Konsumatorët në rrezik, buka serviret ende në qese plastike

Vëzhgim/ Furrat dhe dyqanet e bukës nuk respektojnë urdhrin e AKU-së dhe bashkisë

Rreziku që vjen nga ambalazhi plastik tek buka. Përveç ambalazhit, në furrat e bukës mungojnë kushtet higjieno-sanitare 

Shumica e furrave dhe dyqaneve që tregtojnë bukë nuk po respektojnë thirrjet e bashkisë së Tiranës dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për futjen në përdorim të ambalazhit prej letre. Lidhur me këtë problem, gazeta “Republika” ka bërë një vëzhgim nëpër disa pika të tregtimit të bukës, për sa i takon servirjes së këtij produkti me ambalazhe prej letre. Kështu, nga vëzhgimet e kryera, rezulton se shumë janë të shumta ato furra buke dhe dyqane që nuk e praktikojnë këtë metodë. Ata vazhdojnë të përdorin ende qeset plastike, ndonëse është përfolur nga institucionet e mësipërme për rrezikun që ato mbartin. Të vetmet furra buka që po praktikojnë këtë metode, e cila është e njohur në shumë vende të botës, janë ato në zonat e mbipopulluara dhe në rrugët kryesore të Tiranës. Ndërsa, për sa u takon furrave dhe dyqaneve të bukës, që ndodhen në brendësi të kryeqytetit dhe në zonat informale, nuk e kanë vënë në përdorim ambalazhin prej letre. Sipas vëzhgimeve të gazetës, shumë furra buke, edhe pse janë të pajisura me ambalazhe prej letre, preferojnë të përdorin si ambalazh qeset plastike. Vetëm në rastet kur ka kontrolle nga ana e institucioneve, ata përdorin ambalazhet prej letre. Kjo metodë bëhet dhe për vetë faktin se ambalazhi prej letre kushton më shumë sesa ai prej plastike. Por ajo që duhet thënë është fakti se në zonat informale të kryeqytetit, deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar për përmirësimin e kushteve, në të cilat serviret ky produkt, ku abuzohet më shumë me konsumatorët. Në këto zona, siç janë lagjet “Todi Shkurti” apo “Kristaq Capo”, e gjithë zona përgjatë Shkollës së Baletit, ende nuk po praktikohet kjo metodë e re. Madje, dhe në zonën e Kinostudios, dhe në zonën e Profarmës së Re, asnjë furrë apo dyqan buke nuk përdor ambalazh prej letre, por vijon si normalisht ambalazhimi me qese plastike.

Mosrespektimi i kushteve higjieno-sanitare, gjatë përgatitjes së bukës

Duhet thënë që ky fakt përbën një problem shumë të madh, pasi produkti i bukës gjen një përdorim të madh nëpër familjet shqiptare. Ndonëse nuk mjafton rritja e herëpashershme e çmimit të bukës, edhe përgatitja e saj nuk përmbush të gjitha standardet e kërkuara dhe nuk respektohen masat e higjienës. Kjo, pasi shumica e furrave të bukës nuk respektojnë kushtet e higjienës në momentet e prodhimit të bukës, madje në këtë drejtim mungojnë dhe kontrollet nga ana e institucioneve mbikëqyrëse.

Kërkesa e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit

Të gjitha produktet ushqimore, si djathi, mishi, gjalpi, sallami, duhet t’i servirin konsumatorit me ambalazh prej letre. Kjo është një kërkesë që vjen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Një masë e tillë u kërkua më parë për bukën, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përveç inspektimeve të tij, kërkon edhe ndërgjegjësimin e vetë qytetarëve. Pak ditë më parë, AKU, nga inspektimet e kryera, ka vërejtur zëvendësim në masë të ambalazhit plastik me një letër organike të certifikuar. Kjo vihet re në disa qytete të vendit, por në Tiranë, ku ka një numër më të madh qytetarësh dhe biznesesh, ndryshimi është më i vogël. Sipas deklaratave në media, nga ana e këtij institucioni,  për të realizuar këto ndryshime, kërkohet dhe ndërgjegjësimi i vetë konsumatorëve shqiptarë për këtë lloj ambalazhi, që duhet të përdoret jo vetëm për bukën, por edhe për tërë produktet ushqimore. Por, përveç ambalazhit që duhet detyrimisht të jetë i certifikuar për kontaktet me produktet ushqimore, specialistë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit theksojnë domosdoshmërinë e etiketës në gjuhën shqipe, ku të jenë të mirëpërcaktuar përbërësit, vendi i prodhimit, data e skadencës e të tjera.

 

Mungesa e kushteve të shërbimit

Një tjetër problem i rëndësishëm që lidhet me produktin e bukës dhe që rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorëve është edhe mënyra se si shërbehet ky produkt. Duhet thënë se edhe nga informacionet e mëparshme, ky problem përbën një fenomen të vjetër, i cili duhet thënë se po përmirësohet dita-ditës, por ende ngelen gjëra të rëndësishme të pazgjidhura. Një ndër këto probleme është mënyra e servirjes së këtij produkti tek konsumatori, që bëhet me qese plastike. Vendosja e bukës nëpër qese plastike përbën një rrezik të madh për shëndetin, pasi qeset përmbajnë një sërë lëndësh kimike, të cilat më pas transmetohen tek buka. Ndonëse është përfolur që brenda këtyre gjashtë muajve do të vihet në zbatim edhe përdorimi i qeseve prej letre, të cilat konsiderohen shumë të shëndetshme, qytetarëve nuk u ngelet gjë tjetër veçse të shpresojnë që të vihet sa më shpejt në zbatim ky rregull. Pothuajse në të gjithë vendet e botës është hequr nga përdorimi i qeseve plastike, të cilat përdoren si ambalazhim për produktin e bukës, ndaj kërkojmë që këto të zëvendësohen me qese prej letre. Për konsumatorin tonë përbën një rrezik të madh konsumi i bukës pasi ka qenë për orë të tëra në këto qese, të cilat bëjnë përcjelljen e kimikateve të dëmshme tek organizmi i njeriut.


Rreziku që vjen nga ambalazhi plastik

Ambalazhet plastike kanë përmbajte kimikate, që në çdo kohë sjellin pasoja në shëndetin e konsumatorëve. Ato vazhdojnë të përdoren nëpër supermarkete dhe dyqane. Ndonëse veprimi i plastikës jo gjithmonë është aktiv, kur realizohen kushtet e nevojshme për zbërthim, atëherë ajo bëhet e rrezikshme. Në vendin tonë, produktet e plastikës kanë një përdorim të gjerë, siç janë enët plastike, kovat, vazot, bidonë, të cilat përdoren për produkte të konsumit të përditshëm, të cilat janë të dëmshme seriozisht për shëndetin e njeriut. Sipas informacioneve, bukëpjekësit për të ruajtur peshën e bukës e fusin atë në qese të ngrohtë ose të nxehtë, e cila mbasi ftohet akumulon një sërë bakteresh dhe mbart rrezik të madh. Avujt e nxehtë ndikojnë keq në çlirimin e përbërësve të ambalazhit, duke e bërë të dëmshme bukën për konsum

Comments are closed.