Kosovë, KFOR nis hetimet për arrestimin e policëve kufitarë

KFOR ka nisur hetimet për arrestimin e policëve kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë. Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër, me çka, sipas tij, ata edhe kishin shkelur marrëveshjen ushtarako – teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe. KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi shpreh bindjen se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës, dhe kërkon ndërhyjen e tyre për lirimin e policeve. “Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e rrëmbyer. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë rrëmbyer, në territorin e Kosovës”, thotë Rexhepi, citon Europa e Lirë. Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian – EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe vendin se ku ndodhi ngjarja.. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë-Serbi. Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.

Comments are closed.