Këshillimi psikologjik, ndikimi tek të prekurit me HIV-AIDS / Flet Redona Dudushi
Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

INTERVISTË/ Flet Redona Dudushi, psikologe klinike pranë ISHP-së*

Sa e rëndësishme është terapia e këshillimit. Trajtimi i rasteve të prekura, nevojë për këshillim. Stigmatizimi i sëmundjes, si pasojë e sjelljeve të rrezikshme të pacientit

Ndonëse HIV-AIDS-i, nga ana mjekësore, konsiderohet si një sëmundje kronike, ende shihet si sëmundja më e sigmatizuar, edhe për shkak të sjelljeve të rrezikshme që kryen personi. “Për të trajtuar një të sëmurë me HIV-AIDS, ndihet nevoja për këshillim psikolog. Këshillimi është proces ndëraktiv, që karakterizohet nga një marrdhënie unike ndërmjet këshilluesit e klientit, një marrëdhënie e cila bën që klienti të ndryshojë sjelljen, si dhe aftësitë dhe njohuritë e tij lidhur me vendimmarrjen”. Kështu shprehet gjatë një interviste për gazetën “Republika”, Redona Dudushi, psikologje klinike pranë ISHP-së. Sipas saj, personi që ka rolin e këshilluesit duhet të ketë parasysh disa elemente bazë, të cilat ndikojnë drejtpërsërdrejti në gjendjen emocionale tek personat që testohen për HIV-AIDS dhe ata që e mbartin atë. “Procesi i këshillimit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e të menduarit, të ndjerit dhe të vepruarit. Këto procese, tek individët që kanë nevojë të këshillohen, janë të ndërvarura me njëra-tjetrën dhe ndryshimi tek njeri proces, sjell ndryshim dhe tek procesi tjetër. Këshilluesi duhet të jetë profesionist, të ketë aftësitë e duhura për të punuar me klientë të ndryshëm, pasi çdo klient është unik dhe ka veçoritë e tij individuale, lidhur me mënyrën se si përshtatet me mjedisin dhe situatat e ndryshme”,- tha më tej Redona Dudushi.

Si trajtohet një person që i nënshtrohet testimit për virusin HIV-AIDS?

Në momentin që vjen një person për t’u testuar, ai pritet si të gjithë të tjerët. Që të vish të testohesh për HIV-in, do të thotë që të kryesh analizën për HIV-in për të ditur statusin tënd, pra nëse je pozitiv, negativ apo i dyshuar. Gjithmonë këta persona kanë në statusin e tyre një sjellje të riskuar. Kjo, sepse asnjë person nuk ngrihet në mëngjes nga gjumi dhe thotë krejt papritur që dua të di nëse jam me HIV apo jo. Gjithmonë, ai është i paraprirë nga një sjellje e rezikshme. Nëse dikush nga ne kryen një sjellje të rezikshme, ne e propagandojmë me forcë, duke i thënë të testohet me forcë, sepse ruan jetën tënde dhe të partnerit tënd seksual. Ngul këmbë në jetën e partnerit seksual, sepse është një person që HIV-i transmetohet në momentin që partneri tjetër ka një marrëdhënie të pambrojtur. Në momentin që një person mund të jetë i fejuar, i martuar, bashkëjeton, ka një partner të rregullt seksual, boll një herë të vetme të ketë shkuar pa mjete mbrojtëse më një punonjëse seksi, e cila mund të ketë virusin HIV, ai mund të jetë i infektuar. Prandaj, është shumë e rëndësishme, që nëse keni një sjellje me risk, pra jo vetëm marrëdhënie seksuale, por edhe në rastet e përdorimit të drogave, ai duhet të kujdeset për veten.

Çfarë nënkupton këshillimi psikologjikë?

Këshillimi është një proces bashkëveprimi dypalësh, që e ndihmon klientin të zbulojë mënyrën sesi ai mendon, se si ndihet dhe si vepron, me qëllim përmirësimin e jetës së tij. Këshillimi ka për qëllim të zbulojë, të identifikojë dhe të hartojë strategji realiste dhe të arritshme. Ai ndihmon në krijimin e perspektivave të reja dhe të ndryshme. Perspektivat e reja mund të ndihmojnë klientët për të parë dhe për të vlerësuar ndryshe një situatë apo një problem. Efektiviteti i procesit të këshillimit vlerësohet nga ndryshimet pozitive që ndodhin me klientin. Klienti është personi më i rëndësishëm për këshilluesin. Profesionistët që punojnë në rolin e këshilluesit hartojnë planet e ndërhyrjes dhe strategji të përcaktuara, duke iu referuar veçorive individuale të çdo klienti dhe reagimeve të tyre. Këshillimi është një mënyrë të punuari, që kërkon përkushtimin e duhur dhe që ka një kosto të caktuar. Procesi i këshillimit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e të menduarit, të ndjerit dhe të vepruarit. Këto procese, tek individët që kanë nevojë të këshillohen, janë të ndërvarura me njëri-tjetrin dhe ndryshimi tek njeri proces sjell ndryshim dhe tek procesi tjetër. Këshilluesi duhet të jetë profesionist, të ketë aftësitë e duhura për të punuar me klientë të ndryshëm, pasi çdo klient është unik dhe ka veçoritë e tij individuale, lidhur me mënyrën se si përshtatet me mjedisin dhe situatat e ndryshme.

Cilat janë disa nga mbështetjet që ofron këshillimi?

Këshillimi ofron mbështetje psiko-sociale për probleme të caktuara, në situata të ndryshme.

  • Këshillimi për HIV/AIDS-in është një proces dypalësh konfidencial mes klientit dhe këshilluesit
  • Ka për qëllim të japë informacion, mbështesë, lehtësojë dhe ndërgjegjësojë klientin mbi rezultatin e testimit, duke vleresuar riskun personal të transmetimit të HIV-it dhe lehtësimin e përshtatjes së sjelljeve parandaluese.

Mund të na përmendni se cilat janë objektivat e këshillimit për rastet me HIV/AIDS-in?

Duhet thënë se këshillimi ka si veçori realizimin e dy objektivave, të cilat janë si më poshtë:

  • Të parandalojë përhapjen e infeksionit dhe transmetimit të tij nëpërmjet ndryshimit të sjelljeve;
  • Të sigurojë mbështetjen psiko-sociale.

Çfarë duhet të ketë parasysh këshilluesi në këto raste?

Janë një sërë elementesh që duhet të ketë parasysh personi që ka rolin e këshilluesit për të gjitha ata persona që kanë virusin HIV apo dhe kanë dyshimet e para.

Ndër këto elemente përmendim;

  • Informimit të klientit rreth HIV/AIDS dhe pasojave të tij në jetën e përditshme;
  • Informimit rreth mënyrave të dhënies së ndihmës për personat, për familjarët, miqtë e prekur nga HIV/AIDS, në mënyrë që të përballohen reagimet e ndryshme emocionale.
  • Diskutimit lidhur me masat që duhen ndërmarrë për të plotësuar nevojat e klientëve dhe për të lehtësuar rrethanat, në të cilat ata ndodhen;
  • Nxitjes së ndryshimeve, të cilat janë të nevojshme për të parandaluar dhe kontrolluar infeksionit;

Aftësia kryesore gjatë këshillimit për HIV/AIDS-in është ajo e komunikimit të personalizuar. Duhet thënë se këshillimin për HIV-in mund ta ofroj çdo person i trajnuar dhe në certifikuar si këshillues pranë qendrave të VCT-së. Këshilluesit kanë disa aftësi bazë:

Empatia – të kuptosh si ndihen të tjerët. Një tjetër element i rëndësishëm është dhe fakti se këshilluesi duhet të ketë përshtatshmëri – të jeni i qëndrueshëm në atë që bëni, që thoni, që jeni. Sjellje e pakushtëzuar pozitive – pranim i klientit edhe kur nuk je dakort me sjelljen e tij/të saj. Një tjetër element i rëndësishëm është respekti – lejo klientin të shprehet lirshëm, pa e gjykuar. Fshehtësi – ruaj konfidencialitetin. Përgjegjësia – jepi klientit informacionin, kështu që hapat që janë të lidhur me angazhimin dhe vendimmarrjen të mund të kryhen, është një tjetër element që kanë parasysh të gjithë këshilluesit. Ndershmëria siguron vendime të lira dhe përgjegjësi të miratuar bazuar në informacion të saktë. Një tjetër element jo pak i parëndësishëm është dhe të kuptuarit – kuptimi i klientëve të ndryshëm, me diferenca të ndryshme në vlera, kushte, eksperienca. Afrimiteti – përgjigjuni me ngrohtësi nevojave të klientit. Një tjetër element që duhet të kenë parasysh këshilluesit është dhe respekti – respekto diversitetin njerezor. Një pikë e rëndësishme është dhe efektshmëria – punoni me efektshmëri nën presionin e kushteve. Dhe e fundit që duhet përmendur është dhe elasticiteti – ji i hapur ndaj reagimeve të papritura, opinioneve ose vendimeve.

Sa i rëndësishëm është këshillimi për rastet me HIV-AIDS?

Duhet thënë se këshillimi është një proces që i jep ndihmë të madhe një personi që mbart apo dyshon se ka virusin HIV-AIDS. Diagnostikimi, dyshimi për sjellje të rrezikshme për infektimin dhe transmetimin e virusit HIV shkakton probleme të mëdha shëndetësore dhe psiko-sociale. Problemet e lidhura me HIV/AIDS-in shoqërohen me stigmën dhe diskriminimin duke ndikuar kështu: në jetën familjare, marrëdhëniet seksuale, sociale, punën, shkollën, nevojat shpirtërore, statusin ligjor dhe të drejtat civile. Përshtatja dhe pranimi i gjendjes se re me virusin HIV përfshin adaptimin dhe manaxhimin konstant të stresit. Ai është dinamik, evolues dhe shtron kërkesa të reja gjatë gjithë jetës mbi individin, familjen e tyre dhe komunitetin ku ata jetojnë. Shumë njerëz janë të kufizuar ose ndjehen të kufizuar në atë çka mund të bëjnë me jetën e tyre. Pavarësisht se këto kufizime janë reale ose të imagjinuara, të kaluara apo të tanishme, të gjitha duhet të merren parasysh dhe të trajtohen, nëse duam që modifikimi i sjelljes të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm. Këshillimi duhet të sigurojë që edukimi dhe informacioni të jepet në mënyrë të qartë dhe në përputhje me jetën e përditshme të personit në fjalë. Duhen marrë parasysh gjëra të tilla si historinë e klientit, nevojat seksuale, puna, edukimi, aspiratat e shpresat. Këshillimi i familjes, të dashurve, miqve, punëdhënsve ose kolegëve të njerëzve me HIV duhet të përfshijë dhënien e informacionit bashkohorë. Nëse këshillimi do të jetë efektiv, ai së pari duhet të shihet si i pranueshëm. Pranueshmëria e tij gjithmonë do të përmirësohet nëse në mënyrë të qartë merret parasysh natyra e shumë marrëdhënieve sociale, angazhimeve, detyrimeve që kanë individët. Secila nga këto marrëdhënie mund të ketë potencial për motivim e mbështetje të vazhdueshme.

  • Këshillimi i njerëzve rreth infeksionit të HIV/AIDS-it është i rëndësishëm, sepse;
  • HIV-i është i përjetshëm;
  • Një person i diagnostikuar me HIV-in mund të ketë një presion të jashtëzakonshëm psikologjik, mund të bëhet pengesë e ndryshimeve konstruktive, kjo pasi HIV-i shoqërohet me frikë, keqkuptim, stigmë e diskriminim;
  • Ndryshimi i sjelljes mund të parandalojë një person që të marrë virusin HIV ose ta transmetoj atë tek të tjetët.

*Ky artikullu publikua fillimisht me 17 Mars 2012 për Gazeta Republika

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin