Komisioni i Ligjeve, miratohen me konsensus propozimet e PS-së për Gjykatën Administrative

Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot me konsensus amendamentet e Partisë Socialiste, për Gjykatën Administrative. Në mbledhjen e sotme, Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, ku dhe ka vendosur krijimin e kolegjit administrativ në Gjykatën e Lartë,  i cili do të përbëhet nga 5 anëtarë. Një propozim tjetër që ka marr dhe “ok” e demokratëve është dhe ajo e numrit të gjyqtarëve. U ra dakord që në shkallën e parë çështjet të trajtohen me një gjykatës, ndërsa mosmarrëveshjet e kontratave me 3 gjyqtar. Deputetët e PS-së kanë kërkuar që kolegji administrative të jetë trupë e posaçme në Gjykatën e Lartë ndërsa mazhoranca ka theksuar se struktura dhe përbërja e Gjykatës së Lartë nuk është objekt i këtij ligji. Ndërkohë në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve u miratuan 8 nene të projektligjit për gjykatat administrative, por diskutimet u ndërprenë pasi palët kishin mendime të ndryshme për nenet e tjera.