Categories
Politika

Kryemadhi: Investimi tek rinia, garanci për Shqipëri më të zhvilluar

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, si dhe nga kryetari i LSI-së për Lezhën, Viktor Tushaj, ka marrë pjesë ditën e sotme në një aktivitet entuziast të zhvilluar me qindra të rinj të Lezhës. Në këtë aktivitet u prezantua dhe u shpërnda programi i Lëvizjes Rinore për Integrim “Arsimim për Punësim”, program ky i konceptuar në një mënyrë shumë të veçantë, program i shkruar në një fletëpalosje e konceptuar si një “iPhone”. Aktiviteti i zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve është organizuar në Kalanë e Lezhës. Duke komunikuar më të rinjtë e pranishëm Znj. Kryemadhi deklaroi se programi i Lëvizjes Rinore për Integrim “Arsimim për Punësim” është rezultat i një pune shumë të madhe të bërë nga qindra të rinj me propozimet e tyre konkrete për ecur më shpejt drejt një jete sa më të mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë. Sipas saj e ardhmja e Shqipërisë dhe integrimi i saj në Evropë janë të lidhura ngushtë me investimin që bën sot shoqëria tek rinia. Kryemadhi tha se qeveria duhet tu krijojë mundësi të rinjve për të marrë njohuri dhe për të përballuar sfidat e së ardhmes. “Investimi tek rinia është politikë prioritare e LRI-së dhe LSI-së”, tha ajo. Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha se qëllimi i përbashkët i LSI-së dhe LRI-së është që të përmirësojë dhe të garantojë edukimin dhe punësimin cilësor të të rinjve, të rrisë pjesëmarrjen e tyre civile dhe politike. Duke folur mbi propozime që programi i Lëvizjes Rinore për Integrim ka për edukimin znj. Kryemadhi tha se LRI beson se edukimi cilësor, bazuar në kërkesat e tregut të punës dhe të zhvillimit të vendit është çështje themelore për rritjen e kontributit rinor në progresin e vazhdueshëm të vendit. Sipas saj një ndër propozimet konkrete të LRI-së në këtë drejtim është bërja e arsimit të detyruar nga 9 vjeçar në 12 vjeçar ndërkohë që rritja e peshës së arsimit profesional ndaj atij të përgjithshëm, duke e çuar atë në nivelin 50% me 50%, është një tjetër objektiv i rëndësishëm.