Krijimtari të begata nga autorët shqiptarë në Suedi

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

M. Gecaj, në bibliotekën e qytetit Boras (15 prill 2012)

1.

Kur unë, shkrimtari Viron Kona dhe gazetarja e Radio-Tiranës, Kozeta Hoxha, morëm ftesën, nga miku e kolegu ynë i përbashkët, Sokol Demaku, për një vizitë disaditore në Boras të Suedisë, ndër gjërat e para që m’u kujtuan, ishin librat. Pra, dëshiroja të merrja me vete për atje disa prej tyre, me autorësinë time. Se e dija mirë që në festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” e të revistës “Dituria” dhe 4-vjetorit të emisionit të parë në gjuhën shqipe, në radion lokale po me këtë emër, do të ishin të pranishëm disa miq, dashamirës e të njohur, si fizikisht, por dhe përmes internetit.

Bashkëshortja ime ma pa çantën e mbushur plot me libra, prandaj shprehu shqetësimin se mos më dilte ndonjë pengesë, gjatë udhëtimeve me avion: Rinas-Vjenë-Goteborg. Po, për fat të mirë, nuk ndodhi asnjë pengesë në këtë drejtim. Se, tashmë, kur janë në sasi të vogla, ato e kanë lejen dhe “pasaportën” për të qarkulluar pa probleme.

Megjithatë, ashtu si kolegët e mi bashkudhëtarë, isha i ndërgjegjshëm, se nuk mund t’i merrja me vete aq libra, sa dëshiroja. Kështu, zgjodha një rrugë të mesme, pra mora nga një kopje të librave të mi për Qendrën Kulturore “Migjeni”. Ndërsa disa të tjerë, pra afër 20 copë, ishin libri im i ri “Dorela”, të cilin do t’ua dhuroja të njohurve, të mëparshëm ose jo. Por pata edhe një kërkesë “speciale”, nga bashkëstudenti i viteve universitare, Xhavit Mëzezi. Ai dëshironte ta çoja atje dhuratë, një kopje të veprës së tij, në 518 faqe, me titullin “Proverba, Shprehje, Thënie” (Tiranë, 2011)”. Pra, kështu veprova dhe këto libra ua dhashë personave të planifikuar, në bibliotekën e qytetit Boras ose në sallën, ku u zhvillua veprimtaria festive, e përmendur më lart. Me kënaqësi vëreje se përurimet e librave të rinj dhe shkëmbimet e librave tanë, i ngjanin një “Panairi Libri” të vërtetë dhe të veçantë, në llojin e vet.

2.

Ndodhi jo “çudia”, por dhe e pritura për mua, që shumë nga studiuesit, shkrimtarët e poetët, që takova atje, m’i dhuruan me kënaqësi disa nga botimet e tyre. E them këtë gjë, pasi edhe ata kishin pasur pak pengesa. Se disa prej tyre, për të ardhur nëBoras, kishin udhëtuar qindra kilometra, prej nga ku ata banojnë me familjet e tyre. Kështu, pak e nga pak, çanta ime u rimbush me libra. Sigurisht, për këtë gjë, i falënderova autorët, si për dhuratën e tyre të çmuar, por dhe për shënimet dashamirëse, me të cilat i shoqëruan librat e tyre.

Tani, kur kanë kaluar disa ditë nga ndarja fizikisht me ata, mendova që vetëm sa t’i përmend autorët dhe ndonjë libër, që pata kënaqësinë të merrja prej tyre. E bëj këtë gjë, siç e shkrova edhe më lart, për ta shprehur respektin dhe falënderimin tim në largësi dhe për t’u uruar nga zemra të gjithëve: shëndet të plotë, mbarësi e begati, sa më shumë libra të tjerë e cilësorë dhe lumturi në familjet e tyre. Kërkoj mirëkuptimin e secilit, që nuk po shkruaj këtu gjatë për këto libra, megjithëse e di që e meriton secili prej tyre. Pokështu, kërkoj ndjesë edhe në qoftë se, pa qëllim, kam harruar të flas për ndonjërin prej tyre.

3.

Të parin libër, që dua ta përmend këtu dhe që u përurua më datën 14 prill, në manifestimin e Borasit, është ai me titullin “Miku i madh i shqiptarëve – Ullmar Qvick” (Monografi), me autor Fetah Bahtirin. Padyshim, do të duheshin disa faqe për ta treguar përmbajtjen e këtij botimi me shumë vlera, kushtuar Prof. Ulmar Cvik, tashmë edhe mik i imi, me të cilin më parë kisha shkëmbyer mesazhe përmes Internetit dhe që u takuam aty përzemërsisht. Libri ka redaktor Sadulla Zendelin-Daja, është me 226 faqe dhe përmban 12 kapituj. Tërësisht, ai i është kushtuar jetës dhe veprimtarisë kërkimore, studimore dhe botuese të këtij albanologu të shquar dhe mik i përhershëm i shqiptarëve. Për këtë gjë, flasin shumë qartë edhe fjalët e tij, tashmë të publikuara, se “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë tjetër, përsëri do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.

Por një autor tjetër i njohur në Komunitetin Shqiptar, në Suedi e më gjerë, është edhe Sadulla Zendeli-Daja. Ai ka shkruar e publikuar libër me poezi. Por me vlera të veçanta është ai me titullin domethënës, “ Gramatika e gjuhës shqipe”, për klasat I-IX. Këtë punë të dobishme e realizoi me misionin e studiuesit specialist, por edhe të atdhetarit. Kjo sepse libri u vjen në ndihmë, sidomos, fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, për ta mësuar dhe për të mos e harruar gjuhën amtare shqipe. Daja ka botuar edhe Fjalorin e vetëm suedisht-shqip, me 23 mijë fjalë dhe tani po punon për një Fjalor praktik, shqip-suedisht.

Duke vazhduar më tej, po përmend këtu librat e rinj, të dhuruar tani nga Sokol Demaku, “Kujtime nga Diaspora” (2012) dhe Bahtir Latifi, me titujt “Jeta e ëndrrave tona” (poezi, 2010) e “As i gjallë, as i vdekur” (prozë, 2011). Si gjithë të tjerëve, atyre u ka shkaktuar emigracioni plagë që dhembin fort. Prandaj kanë shkruar me dashuri dhe mall të pashuar për vendlindjen, si në poezi e prozë. Sigurisht, ashtu siç ma dëshmuan vetë, ata kanë nëpër duar edhe dorëshkrime të tjerë, të po këtij karakteri.

Ishte hera e parë, që e takoja Hysen Ibrahimin, i cili banon në Fërslëv të Suedisë. Ne kishim shkëmbyer më parë mesazhe përmes Internetit, por ishte kënaqësi e ndërsjellë, që u njohëm nga afër kësaj radhe. Ai m’i dhuroi me dashamirësi librat: “Solidariteti i mërgatës shqiptare në Suedi” (2000), ”Ambasadorët dhe shërbëtorët” (2007), “Kosova, në zemrën e mërgatës në Suedi” (2009) e “Mërgata, për arsimin në vendlindje” (2011) dhe “Rrugëtim i dashurisë”-roman(2011)”. Nuk dua të ndalem posaçërisht në përmbajtjen e tyre, pasi titujt, pak a shumë, e kanë vetë domethënien e tyre. Por nuk mund të anashkaloj një shënim të shtypur dhe dashamirës të autorit, në librat e dhuruar: “Me respekt të jashtëzakonshëm për mikun tim të nderuar, Prof. dr. Murat Gecaj, me rastin e vizitës së tij në Suedi, në 5-vjetorin e themelimit të QKSH “Migjeni”, nëBoras. Me nderime, i Juaji: Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, për Suedi”.

Ndërsa me Rizah Sheqirin ishim njohur nga larg, kur përgatisja përmbledhjen me shkrime, kushtuar të ndjerit Prof. Bedri Dedja-Akademik, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Ndërmjet shkrimeve e kujtimeve të ndryshme, ai përfaqësohet denjësisht aty. Pasi ia dhurova atij këtë libër, ai nxori nga çantë e tij numrin më të madh të botimeve, pra gjithsej 9, që kam marrë nga ndonjë autor në Boras. Prandaj atë e falënderoj përzemërsisht dhe shpresoj që, ndoshta, në një rast tjetër, të shkruaj posaçërisht për ta. Titujt e këtyre librave janë: “Merimanga e dhimbjes”-poezi (1991), “Shëngjergjat e mi” (1993), “Flutura në erë” –poezi, (1995), “Pranvera do të vijë” – pjesë teatrore (2002), “Degëz e këputur”-poezi(2002), “Nëse patjetër të duhet e vërteta”-poezi, shqip e suedisht (2000 e 2003), “88 gjëza”(2004), “Flutura në kaktuse-skica poetike (2005).

Pokështu, disa botime kishte sjellë me vete për ne, të ftuarit nga Tirana edhe botuesi Hamit F. Gurguri. Ndërsa mua më ra “lotaria” të merrja librin e tij, “Ah, Toplicë – 1” E kuptova që ky titull ishte shprehje e ndjenjave të dhimbshme e të mallit të autorit për vendlindjen, gjë që e përjeton çdo emigrant, në Suedi ose në vende të tjerë të Europës a botës. Dhuratë e mora edhe librin me poezi, “Vasha e valëve”, të autores Zyrafete Kryeziu-Manaj.

 

Bashkë me këto libra kam një tjetër me poezi, dhuruar nga Shadije Hotnjani, “Ujëvarë malli” (Prishtinë, 2011). Ndërsa Arsim Halili, nga Bujanoci i Kosovës Lindore, pas kthimit nga Suedia në Tiranë, m’i dha me dashamirësi librat “Shtigjeve të artit”-intervista (2011), ku jam redaktor e kam bërë hyrjen dhe “Gjurmët e qëndresës “novela (2011). Së bashku me ta, ishte edhe revista letrare nr. 2, me kryeredaktor Bilall Maliqin e me emrin simbolik “Qëndresa” (Preshevë, 2012). Në mes shkrimeve të tjerë, aty është publikuar shkrimi im kushtuar jetës dhe veprimtarisë së poetit tonë të shquar, Xhevahir Spahiu.

I lashë për në fund të këtij shkrimi të thjeshtë 2 libra të tjerë, jo për vlerat që përmbajnë, por edhe ngase nuk di t’ua përkthej titujt e tyre. Ata janë nga Pija Lindenbaum, “Kenfa och barbisarna” (2007) dhe Lena Landstrem, “Den Mystiska bulan” (2011). Përmes figurave shumë të bukura, e kuptoj se ato u adresohen fëmijëve. Por dhe sepse drejtoresha e Bibliotekës së Borasit, Anna-Karin Albertsson, m’i dha ato me shënimin e saj, për mbesën Dorela, si “shkëmbim” për librin tim publicistik-letrar, “Dorela” (Tiranë, 2012).

Në mbyllje, për të gjithë këta autorë të pasionuar të fjalës së shkruar dhe zemrës së zjarrtë, nga shpirti më buron mirënjohja e urimi i bardhë: “Shumë faleminderit prej jush dhe krijimtari sa më të begatshme, autorë shqiptarë, në Suedi!”

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues

 Tiranë, prill 2012

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin