Kombëtarja shqiptare U-19, miqësore me Italinë

 

 

Pas pothuajse 6 muajsh kombëtarja italiane e 19-vjeçarëve rikthehet në Shqipëri. Në stadiumin Besa të Kavajës,  kombëtarja Shqiptare e 19-vjeçarëve e drejtuar nga Foto Strakosha do të presë homologët nga Italia të drejtuar nga Alberigo Evani. Ndryshe nga sfida e 12 Tetorit të vitit të kaluar, ky takim do të jetë në kuadrin e miqësoreve që kuqezinjtë e Foto Strakoshës po kryejnë në vigjilje të eliminatoreve të Evropianit për këtë grup moshë. Në sfidën e zhvilluar në Vlorë kuqezinjtë tanë u mundën 3-0 nga Italia, një rezultat që nuk i shkoi për shtat lojës së treguar në fushë. Megjithatë edhe pse një miqësore kjo do të jetë një mundësi për djemtë e Strakoshës për revansh, pasi Italia preu biletën për në elite raund. Kjo miqësore është gjithashtu e vlefshme edhe për Evanin, i cili po përgatitë skuadrën pikërisht në vigjilje të ndeshjeve për turin elite raund të kampionatit Evropian të këtij viti. Por kjo nuk do të jetë ndeshja e vetme e 19 vjeçarëve tanë, pasi në ditët në vijim janë programuar edhe dy miqësore me skuadrën bullgare të kësaj moshe. Më 20 Prill është programuar që ndeshja e parë ndaj Bullgarisë të luhet në Korçë në orën 13, ndërsa sfida e dytë po ndaj bullgarëve do të luhet më 22 Prill në orën 11 në Pogradec. Këto ndeshje janë pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet dy federatave, pasi në muajin Mars ishte skuadra e drejtuar nga Strakosha që zhvilloi dy miqësore në tokën bullgare.