perëndimore të organizimit të Kontrollit Shtetëror. Në Kushtetutë ka gjithsej gjashtë nene ku jepen detyrat dhe të drejtat e këtij organi të pavarur. Më 01.04.1929 aprovohet nga parlamenti ligji: “ Mbi organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kontrollues.” Në nenin e tij të fundit thuhet: ” Ky ligj hyn në fuqi qysh prej prillit 1929 dhe qysh prej kësaj date anullohet Dekret-Ligja 20 maj 1925 dhe çdo dispozitë në kundërshtim me këtë ligjë.”  Me përfundimin e hartimit të “Rregullores së parë të brendëshme të Këshillit Kontrollues” kryeministri në detyrë Pandeli Evangjeli, ia dërgon mbretit, i cili, e dekreton më 01.06.1930 (AQSH f186v.1942 D175). Në kushtetutën e Mbretërisë lidhur me Këshillin Kontrollues po citojmë nenin 155, që thotë: Kontrollimi preventiv si dhe kontrollimi konsumtiv i gjithë të ardhurave dhe harxhimeve të Shtetit bëhen prej Këshillit Kontrollues. Çdo vit Këshilli Kontrollues i paraqet Parlamentit një raport të përgjithshëm që përmban llogaritë e vitit të kaluar dhe shënon çrregullimet që mund të kenë ndodhur në administratat e ndryshme të shtetit në zbatim të buxhetit.

Këshilli Kontrollues megjithëse me një numër të pakët njerëzish filloi menjëherë punën për Kontrollin e financave të Shtetit. Në vitin 1928 kemi raportin e parë të këtij Këshilli mbi: “Budget-in Konsuntiv i të hymevet dhe të dalunavet të vjetit financiar1926-1927 mbas kontrollit të bamun nga Këshilli Kontrollues” (AQSH.F186. D9.V1926). Këto raporte do të vazhdonin rregullisht deri në kohën kur Shqipëria pushtohet nga Italia në prill të vitit 1939. Vendimi për Kontrollin Financiar të Buxhetit të Shtetit të viteve 1926-1927, mban firmën e Kol Thaçit si Kryetar Llambi Aleksit dhe Lac Gerës si anëtarë dhe prokuror Ilia Kotta. Krahas veprimeve abuzive në realizimin e buxhetit dhe tejkalimit të shpenzimeve, në raport vihen në dukje mangësi të shumta të kuadrit ligjor por njëherësh bëhen vrejtje dhe propozime për rregullimin e tyre në të ardhmen. Për mangësitë e konstatuara theksohet mosrealizimi i të ardhurave propozohet mosvënia e taksave të prapambetura në vitet pasardhëse por falje e tyre, veçohen dobësit e strukturave në vjeljen e taksave sidomos në bashkëpunim me Këshillin Kontrollues me Ministrinë e Financave etj. Në raport theksohet midis të tjerave: “ Por sa për taksa e tatime të prapambetura për të cilat nuk asht më asnji shpresë se do të nxirren Ministrija e Financavet sa më parë të disponojë ligjërisht anulimin e tyre që të mos figurojnë ma në Budghet preventivë e konsuntivë…”(Raport 1926-1927.fq.14).  Në 1 dhjetor të vitit 1928 shfuqizohet Kushtetuta e vitit 1925, duke ia lënë vendin Kushtetutës së Mbretërisë Shqiptare. Në faqen 13 të Kushtetutës mbretnore në kapitullin mbi Këshillin Kontrollues neni i parë (art 153) do të lexojmë: “ Financat e Shtetit kontrollohen prej Këshillit Kontrollues i cili në ushtrimin e detyrës është i pavarur..” Në këtë mënyrë Këshilli Kontrollues merr atributet e një institucioni që përputhet plotësisht me konceptet organizuese të vendeve perëndimore. Tre nene më poshtë theksohet që: “ Këshilli Kontrollues çdo tre muaj me një raport të veçantë i parashtron mbretit gjendjen financiare të shtetit përmes kryeministrisë”

Këshilli Kontrollues do të vazhdonte të përbëhej nga Kryetari dhe dy antarë. Një vit më vonë më 01.04.1929 Parlamenti aprovoi “ Ligjën mbi Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Kontrollues” ligj që shfuqizoi Dekret Ligjën e 20 majit të vitit 1925. Në art. 1, të “Ligjës mbi Organizimin e funksionimin e KK-së” thuhet midis të tjerave: “… Detyrat e prokurorisë pranë Këshillit Kontrollues kryhen prej nji prokurori… Emnimi i Kryetarit, antarëvet dhe Prokurorit ka një fuqi prej shtatë vjet.” Pra në këtë ligj në përbërje të Këshillit Kontrollues futet prokurori gjë që nuk figuron në Kushtetutën e vitit 1925 (Flet.Zyrt. Nr 29 v.1929 fq2). Më 03.02.1931 aprovohet “Regullorja e brendshme e Këshillit Kontrollues” firmosur nga Mbreti, Kryeministri Pandeli Evangjeli, Ministri i Brendshëm Musa Juka, Ministri i Arsimit Hil Mosi, Ministri i Financave Kol Thaçi, Ministri i Punëve Botore I. Dibra dhe ministri i Ekonomisë, Medi Frashëri. Vendosja e kaq shumë firmave mbi këtë rregullore tregon rëndësinë e madhe që i jepte Mbreti institucionit të Këshillit Kontrollues. Rregullorja përbënte një hap tjetër cilësor për ndryshimet në KK, jo vetëm në strukturë në detyrat dhe të drejtat e tij por edhe në marrëdhënie me institucionet e tjera përfshi edhe atë të mbretit. Kjo përbënte jo vetëm një ndarje të re të sektorëve kontrollues por edhe një specializim të mëtejshëm përsa i përket kontroll-revizionit të shtetit. Në rregulloren e Brendëshme përcaktohet qartë puna e prokurorisë . Në Art.4, thuhet : ” Prokurorisë i përket ndjekja e çështjeve penale dhe e akteve për të cilat simbas ligjeve duhet të shfaqet mendimi. Në dallim me rregulloret dhe ligjet e deriatëhershme specifikohen në detaje detyrat dhe të drejtat e Kryetarit, të Antarëvet, të Kontrollorëve, Prokurorit dhe Kryesekretarit të Këshillit. Në Regullore që është mesa duket e fundit deri më 1939, vit kur Shqipëria pushtohet nga Italia vërejmë dhe element të kodit etik mbi orarin lëvizjet në orarin e punës marrëdhenit midis punonjësve fshehtësinë e të dhënave respektin ndaj supriorëve etj. Raportet e Këshillit Kontrollues me përmirësimet e herëpasherëshme të legjislacionit paraqitem më të plota dhe më të specializuara . Ato përfshijnë kontrollin në të gjithë veprimtarinë financiare të mbretërisë shqiptare si dhe mbledhjen e taksave, shpenzimet e parashikuara,  abuzimet e ndryshme, masat e marra për parandalimin e tyre etj. Kështu në “Raport mbi budgetin konsuntiv t’ushtrimit financiar 1929/1930” midis të tjerave theksohet: ”… Ky kshiëll asht’ përpjekë si e si ta ndalojnë hovin e sa keqpërdoirmeve që mund të ndollshin o me kast o prej gabimit të padijenijet sepse dobija e shërbimi i vlefshëm nuk janë vetun të nxanit e të gjetunit e gabimeve e keqpërdorimeve të zyrtarëve të Shteit por janë ato ndalime e shtrëngime që zyrtarët e shtetit i bajnë vedit tuej e ruejt prej çdo shpërdorimit dhe prej friget se bjen në dorë t’organeve të Kontrollit të Shtetit.

Nga Gëzim ZILJA