Kodi shtyhet dy muaj, Gjiknuri: Në diskutim, formula e KQZ-së

Komisioni i reformës zgjedhore zgjat mandatin deri më 30 prill. 10 deputetë, që po amendojnë kodin, i kanë dhënë vetes dhe 2 muaj kohë për të përmbyllur çështjet e nxehta e të mbetura pa zgjidhje deri më tani. Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, thotë se diskutimet kanë arritur në një fazë kritike, tek formati i KQZ-së. “Procesi ka hyrë në një fazë kritike. Do të zhvillojmë një seminar në fund të marsit, me përfaqësues të OSBE-së/ODHIR-it për të diskutuar disa nga mundësitë që kanë lidhje me modelet, por mbi të gjitha, me kompetencat dhe të drejtat që do kenë palët në këtë proces”,- u shpreh Gjiknuri. Por ish-kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, ka një variant të tijin për formulën e administratës zgjedhore. “Një mënyrë mikse me përfaqësues që janë propozuar nga partitë politike dhe pjesa tjetër të gjendet një mekanizëm tjetër, që këta anëtarë të administratës zgjedhore të mos ishin drejtpërdrejtë të propozuar nga partitë politike, por nga një trup që të paktën, formalisht, të themi që nuk është e varur nga politika. Për KQZ-në, numri 5, 7 apo 9 anëtarë është deri diku i pranueshëm dhe efiçentë. 5 apo 7 anëtarë mund të ishte përbërja e kësaj administrate dhe në nivel më të ulët”,- u shpreh Celibashi. Ndërsa Gjiknuri, gjithashtu, u shpreh: “Kërkojmë që të çlirojmë nivelet poshtë të administratës zgjedhore nga vendimmarrja. Ata të kenë veprime të karakterit standard. Të mos kenë më vendimmarrje, siç ndodhi tek Njësia 5, që u mbyll procesi dhe ai, me një urdhër telefoni, nuk firmoste procesverbalin”. Për sa i përket sistemit, sipas ish-kryetarit të KQZ-së, ky nuk është i duhuri, nëse politika kërkon të përfshijë dhe të vegjlit. “Nëse dua që të kemi një përfaqësim të gjerë, është e qartë që ky sistem nuk e siguron ose së paku nuk e garanton. Nëse duam një qeverisje të fortë dhe ta lëmë mënjanë përfaqësimin, atëherë prapë ky sistem ka problemet e veta dhe ndoshta do të duhet një sistem tjetër, siç është ai mazhoritar”,- tha Celibashi. Dy ekspertët e zgjedhjeve ishin pjesë në forumin për depolitizimin e reformës dhe administratës zgjedhore, së bashku me të gjithë ish-drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe anëtarëve aktualë, ku nuk kanë munguar dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Comments are closed.