Kontrolli doganor, PS kundër dhënies me koncesion

 

Dhënia me koncesion një kompanie private amerikane e shërbimit të skanimit në dogana, ka ngjallur reagim të fortë në seancën parlamentare. Të majtët e cilësuan klientelist këtë koncesion, shërbimi i të cilit do të rëndojë xhepat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa Ministri i Financave deklaroi se kjo është zgjidhja e duhur, që garanton transparencë dhe lufton evazionin. “Rama ka deklaruar se do të jepte me koncesion menaxhimin e doganave të Shqipërisë. Ky koncesion sipas tij, mundëson një shërbim më cilësor me pagesë më të pakët.Koncesionimi është zgjidhja më efikase. Rilindësi juaj Rama deklaroi publikisht se do jepte me koncesion menaxhimin e doganave të Shqipërisë. Kjo është pjesa më thelbësore e menazhimit të doganave, kontrolli fizik i mallave dhe atëhere nuk do të ketë nevojë për grupe taksidarësh që deklarojnë ose jo të vërtetën, por do të ketë një kompani që do të kontrollojë mallrat që dalin nga Shqipëria.Po ja japim kompanisë më të madhe të imaxherisë botërore kontrollin e doganave shqiptare që të bëjmë transparencë për të gjithë qytetarët”, tha Ridvan Bode, Ministër i Financave. Deputeti i PS-së, Arben Malaj akuzoi qeverinë se ka dështuar me të gjitha koncesionet e dhëna në 8 vite.  “Kjo që ndodh me qeverinë në ikje është model vetëm i Shqipërisë. Po tregohet kapja përfundimtare e shtetit dhe kjo ndodh me koncesionimin e pasurive natyrore. Koncesionet tuaja janë të gjitha të dështuara dhe kjo rëndon mbi shqiptarët. Të gjitha koncesionet e e qeverisë sic shtoi Malaj, nuk plotësojnë dy kushtet më thelbësore kredibilitetin teknologjik dhe financiar. Ju nuk i keni dhënë koncesione kompanive serioze. Kapja e shtetit dhe korrupsioni janë në nivelet më të mëdha”, tha Arben Malaj, deputet i PS-së. Nuk ka kaluar pa debat edhe disktumi i projekligjit të tatimit mbi të ardhurat. Deputeti i PS-së Erjon Braçe ka kërkuar të mos taksohet dhurimi i tokës, ndërsa për ministrin Bode të mos e taksosh tokën do të thotë të pastrosh paratë.