Kompensimi i pronave, AKKP: Qytetarët përfitojnë më shumë

Çefa: Do të ndryshojë harta e vlerës së tokës

Shtyhet afati për depozitimin e dosjeve të pronave nga qytetarët. Ndryshimet ligjore, ndërhyrje në metodikën e përcaktimit të çmimit të pronës që do të kompensohet

Me ndryshimet më të fundit në ligjin “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, pronat do të kompensohen me vlerën aktuale të tokës. Ndërkohë, është përcaktuar se 30 prilli i 2013-ës të jetë afati i fundit për dorëzimin e të gjitha dosjeve të pronave nga qytetarët. Lidhur me këto ndryshime, kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, tregon efektet e këtyre ndryshimeve. “Është shtyrë data e përfundimit të këtij procesi që do të thotë që AKKP, menjëherë me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, duhet të ketë sërish të drejtën të shprehet me një vendim themeli për kërkesat e patrajtuara deri më sot. Risia e tretë është një ndërhyrje në metodikën e përcaktimit të çmimit të pronës që do të kompensohet”,- thotë Elvis Cefa, Kryetari i AKKP-së. Qytetarët, me këto ndryshime, do të përfitojnë më shumë në vlerë, pasi prona e tyre do të kompensohet me çmimin e real të tregut, duke u bazuar në referencat e çmimeve për tokën për zonën, apo qytetin ku ai banon. “Tashmë, do të ketë në momentin kur kjo të miratohet, do të ketë një metodikë të re me një formulë sa më të përshtatshme dhe brenda standardeve bashkëkohore të përcaktimit të çmimit të tregut, që do të thotë dhe produkti do të jetë pa diskutim më real. Pra, vlera e pronave që do të kompensohen tashmë, por jo vetëm, do të jetë ekzaktësisht sa është vlera e tregut në momentin kur kompensimi do të ekzekutohet”,- vijon Cefa. Ndërkohë, në vitin 2011, Agjencia e Kompensimit e Kthimit të Pronave ka dhënë 1600 vendime, që kanë të bëjnë me njohje fillestare të pronës dhe vendime të kompensimit. Gjithashtu, në proces shqyrtimi dhe verifikimi janë edhe rreth 7000 mijë dosje të tjera.

Harta e vlerës së tokës

Do të ndryshojë metodologjia e llogaritjes së vlerës së tokës, në bazë të së cilës do të kompensohen pronarët e para viteve ’44. Ky ndryshim nuk do të cenojë ata që tashmë e kanë përfituar këtë kompensim, përveçse në rastet kur konstatohen shkelje ligjore. Ndërkohë, në ligj është shtuar dhe një nen sipas të cilit do të krijohet zyra e koordinimit. Shkëmbimi i dokumentacioneve mes institucioneve ka qenë dhe një prej procedurave më burokratike të këtij procesi. Kjo zyrë do të ketë dhe gjithë bazë e të dhënave të vendimeve të marra për pronësinë.

Ndryshimet në ligjin e pronave

“Është shtyrë data e përfundimit të këtij procesi që do të thotë që AKKP, menjëherë me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, duhet të ketë sërish të drejtën të shprehet me një vendim themeli për kërkesat e patrajtuara deri më sot. Risia e tretë është një ndërhyrje në metodikën e përcaktimit të çmimit të pronës që do të kompensohet”, – thotë Elvis Cefa.

Comments are closed.