Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Në shtypin e shkruar, këto ditë po dëgjohet kënga e fundit e “mjellmës së kuqe”. Kjo këngë është një ndijim personal i anti-Frashëllinjve (Kristo Frashëri), sepse krijimi i saj është ese pseudo-politike dhe jo artikull historik (në të vërtetë, zotëria dhe historia nuk e njohin shoku-shokun). Nuk na ka çuditur aspak dhe ndoshta nuk do ta meritonte vëmendjen, nëse, mes të tjerash, zotëria nuk do të jepte dhe leksione për historinë dhe historianët. Prandaj, po i kthejmë përgjigje për respekt të lexuesit dhe atyre që besojnë tek e vërteta, tek ne dhe tek idetë tona, tek idetë e gjeniut Mithat Frashëri. Në moshën 90-vjeçare, Kristo Frashëri kujtohet të na tregojë parimet bazë të historisë, parime që ne i njohim dhe që ai, me kolegët e tij, si ai i kanë shkelur me të dyja këmbët. Nëse Kristo donte të bëhej i vlefshëm e të na linte një mësim për historinë e duhur, duhet të na kishte treguar në këtë këngë të fundit se si e falsifikoi historinë e Shqipërisë, se si i retushoi fotografitë dhe firmat e shpalljes së Pavarësisë, si e la në harresë Kongresin e Manastirit, si gënjeu për Mukjen e për të tjera ngjarje të rëndësishme si këto që ngrinin lart figurën e Mithat bej Frashërit. Është e vërtetë që Mithati jetoi në tri periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë dhe të tria këtyre periudhave u dha emrin e tij, sepse punoi me shpirt, si asnjë tjetër për vendin e tij, sepse kishte staturën e duhur si asnjë tjetër për t’u vënë vulën e tij etapave të historisë.

 Për Kriston, pjesëmarrja e Mithat Frashërit në qeverinë e parë kombëtare, më 1912, i bën nder atij, për përmasën e figurës së Mithat Frashërit kjo është vetëm detyra ndaj vëndit të tij, dorëheqja nga kjo qeveri e nderon atë, nxjerr edhe një herë në pah idealizmin e tij, të punës së Frashëllinjve dhe të ideve të tij të mëvonshme politike.

 Kristoja vazhdon ta cilësojë veten historian i kuq dhe ata që shkruajnë historinë e vërtetë i quan historianë të Ballit dhe në mendësinë e tij, ashtu si njëri nga “200 petritat” (Kristo Frashëri ka qenë njëri nga 200 komunistët e parë të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare), vazhdon t’i dënojë ata. Por gjëja më e mirë e këtij shkrimi është fakti që Kristoja ka lexuar “Gjeniun e Kombit”, pra, në gjithë jetën e tij, zotëria paska lexuar histori të vërtetë profesionale.

Ku mësuat ju ta shkruanit historinë e Shqipërisë? Cila ishte shkolla juaj e historisë?

Ju mësuat të bëni histori në bazat e luftës me Enverin, ju mësuat ta bënit historinë siç donte Enveri, sepse, “Big brother” ju vëzhgonte. Ju sot pranoni se Mithat Frashëri ka dhënë rolin e tij patriotik në historinë e Shqipërisë deri në krijimin e partisë suaj, kjo për një komunist të ideve të kalbura si jeni ju është shumë. Ju nuk e gëlltisni dot programin ideo-politik konservator të tij dhe ju, për këtë e anatemuat figurën e Mithat Frashërit dhe vazhdoni ta bëni këtë edhe sot. Ju nuk hiqni dorë të dënoni njerëzit për mendimin e tyre të lirë, ju edhe në këtë moshë, mbas kaq vitesh demokraci, mbas kaq të vërtetash historike që kanë dalë në pah këto kohë për ju dhe të tjerë të sojit tuaj, ju ende kërkoheni të imponoheni.

Ju akuzoni Mithat Frashërin për bashkëpunim me gjermanët në të ikur, kjo një akuzë gojore se ju historiani i Enverit s’keni asnjë dokument për ta faktuar këtë (si duket firmat gjermane kanë qenë të vështira për t’u falsifikuar nga mjeshtër edhe si ju), ju, pra, akuzoni një mendimtar të përmasave të Mithat Frashërit se ishte aq i pazgjuar sa të mos e kuptonte që Gjermania e kishte humbur luftën, plus që idetë e tij s’kishin asnjë gjë të përbashkët me nazizmin, një mendimtar i përmasave të tij e kishte kuptuar që në 1920, se aleati i Shqipërisë ishin SHBA-të dhe me promemorien e tij dërguar Willsonit, e shpëtoi shtetin shqiptar. Mithat Farshëri në mërgim ishte figura më e dashur për amerikanët, ata i ofruan ndihmën e tyre. Amerikanët që po bashkëpunonin për gjyqet e Nurembergut s’do pranoni të ndihmonin një bashkëpunëtorë të nazistëve.

Ju jeni kontradiktorë zotëri. Ju thoni që s’ka pasur lufte civile në Shqipëri, se ju luftuat kundër gjermanëve, por, sa nga ju vrau gjermani? Ju vetë e pranoni që qe një luftë ku Enveri juaj i vuri shokët në rreth dhe filloi eliminimet. Sa vrau Enveri juaj nga ju? Vrau më shumë se lufta që bëtë ju për të mundur gjermanët. Sa u vranë nga ju nga lufta e madhe me shpim gomash dhe prerje telash telefoni që bëtë ju? Ju thoni se s’kishte luftë civile, por çfarë ishte ajo që ndodhi në Mukje dhe pas saj? Ju thoni lufta e Ballit kundër partizanëve dhe gënjeni, sepse s’ka asnjë dokument të kohës që të tregojë se Mithat Farshëri u ka dhënë urdhër Ballistëve të luftojnë kundër partizanëve, por ka trakte tuajat qe tregojnë luftën e partizaneve kundër Ballistëve dhe kjo është lufte civile.

Ju thoni që Balli e humbi luftën dhe mundoheni të sajoni argumentet tuaja për këtë, por ju harroni kryeargumentin: Balli e humbi luftën, sepse lideri i tij Mithat Farshëri ishte vizionar dhe nuk mund të merrte vendimet që mori lideri juaj që vrau dhe kunatin e tij.

Ju besoni që Balli humbi luftën, por historia në fakt tregon të kundërtën: Mithat Farshëri e vazhdoi betejën e tij politike edhe në mërgim. Ai krijoi Partinë e parë të djathtë konservatore në Regio Emilia, më 31 dhjetor 1945, dhe vazhdoi me idetë e tij ta luftonte komunizmin. Kjo luftë, juve ju trembte, ju dëgjonitBBCdhe frikësoheshit dhe prandaj u përpoqët ta ndalonit me të gjitha mënyrat mbase deri me eliminim fizik, sepse vdekja e tij në moshë relativisht të re është e mistershme. Por miqtë e tij të penës dhe të armëve e vazhduan punën tij. Mbas viteve 90 ai që solli të gjallë vazhdimësinë e punës së Mithatit në Shqipëri ishte Prof. Abaz Ermenji, një figurë e shquar e Ballit. Sot, Partia e Ballit Kombëtar Demokrat në Shqipëri po punon për të përjetësuar idetë e tij si domosdoshmëri për prosperitetin e Shqiptarëve.

Rasti juaj tregon pse duhet bërë ligji i lustracionit, edhe pse duhen hapur dosjet që pseudo figura si ju që s’kanë çfarë ti thonë popullit të heshtin më mirë. Ju zotëri keni lexuar diçka nga Uran Butka, nga i nderuari Sabri Godo dhe, sigurisht, nga idhulli i gjithë të rinjve të brezit tuaj nga Mithat Frashëri, prandaj ju këshilloj të merrni e të lexoni një libër tjetër me vlerë “Historinë e Ballit nga Organizatë pluraliste në Parti Politike” të Aleko Gjergos, se ndoshta kujtoni dhe kuptoni ndonjë gjë të vlefshme, uluni pranë oxhakut, lexoni dhe ngrohuni, se ende është ftohtë dhe jashtë e brenda jush bie shi.

Nga Besnik Troplini

 

 

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin