Kosovë, Kushtetuesja refuzon kërkesën e Vetëvendosjes

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka votuar lidhur me rastin “Kontestimi i Kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” të 20 janarit 2012. Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri ka vendosur që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme. Kjo çështje u përgatit nga Visar Ymeri dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit, që e kishin kontestuar një vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku përveç të tjerash thuhej se i “mirëpriti marrëveshjet” e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi “e mbështeste zbatimin e tyre të tërësishëm”.  Parashtruesit kishin pohuar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare dhe konsiderojnë se vendimi i marrë nga Kuvendi i Kosovës ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare”, që kërkonte procedurën e parashikuar me nenin 18 të Kushtetutës. Gjykata ka vlerësuar se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të gjykatës.