Kosovë, dialogu me Serbinë rinis në qershor

Delegacioni kosovar dhe ai serb pritet që të takohen sërish nga fundi i majit, eventualisht fillimi i muajit qershor. Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për gazetën “Koha Ditore”, se diplomatët evropianë presin që Serbia të mos shpenzojë shumë kohë në ndërtimin e qeverisë së re atje pas zgjedhjeve parlamentare më 6 maj dhe që palët të takohen pak javë pas zgjedhjeve për të bërë marrëveshje edhe në dy çështje: telekomunikacion dhe energjetikë. Të dy temat, që sipas diplomatëve ndërkombëtarë prekin rregullimin e jetës në veri të Kosovës, për shkak të energjisë elektrike, postës dhe operatorëve telefonikë atje, do të përgatisin terrenin që pas pushimeve të verës, të dy kryeqytet të fillojnë adresimin e çështjes së veriut të Kosovës nga shtatori. Diplomatë evropianë i kanë thënë gazetës se po analizohen modelet se si do të trajtohet veriu, dhe një gjë e tillë nuk duhet që medoemos të nisë me anë të dialogut politik. “Ka disa çështje në veri, siç është çështja e funksionimit teknik të gjykatës, pastaj funksionimi i shkollave, shtëpive të shëndetit, transportit publik që mund të trajtohen si çështje të ndërmjetme, deri në adresimin politik të veriut”, i ka thënë gazetës një diplomat evropian i akredituar në Prishtinë. Sipas të njëjtave burime, deri atëherë Prishtina dhe Beogradi do të rikomponojnë përfaqësimin që do të kenë në atë që quhet dialog politik.

Comments are closed.