Koçi: PD-PS, reflektim kombëtar për situatën

Kreu i PSV, Petro Koçi, shprehet se thellimi i frikshëm i krizës ekonomike, breshkëzimi i ritmit të reformave, mbërthimi i institucioneve nga korrupsioni, bllokimi i ricikluar i dialogut politik si edhe ngecja e integrimit europian të vendit përbëjnë një kushtrim politik për reflektim kombëtar mbi situatën. Sipas Koçit, mazhoranca dhe opozita duhet të dëshmojnë përgjegjshmëri patriotike jo teatrale dhe të marrin vendime historike për të ardhmen e vendit. “Kjo situatë përballohet vetëm me një qeveri politike konsensuale, joteknike, me mbështetje të gjerë. Kjo qeveri me një kryeministër nga PD-ja, por pa Berishën brenda saj, do përballonte me sukses:

1. Hartimin dhe miratimin konsensual të Reformës Zgjedhore

2. Rishikimin përmes edhe një diskutimi të gjerë të Kushtetutës.

3. Qeverisjen konsensuale të reformave për integrimin europian të vendit.

4. Zgjedhjen me proces konsensual të Presidentit të ri të Republikës.

5. Zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

PSV propozon që në këtë qeveri duhet të përfshihen përfaqësues politikë me aftësi politike dhe teknike nga PD-ja e PS-ja, por që duhet të jenë të papërfolur për afera korrupsioni dhe shpërdorim pushteti”,- shprehet Koçi në një deklaratë për shtyp.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.