Kosovë, EULEX pritet të zgjasë mandatin edhe për 2 vjet

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë pritet që të zgjasë mandatin e tij edhe për dy vjet të tjera, ndërsa njëkohësisht do të fillojë shkurtimet në ato fusha ku vlerësohet se institucionet e Kosovës janë mjaft të përgatitura për të përmbushur përgjegjësitë. Komandanti për Operacione Civile të Bashkimit Evropian, Hansjoerg Haber, tha në Prishtinë se brenda javës do të përfundojë procesi rishikimit strategjik për EULEX-in, një proces që synon ta bëjë këtë mision më të fuqishëm, më të sigurt dhe më efikas.  Ai tha se Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të vazhdojnë mandatin e EULEX-it edhe për dy vjet, ndërsa do të ketë shkurtim të personelit ndërkombëtarë dhe atij veçanërisht në fushën e policisë dhe të doganave. Ai tha se puna e këtij misioni do të përqendrohet në fushën e drejtësisë, nëpërmjet mandatit ekzekutiv të tij. “Rastet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet e luftës janë shumë të ndërlikuara dhe kërkojnë më shumë kohë, prandaj shtetet anëtare duan të zgjasin mandatin edhe për dy vjet”, tha Haber.

Comments are closed.