Kreditë e këqija, banka merr kolateralin pa vendim gjykate

 

Nëse ke marrë kredi dhe garanci bankare ke lënë aksione, letra me vlerë apo lekë, banka mund të t’i marrë automatikisht nëse nuk paguan këstin. Ligji i ri për Sistemin e Pagesave mënjanon Gjykatën si hallkë në këtë marrëdhënie huamarrjeje, duke fuqizuar më shumë bankat dhe duke synuar uljen e nivelit të kredive të këqija.  Ndryshimet e reja do të veprojnë vetëm mbi marrëveshjet me personat juridikë, sikundër janë bizneset. Ligji është hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe synon përafrimin e tij me direktivat e BE-së. “Projektligji për sistemin e pagesave përfshin edhe ekzekutimin e KESH-it dhe të instrumenteve financiare ku përfshihen pa asnjë lloj kufizimi, aksionet, bonot e thesarit, obligacionet e të gjithë titujt e tjerë që mund të emetohen qoftë nga pushteti vendor qoftë nga pushteti qendror. Direktivat për kolateralin financiar parashikon që ekzekutimi i tyre të jetë i menjëhershëm, që do të thotë, nuk kërkohet ndërhyrja e një organi shtetëror”, deklaroi Besjana Bufi, Drejtoria Juridike në BSH-së. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhanë miratimin me konsensus të dy ligjeve të prezantuara nga Banka e Shqipërisë, ai i “Për barrët siguruese”, dhe “Për sistemin e pagesave”, por opozita kërkoi nga BSH forcimin e mbikëqyrjes në bankat e nivelit të dytë. “Sa më shumë ligje të miratojmë ne në koncepte të përafrimit të legjislacionit aq më efektiv duhet të bëheni dhe ju në mbikëqyrjen nga afër të sistemit bankar”, deklaroi deputeti Malaj. Ligji sjell risi në sistemin e pagesave, duke lejuar edhe privatët të ushtrojnë një aktivitet të tillë, veç institucioneve financiare të licencuara nga BSH. Nevoja për të fuqizuar rregullat e sistemit të pagesave, ka buruar nga ndikimi që dha ky sistem në krizën ekonomike.