Fetare

Krijimi i universit sipas Islamit

Historia e universit në tre ajete

Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kuran shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, ashtu që ata të marrin përvojë (mësim).” (Kuran, 39/27)

Ka afro 1400 vite që njeriut i është dhënë mundësia që, përveç se thjesht të lexojë Kuranin, Librin e Fundit Hyjnor, por edhe ta studiojë, ta kuptojë e të nxjerrë mësime jetësore. Shembujt e sjellë nga Zoti nga çdo lëmi e nevojshme e jetës janë aty, në çdo ajet e faqe të Kuranit. Por, ndoshta edhe njerëzimit i duhet të arrijë një nivel pjekurie për t’i kuptuar e për të nxjerrë mësime nga shembujt kuranorë.
Zbulimet e shekujve të fundit në lëmin e shkencave të natyrës, Allahu i ka bërë shkak që Drita Fjalës së Tij të ndriçojë mendjet dhe zemrat. Nën dritën e Kuranit dhe me lenten e astrofizikës le të depërtojmë në kohë për të përshkruar historinë e Gjithësisë.

1. “A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan, se qiejt dhe toka ishin të ngjitura e Ne i ndamë ato të dyja … A nuk besojnë?” (Kuran, 21/30)

Në ajetin kuranor bëhet fjalë për dy faza të gjendjes së hapësirës lëndore që njeriu mund të perceptojë me shqisat e tij. Kjo hapësirë, që përbëhet nga toka (ku çdonjëri detyrimisht kalon jetën e vet) dhe qielli (që është objekt i vëzhgimit kureshtar të përditshëm dhe i soditjes plot ëndje), konsiderohet rëndom si Gjithësi. Nisur nga ky konceptim i thjeshtëzuar i Universit, Zoti e ka informuar njerëzimin se fillimisht qiejt dhe toka ishin të ngjitura, një trup i vetëm. Kjo paraqet fazën e Gjithësisë në gjendjen fillestare. Evoluimi vijoi më tej me ndarjen e qiejve dhe tokës nga Krijuesi Fuqiplotë e i Gjithëditur. Sigurisht që kalimi nga njëra gjendje në tjetrën nuk është bërë në një çast, por ka kaluar përmes një procesi të zgjatur në kohë.
“… qiejt dhe toka ishin të ngjitura …” Këtu e fillon edhe teoria shkencore më e pranuar (deri më tani) në historinë e Universit. Modeli i Big Bang-ut (“Shpërthimi i Madh”) e nis evoluimin e Gjithësisë afro 15 miliard vjet më parë, me shpërthimin nga një zonë jashtëzakonisht e vogël (pika zero), ku gjendja e saj karakterizohet nga një dendësi lënde dhe temperatura kolosale, ngjashëm me një lëmsh të zjarrtë e shumë-shumë të dendur. Më pas shpërthimi vazhdoi me “ndarjen”, proces që çoi fillimisht në formimin e grimcave të energjive të larta e, më tej, … deri në formimin e strukturave të sotme të Gjithësisë, yjësitë, mjegullnajat, galaktikat etj.
Procesit të ndarjes iu nënshtrua edhe sistemi ynë diellor. “Reja diellore” filloi të shembej rreth 5 miliard vite më parë, duke formuar Diellin dhe gazin periferik. Gjatë miliona viteve, për shkak të peshës së qendrave të kondensimit dhe ftohjes së gazit periferik, u krijuan planetët, satelitët etj. U nda qartë planeti Tokë nga qielli dhe qiejt. Pra, thënë ndryshe, qiej e tokë në fillim ishin një masë e vetme, apo “të ngjitura” dhe pastaj “i ndamë ato të dyja” siç ka njoftuar Krijuesi kuptueshëm me gjuhën kuranore për njeriun e shekullit VII. Nga sa u përshkrua është evidente që shkenca moderne ka ecur dhe po ecën në gjurmët e mrekullueshme të Kuranit. Akoma nuk besojnë?

2. “Ne, me forcën Tonë, e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë.” (Kuran, 51/47)

Edhe pse ky ajet ndodhet në një kapitull (sure) tjetër të Kuranit, është e qartë lidhja dhe vijueshmëria e tij me ajetin e mësipërm (Kuran, 21/30). “Ne, me forcën Tonë, e ngritëm qiellin…” Zoti, Krijues e Formëdhënës, në këtë pjesë të parë të ajetit, na sjell në vëmendje ndarjen e planetit Tokë nga qielli, nëpërmjet fjalës “e ngritëm qiellin”. Ashtu siç bën mësuesi metodist i mirë, që para se të shpjegojë të rejat e mësimit, u përkujton nxënësve njohuritë e fituara më parë. Jo vetëm kaq. Me përdorimin e termit “e ngritëm qiellin”, Zoti i drejtohet qenies njerëzore në cilësitë e vëzhguesit, hulumtuesit, studiuesit dhe arsyetuesit, si pikë referimi. Tashmë njeriu i studion, analizon dhe vlerëson dukuritë nga sistemi i referimit të lidhur me Tokën, ku ai jeton.
Vrojtuar nga ky sistem referimi, procesi i “ndarjes” së tokës nga qielli perceptohet si ngritje e kupës qiellore nga toka, ngjashëm me perceptimin e “largimit” (ngritjes) së tavanit të një ndërtese për një vrojtues që ndodhet në një ashensor të tejdukshëm që zbret poshtë.
Pas kësaj kujtese, Allahu na informon në pjesën e dytë të ajetit për zhvillimet e mëtejshme të Gjithësisë “… dhe Ne e zgjerojmë atë (qiellin)”. Pra, sipas Kuranit, jeta e Universit, pas shpërthimit, me formimin e strukturave, vazhdon më tej me zgjerimin e qiellit, ashtu si njeriu që e fillon jetën nga një pikë lëngu e ngjizur dhe më pas rritet. Ky model i prezantuar në Kuran është një Univers në zgjerim, është jo statik.

Ia vlen të theksojmë se, përkundër këtij modeli kuranor, dy kolosët e mëdhenj të fizikës dhe shkencës moderne I. Njuton dhe A. Ajnshtajn, i qëndruan besnikë modelit statik (të pandryshueshëm) të Universit. Por zbulimi i astronomit anglez Hubble, më 1929, vërtetoi dhe konfirmoi saktësinë e modelit kuranor të një Universi jo statik në zgjerim. Për më shumë, edhe mënyra si është formuluar ligji i Hubble, sipas konceptit të vrojtuesit të ndodhur në Tokë, i cili shikon një qiell në zgjerim, i shkon pikë për pikë ashtu siç është prezantuar në ajetin 47. Saktësia edhe këtë herë peshon nga Kurani, edhe pse logjikisht, Njutoni dhe Ajnshtajni nuk duhej të gabonin shkencërisht para Muhamedit të paarsimuar. Ky është një fakt tjetër që vërteton superioritetin e Kuranit, si Fjala e Zotit dhe të Muhamedit, si i dërguar i Tij.

“Ndërsa atyre që u është dhënë dituria e dinë se kjo, që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti, është e vërtetë dhe se udhëzon për në rrugën e Fuqiplotit, të Lavdishmit.” (Kuran, 34/6) Njeriu gabon, qoftë ai edhe shkencëtari më i madh i kohërave. A edhe pas kësaj nuk besojnë!

3. “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyja dhe Ai, me fuqinë e Tij, mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë.” (Kuran, 42/29)

Përsëri Mësuesi i Gjithëinformuar, përmes këtij ajeti kuranor, pasi na sjell në kujtesë krijimin e qiejve, të tokës, të gjithçkaje ndërmjet tyre e, edhe të gjallesave të shpërndara në to (jo vetëm në tokë) nga Allahu, na informon se të gjithë këto përbërës të Gjithësisë do të bashkohen nga fuqia e Krijuesit, kur Ai të dëshirojë. Të njëjtën gjë paraqet një tjetër ajet gjatë përshkrimit të Kiametit, por në hapësirën më të vogël që është më e kapshme nga njeriu, atë të sistemit tonë diellor: “Dhe bashkohet Dielli e Hëna.” (Kuran, 75/9) Pra do të kemi një kthim të Universit në gjendjen fillestare “pikën zero”, një kthim shumë të përshpejtuar të historisë së tij në “kohën zero”.

Pasi kemi ndjekur historinë e Gjithësisë, të shkuarën dhe të tashmen, pyetja që shtrohet para kozmologjisë është për të ardhmen. Cili do të jetë evolucioni i mundshëm i mëtejshëm i Gjithësisë? Në aspektin shkencor, evolucioni i Universit varet nga ekuilibri i mëtejshëm i dy faktorëve që kundërshtojnë njëri-tjetrin: nga njëra anë është zgjerimi i Gjithësisë, që karakterizohet nga energji kinetike të larta të galaksive dhe nga ana tjetër ky zgjerim pengohet nga tërheqja gravitacionale ndërmjet galaksive, e cila tenton t’i afrojë ato. Nisur nga këto dy faktorë, nga raporti ndërmjet tyre, janë ndërtuar dy skenarë të mundshëm të evolucionit të Universit.

I) Gjithësia e Hapur, që pohon se Gjithësia do të vazhdojë të zgjerohet gjithmonë pafundësisht. Domethënë se ky model nuk parashikon shkatërrim të botës – kiamet.
II) Gjithësia e Mbyllur, që pohon se lëvizja zgjeruese pas një farë kohe do të ndalet dhe do të kthehet në lëvizje tkurrëse. Domethënë pasi të ketë arritur një zgjerim maksimal, Gjithësia e Mbyllur do të fillojë të tkurret, zvogëlon përmasat derisa të vijë në origjinën me rreze zero. Tashmë ngjarjet, fenomenet, përsëriten në kahe të kundërt, njëlloj si një shirit filmi i kthyer mbrapsht. Kështu që fundi i historisë së Gjithësisë do të jetë ngjeshja kolosale në zona të vogla, procesi i kundërt me Big Bang-un, që quhet Big Crunch (“Shqyerja e Madhe”). Pra ky model pohon dhe pranon shkatërrimin e botës – kiametin.

Nga sa përshkruam përmbledhtazi, duket qartë se modeli i Gjithësisë së Mbyllur, që përfundon me Big Crunch (“Shqyerja e Madhe”), konfirmon dhe mbështet shkencërisht shpalljen kuranore për Kiametin: “Dhe bashkohet Dielli e Hëna.” (Kuran, 75/9) dhe më gjerë “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyja dhe Ai, me fuqinë e Tij, mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë.” (Kuran, 42/29) Madje edhe terminologjia shkencore e përdorur për shkatërrimin e Universit “Shqyerja, Grisja e Madhe” (Big Crunch) është thuajse e ngjashme (për të mos thënë kopje) e terminologjisë kuranore për të njëjtën ngjarje. “Qielli do të çahet” (Kuran, 73/18) ose “Pëlcet (çahet) qielli” (Kuran, 84/1) etj. Përsëri nuk besojnë! “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare.” (Kuran, 12/105)

Ka një dallim ndërmjet njoftimit të Kuranit dhe modelit të Gjithësisë së Mbyllur, për kohën e fundit të Universit. Sipas modelit të Gjithësisë së Mbyllur përllogaritet që Universi të ketë jetuar çerekun e jetës së tij. Domethënë fundi i tij parashikohet pas miliarda vitesh (afro 40 miliard vite). Ndërsa Krijuesi na qartëson në Kuran se kjo Gjithësi, ky ndërtim madhështor, do të ketë fundin e historisë së vet kurdo që të dëshirojë Ai, Arkitekti Fisnik. “… Ai, me fuqinë e Tij, mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë.” (Kuran, 42/29) “Pra, falënderimi i qoftë vetëm Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të tokës, Zotit të gjithësisë! Vetëm Atij i takon lartëmadhëria në qiej e në tokë dhe Ai është Ngadhnjyesi, i Urti.” (Kur’an, 45/36-37)

Historia vazhdon…
Blerim Lazimi
/Drita islame

Lexoni edhe: