Kosova dhe Serbia po bisedojnë në Bruksel

 

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, filluan takimin e parë të përbashkët, pas takimeve të ndara me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, në kuadër të raundit të nëntë të bisedimeve, që shihet si mundësia e fundit për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Nga rezultatet e mundshme të këtyre bisedimeve varet përparimi më i shpejtë i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane. Kjo mundësi u vu në pikëpyetje pasi që Serbia në fillim të muajit prill, refuzoi një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, meqë nuk arriti të sigurojë me shumë autonomi për komunat veriore, përkatësisht fuqi ekzekutive në fushat e policisë drejtësisë dhe planifikimit hapësinor. Prishtina nuk pajtohet me kërkesa të tilla që ajo mendon se mund të çojnë një ndarjen e brendshme të vendit. Ky qëndrim u ritheksua edhe në prag të takimit të sotëm. Delegacioni i Kosovës shfaqi sërish gatishmërinë për themelimin e një asociacioni të komunave me shumice serbe, por nuk do të pranojë kërkesat e Serbisë që ai të ketë pushtet ekzekutiv. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, papara takimit me zonjën Ashton tha se marrëveshja e mundshme ndërmjet palëve “do të nënkuptonte bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë dhe ardhmëri euro-atlantike për të dyja vendet tona dhe popujt tanë. Kjo marrëveshje nuk do të ishte vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të Serbisë, Bashkimit Evropian dhe paqes e stabilitetit rajonal”. Ministrja e integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Citaku, nëpërmjet rrjetit social twitter, thotë se “Serbia duket të ketë reflektuar dhe mund të pranojë marrëveshjen e ofruar nga zonja Ashton”.   Ndërkaq, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandër Vulin, u tha medieve serbe se “ka mundësi që argumentet e palës serbe të merren parasysh”. Vëzhguesit e pavarur pohojnë se një kompromis mund të arrihet në fushën e policisë dhe të gjyqësisë. Serbia ka kërkuar që në veri të Kosovës të ketë një Gjykatë të veçantë të Apelit, ndërsa kompromisi mund të jetë në krijimin e një dege të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Asociacioni i komunave serbe mund të fitojë të drejtën për emërimin e komandantit rajonal të policisë, ndërsa një kompromis mund të ketë edhe rreth kërkesës së Serbisë që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos shfaqen për një periudhë kohore në hapësirën e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sidoqoftë diplomatët perëndimorë shpresojnë që dita e sotme mund të sigurojë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që ishte është synimi kryesor i bisedimeve të filluara vitin e kaluar ndërmjet të dy kryeministrave. Nëse palët pajtohen, atëherë Serbia mund të sigurojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të marrëveshjes së stabilizim asocimit.