Kryeqyteti në ditët me shi, makth për qytetarët

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Vëzhgim/ Rrugët e amortizuara dhe me gropa, dyfish problem kur ka reshje shiu

Mungesa e infrastrukturës dhe kanalizimeve; balta, rrugët me gropa, kaosi në trafik, panorama e kryeqytetit

Trafik, pellgje uji, rrugë të amortizuara, orë të gjata pritjeje nga ana e qytetarëve, bori makinash që bien pa pushim, autoambulanca me të sëmurë që luftojnë me vdekjen etj., s’janë gjë tjetër, veçse panorama që të ofrojnë rrugët e qytetit të Tiranës. Përveç problemeve të tjera që ka kryeqyteti i shqiptarëve, ai “pushtohet” nga makthi edhe gjatë ditëve me shi, të cilat shndërrohen në ditët e kaosit për të gjithë atë që banojnë ose kalojnë rastësisht në këtë qytet. Përpos trafikut, i cili rëndohet më shumë kur ka reshje shiu, ajo që është mjaft shqetësuese janë edhe rrugët e amortizuara. Ky problem evidentohet më shumë në lagjet në brendësi të qytetit, por edhe në ato periferike. Lidhur me këto probleme, gazeta “Republika” ka bërë një vëzhgim, për sa u përket të gjitha shqetësimeve të qytetarëve.

 Rrugët e amortizuara

Mjaft shqetësuese për qytetarët e Tiranës është dhe gjendja dëshpëruese e rrugëve, të cilat janë të amortizuara. Përveç rrugëve kryesore të kryeqytetit, ato rrugë që lidhin lagjet në brendësi janë në kushte tejet të këqija, gropa dhe baltë pa fund, aq më tepër, nëse bie shi, ato bëhen të pakalueshme. Nga vëzhgimet e bëra gjatë ditës së djeshme, nëpër disa lagje të kryeqytetit, por edhe në rrugët kryesore të tij, u evidentuan një sërë problemesh. Pamjet e tyre në kohë të keqe, por edhe me diell, të japin përshtypje se ndodhesh në provincë dhe jo në metropol. Problematike paraqitet gjendja në lagjen “Bajram Allaraj”, ku përveç baltës, nuk mund të shohësh gjë tjetër, madje në këtë lagje problemi nuk mbaron me kaq – aty mungon edhe ndriçimi. Banorëve të lagjes, në kohë shiu, u dihet të lëvizin me qese plastike ose me çizme, si në kohët e shkuara. Probleme paraqiten edhe në rrugë të tjera, të cilat, përveç faktit që janë të prishura dhe me baltë, janë edhe të pandriçuara. Qytetarët duhet të marrin masa, nëse do t’u duhet të lëvizin gjatë natës. Probleme paraqiten edhe në rrugën “Sali Nivica”, ku përveç rrugës që është e amortizuar, mungon edhe ndriçimi. Këtu radhitet edhe rruga “Eshref Pumo”, në të cilën mungon komplet infrastruktura dhe kanalizimet. Për sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve dhe rregullimit të tyre është kompetencë e bashkisë së Tiranës, e cila ka harruar detyrat e saj kryesore. Deri tani, në këto lagje nuk është bërë asnjë investim, ndonëse fondet mund të akordohen për rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes. Duke parë gjendjen në të cilën ndodhen këto lagje, papritur, të shfaqet një realitet ndryshe nga ai që flitet, nga ai që duam të shohim, por vetëm gropa, baltë dhe errësirë. Por nuk janë vetëm këto rrugë që shfaqin të tilla probleme, ka edhe shumë të tjera.

 

Rrugët problematike me trafik

Me trafik të rënduar hasesh që në hyrje të qytetit të Tiranës, afër Doganës, ku kaosi dhe bllokimi për minuta të tëra është mëse normal për të gjithë udhëtarët. Madje, piku i trafikut shënohet edhe në zonën e Tiranës së Re, ku po punohet për disa ndryshime në infrastrukturë. Si pasojë e punimeve, automjeteve iu duhet të ecin vetëm në një korsi, përgjatë urës, gjë që krijon radhë të gjata pritjeje. Nuk mjafton vetëm kaq, por kaosi shtohet më shumë pikërisht në qendrën e Tiranës, e cila është bërë pothuajse e pakalueshme nga ana e automjeteve, gjë që pritet të vazhdojë shumë gjatë, pasi punimet duan kohë të përfundojnë. Problemet me kanalizimet shfaqen herë pas here, madje ato kanë sjellë përmbytje në shumë zona, kryesisht në rrugën “Don Bosko”, kryqëzimi i 21 dhjetorit, ura pranë Shkollës Teknologjike etj.

Edlira Mema

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin