Rama, me studentë dhe komunitetin shqiptar, në New York: Shqipëria, nevojë për ndryshim të cilësisë së qeverisjes

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me studentë të Universitetit të New York-ut dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar atje. Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar në ambientet e NYU nëManhattan, Edi Rama u ndal posaçërisht tek nevoja për ndryshim në Shqipëri dhe programi i PS-së për “Një Rilindje Shqiptare”. “Një copëz e vogël Shqipërie, që mendon për të ardhmen, mbledhur në një sallë plot energji pozitive, ku mësuam shumë nga njëri-tjetri”, do të shprehej Rama për këtë takim. Në fjalën e tij, kryetari Rama nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të sjelljes së qeverisë dhe një ndryshim të cilësisë së qeverisjes. “Nuk ka asnjë sekret, ne jemi tërësisht të pakënaqur me çfarë po ndodh dhe tërësisht të pakënaqur me politikat qeverisëse dhe, më shumë se kaq, me mungesën e zbatimit të ligjit, mungesën e zbatimit të ligjeve në realitetin shqiptar. Në fakt, ne kemi dy Shqipëri të ndryshme: një është Shqipëria në letër dhe një është Shqipëria në realitet. Njëra është Shqipëria që mund të shihet përmes legjislacionit dhe tjetra është Shqipëria që njerëzit e jetojnë përmes moszbatimit të ligjit dhe mungesës totale të barazisë përpara ligjit. Duke shkuar më tej, ne mendojmë se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një ndryshim të qeverisë, por Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të sjelljes së qeverisë dhe një ndryshim të cilësisë së qeverisjes. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që të fokusohet më shumë mbi faktin se si njerëzit jetojnë nën këtë qeverisje dhe se si njerëzit mund të gjejnë rrugën e tyre, në bazë të kushteve që mund të garantojnë barazi përballë ligjit, që të mund të garantojnë mundësitë e tyre përballë sfidave të tyre dhe që gjithashtu të mund të garantojë që secili të ketë sukses në bazë të meritës, përmes konkurrencës së lirë, dhe jo bazuar mbi çfarë mbiemri mban individi, apo cilat janë lidhjet e tij me pushtetin. Ne kemi një program të ri me një emër ambicioz, që e kemi quajtur program “Për Një Rilindje Shqiptare”. Për ne është e qartë se zgjedhja është mes një Rilindjeje Shqiptare ose një Rrënimi të Mëtejshëm. Çështjet kryesore të Programit tonë janë, të krijojmë kushtet për punësim real ose papunësi e mëtejshme. Të jemi në gjendje të ngremë një sistem taksimi të ndershëm ose një taksë e sheshtë që ka shuar klasën e mesme dhe klasën e varfër dhe ka krijuar një polarizim në rritje midis më shumë se 95 për qind të njerëzve që fitojnë më pak dhe paguajnë më shumë, dhe më pak se 5 për qind e njerëzve që fitojnë më shumë dhe paguajnë më pak. Ne jemi, absolutisht, të bindur se duke i dhënë mundësinë vendit për një fillim të ri ne na duhet ndërtojmë politika që do ta ndihmojnë biznesin dhe jo ta dëmtojnë atë. Për këtë është absolutisht e domosdoshme të luftojmë kundër monopoleve dhe kundër një shoqërie shumë klienteliste deri tani, për shkak të qeverisë, e cila ka bazuar çdo gjë që i përket sipërmarrjes mbi klientët e saj”,- nënvizoi kreu socialist. Të pranishmit drejtuan edhe pyetje për Edi Ramën. Një vajzë e re e pyet për arsyet pse nevojitet taksa progresive në Shqipëri dhe kryetari Rama theksoi abuzimin që përmban në vetvete aplikimi i taksës së sheshtë, duke sjellë dhe shembujt konkretë: “Taksa e sheshtë është thjesht një abuzim, kjo është e vërtetë teorike dhe është e vërtetë praktike në Shqipëri. Është e pamundur që një infermiere të jetë e detyruar sot të paguajë më shumë taksa se doktori Kryeministër”.

 

 

Comments are closed.